A ekziston ndonjë shprehje e veçantë për ngushëllim?
Falenderojmë Allahun, paqja dhe nderimet e Tij qofshin për Muhamedin (alejhi salatu ues selam), familjen, shokët dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij.
Para së gjithash, duhet të dimë se ngushëllimi është nxitje për durim dhe i drejtohet atij që e ka goditur një fatkeqësi. Ngushëllimi në origjinë nuk ka shprehje të veçanta por më e mira është të përmenden fjalët që i ka praktikuar i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) kur ka ngushëlluar të tjerët.
Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Për ngushëllimin, nuk ka shprehje të kufizuara.” [El Um 1/317].
Ibn Kudame (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Për ngushëllimin, nuk dimë të ketë shprehje të veçanta.” [El Mugni 2/212].
Ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ngushëllimi nuk ka shprehje të veçanta, prandaj Muslimani mund ta ngushëllojë vëllaun e tij me ato shprehje të përshtatshme që i vijnë më lehtë, si psh: Allahu të dhëntë mirësi, e lehtësoftë fatkeqësinë tënde dhe e faltë të vdekurin tuaj (nëse i vekuri ishte Musliman)”. [Mexhmu Fetaua ibn Baz 13/380].
Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: I ngushëllon me ato fjalë që mendon se ua lehtëson pikëllimin dhe ua ndalon mërzinë dhe i nxit që të kënaqen me caktimin e Allahut dhe fjalë që i shtojnë durimin, prej fjalëve që saktësohen ti ketë praktikuar i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) nëse i di dhe i kujtohen. Përndryshe mund të përdorë fjalë të mira që e realizojnë qëllimin dhe nuk kundërshtojnë legjislacionin. [Dispozitat e xhenazes 1/163].
Më e mirë është që të ngushëllohet me shprehjet që janë transmetuar nga i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) i cili e ka ngushëlluar vajzën e tij duke i thënë: E Allahut është ajo që e ka marrë (shpirti i njeriut) dhe përsëri e Tij është ajo që ka dhënë. Cdo gjë tek Ai është me afat të caktuar, prandaj bëj durim dhe prit shpërblim. [Muslimi].
Në librin “El Xheuhertu en Nejirah 1/110” thuhet: Shprehja e ngushëllimit: “Allahu e shtoftë shpërblimin tuaj (për këtë fatkeqësi), e faltë të vdekurin tuaj dhe u dhëntë durimin dhe i shtoftë me anë të tij shpërblimet.” Më mirë se këto fjalë (që u thanë më lart) do të ishin fjalët e Profetit (alejhi selam) kur ka ngushëlluar njërën prej vajzave të tij të cilës i kishte vdekur një djalë duke i thënë: E Allahut është ajo që e ka marrë (shpirti i njeriut) dhe përsëri e Tij është ajo që ka dhënë. Cdo gjë tek Ai është me afat të caktuar.
Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kjo formë ngushëllimi edhe pse është transmetuar që ti thuhet atij që prêt ti vdesë dikush, duhet ditur se përdorimi i saj për të ngushëlluar familjarët e dikujt që ka vdekur, është më primare. Për këtë arsye imam Neveviu në librin e tij “el Edhkaru” ka thënë: Ky hadith (me këto fjalë), është më i miri me të cilin njeriu mund të ngushëllojë të tjerët. [Dispozitat e xhenazes 1/164].
Ibn Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: Më e mira me të cilën mund të ngushëllosh prej fjalëve, është ngushëllimi që ka praktikuar i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ues selam) me vajzën e tij dhe më pas përmendi hadithin e mësipërm.
Më pas shejhu thotë: Ajo që njihet mes njerëzve në ngushëllimet e tyre që thonë: “Allahu e shtoftë shpërblimin tuaj (për këtë fatkeqësi), e faltë të vdekurin tuaj dhe u dhëntë durimin dhe i shtoftë me anë të tij shpërblimet.” Janë fjalë që i kanë përzgjedhur disa dijetarë e mgjth ajo që transmetohet në hadith, është më pasore dhe më e mirë që të praktikohet. [Mexhmu el fetaua 17/339].
Përshtati Fatjon Isufi