Lutja e udhëtimit

0
202

Nga Abdullah ibn Umer – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se kur i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – drejtohej mbi devenë e tij dhe nisej për udhëtim bënte tekbir (thoshte: Allahu ekber) tri herë, pastaj thoshte: “Subhanel-ledhi sekh-khara lena hadha ue ma kun-na lehu mukrinin. Ue inna ila rabbina le munkalibun. All-llahumme inna nes’eluke fi seferina hadha el bir-ra uet- takua, ue minel ameli ma terda. All-llahumme heu-uin alejna seferana hadha uetui anna bu’deh. All-llahumme entes-sahibu fis-sefer, uel khalifetu fil ehl. All-llahumme inni neudhu bike min ua’thais-sefer, ue keabetil mendhar, ue suuil munkalebi fil mali uel ehli uel ueled.”

(I Patëmeta është Ai që na e nënshtroi këtë (kafshë, mjet udhëtimi) dhe ne nuk do të ishim në gjendje ta bënim këtë, dhe ne te Zoti ynë do të kthehemi. O Allahu im! Ne të kërkojmë Ty në këtë udhëtimin tonë veprat e mira dhe devotshmërinë, dhe prej punëve ato që Ti i do! O Allahu ynë! Na e lehtëso këtë udhëtimin tonë dhe na shkurto largësinë e tij! O Allah Ti je shoqëruesi ynë në këtë udhëtim dhe Ai në dorë të të Cilit i lemë familjet tona pas vetes! O Allah ne të kërkojmë mbrojtje Ty nga vështirësitë e udhëtimit dhe prej shikimeve të këqija, dhe nga kthimi i keq në pasuritë, familjet dhe fëmijët tanë!)

Dhe kur kthehej i thoshte përsëri këto fjalë dhe shtonte: “Ajibune taibune abidune li rabbina hamidun” (U kthyem të penduar, adhurues, ndaj Zotit tonë falenderues).

Transmeton Muslimi.[1]

Në këtë hadith ka përfitime madhështore që lidhen me udhëtimin. Këto lutje kanë përfshirë kërkesën për dobitë fetare – që janë gjëja më e rëndësishme – dhe përfitimet e kësaj bote, për arritjen e gjërave të pëlqyera dhe largimin e të urryerave, falenderimin ndaj Allahut, dhe përkujtimin e mirësive të Tij, dhe bujarisë së Tij. Dhe po ashtu se udhëtimi përfshin adhurimin e Allahut dhe afrimin tek Ai.

Kështu fjala e tij: “Kur i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – drejtohej mbi devenë e tij dhe nisej për udhëtim, bënte tekbir (thoshte: Allahu ekber) tri herë” ky është fillim i udhëtimit me madhërimin e Allahut, dhe lavdërimin e Tij, ashtu siç edhe e mbyllte me atë.

Dhe fjala e tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “I Patëmeta është Ai që na e nënshtroi këtë (kafshë, mjet udhëtimi) dhe, ne nuk do të ishim në gjendje ta bënim këtë, dhe ne te Zoti ynë do të kthehemi.” Këtu ka lavdërim ndaj Allahut për atë që na i ka nënshtruar këtë mjete të cilave u hipim, të cilat mbartin për ne pesha të rënda dhe njerëzit, deri në vendet më të largëta, dhe përshkojmë me to largësi të mëdha. Dhe kjo është mirënjohje ndaj dhuntive të Allahut në këto mjete udhëtimi. Dhe këtu hyjnë: kafshët si devetë (kuajt etj), dhe anijet që lundrojnë në det, automjetet tokësore dhe detare. Të gjitha këto hyjnë këtu. (sh.p.: Te mjetet që na i ka nështruar Allahu.)

Prandaj Nuhu – paqja qoftë mbi të – u tha atyre që hipën me të në anije: “Dhe tha hipni në të, me emrin e Allahut ndodh lundrimi i saj dhe qëndrimi (ankorimi) i saj” (Hud: 41)

Të Këto mjete që u hipim, shkaqet dhe plotësueset e tyre janë të gjitha prej begative të Allahut, Ai na i ka nënshtruar ato. Prandaj është detyrë për robërit që ta njohin mirësinë e Allahut në to, sidomos në çastin që i përdorin ato.

Dhe këtu përkujtohet gjendja që nuk do të arrihej sikur të mos ishte mirësia e Krijuesit. Kjo nxirret prej fjalës së tij: “dhe ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë”, sikur çështje të ishte në dorën tonë dhe mundësitë tona, ne do të ishim më të dobëtit në dituri, në fuqi dhe në vullnet, por Ai i Lartësuari na i nënshtroi kafshët[2], dhe i mësoi njeriut se si t’i ndërtojë automjetet e të gjitha llojeve. Siç na kujton Allahu lehtësimin e prodhimit të mburojave të luftës, kur thotë: “Dhe i mësuam prodhimin e veshjeve për ju, që t’iu mbrojnë nga dëmtimi i njëri-tjetrit, pra a nuk jeni falenderues?” (Enbija: 80)

Prandaj është detyrë për krijesat që ta falenderojnë Allahun, sepse Ai u mësoi prodhimin e veshjeve mbuluese për vendet e turpshme, veshjet ……… dhe veshjet e luftës, dhe mjetet për të. U mësoi prodhimin e anijeve detare, automjeteve tokësore dhe ajrore, dhe u mësoi prodhimin e çdo gjëje që u duhet dhe u bën dobi. Dhe zbriti hekurin në të cilin ka fuqi të madhe dhe dobi të shumta për njerëzit, por shumica e njerëzve janë të pavëmendshëm ndaj falënderimit të Allahut, madje janë kryeneçë dhe mendjemëdhenj kundrejt Allahut, dhe mburren me mendjemadhësi para njerëzve me këto mirësi të Allahut.

Dhe në këtë hadith ka përkujtim me udhëtimin fizik në këtë dynja, për udhëtimin kuptimor drejt akhiretit, dhe kjo prej fjalës së tij: “dhe ne tek Zoti ynë do të kthehemi”. Ashtu siç e filloi krijimin një herë, Ai do ta rikthejë atë për t’i shpërblyer ata që bënë të këqija sipas asaj që punuan, dhe t’i shpërblejë ata që vepruan vepra të mira me shpërblimin më të mirë.

Dhe fjala e tij: “O Allahu im! Ne të kërkojmë Ty në këtë udhëtimin tonë veprat e mira dhe devotshmërinë, dhe prej punëve ato që Ti i do.” i kërkon Allahut që udhëtimi i tij të pëshkruhet me këtë cilësi të ndershme, të përmbajë të gjitha veprat e devotshme që lidhen me të drejtën e Allahut dhe me të drejtat e njerëzve, dhe të përmbajë devotshmëri, e cila është: Ruajtja nga zemërimi i Allahut, duke u larguar nga të gjitha gjërat që Allahu i urren, prej fjalëve apo veprave, të dukshme apo të fshehta. Ashtu siç i kërkoi edhe kryerjen e veprave që Allahu i do.

Dhe kjo përfshin të gjitha adhurimet dhe gjërat që të afrojnë tek Allahu. Nëse udhëtimi është i tillë, atëherë ai është udhëtim i suksesshëm, dhe i begatë. Dhe në udhëtimet e Profetit saus realizoheshin këto synime fisnike.

Pastaj i kërkoi ndihmë dhe lehtësim të vështirësive të udhëtimit duke thënë: “O Allahu ynë! Na e lehtëso këtë udhëtimin tonë dhe na shkurto largësinë e tij!” sepse udhëtimi është një copë dënim (sh.p.: është i vështirë dhe i mundimshëm), prandaj i kërkoi lehtësimin e tij, dhe shkurtimin e distancës së tij (që të mos ndihet), dhe kjo duke lehtësuar vështirësitë dhe sikletin, dhe duke vendosur bereqet në udhëtim, ashtu që të kalojë distanca të mëdha pa mundim të madh. Dhe t’i lehtësojë shkaqet e shumta që ja bëjnë të rehatshëm udhëtimin siç janë: rehatia e zemrës, shokët e përshtatshëm, dhe lehtësimi i udhëtimit, dhe sigurinë e rrugës prej frikërave, etj shkaqe si këto.

Sa prej udhëtimeve zgjasin me ditë të tëra, por megjithatë Allahu e bën atë të lehtë për njerëzit, e sa prej udhëtimeve të shkurtra bëhen më të vështira se çdo gjë tjetër, dhe kjo nuk ndodh veçse për shkak të lehtësimit nga Allahu, butësisë së dhe ndihmës së Tij.

Po ashtu ka njohje të mirësisë së Tij në fund, siç e njohu mirësinë e Tij në fillim tek fjala e tij: “Ndaj Zotit tonë falënderues” Sepse siç është detyrë për robin që ta falënderojë Allahun për suksesin që i dha në kryerjen e këtij adhurimi dhe nisjes së nevojës së tij, po ashtu duhet që ai ta falënderojë Allahun për plotësimin dhe përmbushjen e saj në përfundimin e saj, sepse mirësia është e Tija dhe dhurimi është prej Tij dhe shkaqet i lehtësoi Ai. Dhe Allahu është dhuruesi i mirësive të mëdha!

Përktheu Emin Bilali

[1] Muslimi në Kapitulli i haxhit/ Tema: Çfarë thotë kur i hipën kafshës për rrugëtimin për në haxh apo për destinacione të tjera. (1342).

[2] Sh.p.: Që janë shumë më të fuqishme se njeriu, dhe kështu e shikon kalin e madh dhe të fuqishëm, apo devenë – që është shumë e madhe në krahasim me njeriun -, se si e tërheq një fëmijë i vogël, apo i hipën dhe e drejton ku të dëshirojë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here