HADITHI:
Behz ibn Hakimi përcjell nga babai i tij e nga gjyshi i tij të ketë thënë: i dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të: “Mjerë për atë i cili flet dhe gënjen, që të bën njerëzit të qeshin, mjerë për të, e mjerë për të.”[1]
KOMENTI:
Behz ibn Hakim, është i biri i Muavijeh ibn Hajdete, i cili ishte një prej sahabëve.
(Mjerë – ويل) është një fjalë që përdoret për dënim. Disa kanë thënë: ‘Vejl’ është një luginë në xhehenem.
Gënjeshtra është e ndaluar, dhe është një prej mëkateve të mëdha. Allahu thotë: “mallkimi i Perëndisë t’i goditë gënjeshtarët!.” Sureja Ali Imran, ajeti 61.
Nuk i lejohet njeriut që të gënjejë e të thotë të pavërtetën, por, është obligim për një besimtar që të jetë besnik, Allahu thotë: “O besimtarë! Druajuni Perëndisë dhe bëhuni me ata që janë të drejtë!.” Sureja Teube, ajeti 119.
Besimtari është i sinqertë në atë që e thotë, në atë që e premton, në marrëveshjet që i nënshkruan, na bisedat që flet me njerëzit, kështu që, nuk ju flet atyre lajme të rrejshme vetëm që t’i bën të qeshin.
Gënjeshtra nuk lejohet jashta tre rasteve; për një dobi të sigurtë; është gënjeshtër por që lejohet për një dobi të sigurtë:[2]
I pari: Në përmirësimin e raporteve mes njerëzve. Njeriu gënjen me qëllim të përmirësojë mes dy të hasmuarve.
Duke i thënë njërit prej tyre: Filani të lavdëron, flet mirë për ty, dhe i vije keq për atë që ka ndodhur mes jush, dëshiron që të pajtoheni. E pastaj shkon edhe tek tjetri e thotë fjalë të ngjashme, e i bashkon ata, i pajton dhe kjo gënjeshtër me qëllim për të pajtuat mes njerëzve, për një dobi të sigurtë është e lejuar.
I dyti: Në gjendje lufte. Pasi që lufta është mashtrim, kështu që lejohet gënjeshtra në luftë për të mashtruar armikun.
I treti: Mes bashkëshortëve. Për të përmirësuar jetën e tyre bashkëshortore. Bashkëshorti gënjen ndaj bashkëshortes për të përmirësuar jetën e tyre bashkëshortore dhe anasjelltas.
Jashta këtyre tre rasteve, gënjeshtra është haram. Këtu bëjnë pjesë edhe aktorët të cilët i bëjnë të qeshin njerëzit me komikë, duke treguar gjëra që skanë ndodhur, por janë gënjeshtra vetëm e vetëm për t’i bërë njerëzit të qeshin.
Autor: Salih ibn Feuzan el Feuzan
HADITHE MBI MORALIN DHE ETIKËN TË PËRMBLEDHURA NGA LIBRI (BULUG EL MERAM)
HADITHI I TRIDHJETË E KATËR
Përktheu: Shpend Zeneli
Burimi: albislam.com
[1] E shënon Ebu Davudi me numër (4990). Tirmidhiu me numër (2315). Ahmedi në (Musned-in e tij, 5/3). Shejh Albani e vlerësoi hasen në librin e tij (Gajetul Meram, me numër 376).
[2] Autori këtu aludon në hadithin që e shënon Ahmedi (6/404) nga Umu Kulthumi e bija e Ukbes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila transmeton dhe thotë: Nuk kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, të ketë lejuar diç nga gënjeshtra përpos në tre raste: Njeriu kur flet në luftë, burri kur flet me gruan dhe gruaja kur flet me burrin e saj…” (Vargu i haditheve të sakta, me numër 545) të Shejh Albanit, Allahu e mëshiroftë.
Shpend Zeneli