Lumturia e sahabëve me Pejgamberin [s.a.v.s.]

0
484

Muhammedi [s.a.v.s.] erdhi tek njerëzit me thirrjen e Allahut Fuqiplotë. Thirrja e tij nuk ishte e as nuk përmbante fjalë të njerëzve të kësaj bote, por thirrje e Krijuesit të gjithësisë që gjallëron zemrat e njerëzisë. Pejgamberi [s.a.v.s.] nuk priste t’i jepet ndonjë pasuri e kësaj bote, e as që kishte kopshte të frytshme të ushqehet prej tyre, as që banoi në pallate të larta e të bukura, por megjithkëtë të gjithë e prisnin të lidhnin besën me të. Në atë egërsi jetësore nga të gjitha aspektet, në vuajtjet e vështirësitë më të rënda, kur ishin të dobët në tokë dhe frikoheshin nga vërsuljet e njerëzve përreth, pasuesit e tij e deshtën e i dhanë tërë dashurinë. Jeta e tyre qe e shtrydhur dhe e shtypur prej mizorëve injorantë dhe prej zemërgurëve. Të afërmit i luftuan dhe i dëbuan nga votra, i dënuan me lloj-lloj dënimesh, por kjo përsëri
s’ua pakësoi dashurinë që mbanin në kraharorë për Profetin [s.a.v.s.], por ua zmadhoi e ua rriti atë. Disa prej tyre i shtypnin mbi rërën e zjarrtë të shkretëtirës me ditë të tëra, të tjerët i burgosnin duke i rrahur dhe masakruar lakuriq, e disa i detyruan të braktisin Islamin dhe të kthehen në pabesim, por prapë së prapë ata e deshën dhe ia dhanë tërë dashurinë. Sahabët i dëbuan nga vendlindjet, ua torturuan familjet, ua prishën banesat, ua fshinë buzëqeshjen nga fytyrat rinore, por në zemrat e tyre dashuria për Muhammedin [s.a.v.s.] qëndronte parësore. U sprovuan besimtarët dhe u tronditën me dridhje shumë të forta, zemrat iu ngjitën në fyt, por megjithatë e deshën Muhammedin [s.a.v.s.] me një dashuri të sinqertë. Jobesimtarët u rreshtuan për të gjuajtur në trupat e njomë të shokëve të tij, shpatat e mprehta u qëndronin mbi koka, por besimi i vulosur u jepte qëndresë, ua hiqte trishtimin syve të patrembur dhe shpatat e gatshme mbi qafa i shihnin si hijet e degëve të pemës së rënduar me fryte të freskëta. Ishin të gatshëm për luftë, i vinin vdekjes si të ishin në shëtitje, apo si të ishin në natën e festës, ngase ata e deshën plot dashuri. Ndonjë prej tyre dërgohej për mision të thirrjes islame dhe edhe duke e ditur se pas tij nuk kthehej më në këtë botë, merrte rrugën plot kënaqësi.
Dikush dërgohej për diçka tjetër dhe e dinte se ajo ishte fundi i tij, por prapë shkonte me dëshirë. Ata e bënin këtë ngase e deshën të Dërguarin [s.a.v.s.] sinqerisht. Pse vallë?! Pse e deshën Pejgamberin [s.a.v.s.] dhe u gëzuan a q shumë me thirrjen e tij; u qetësuan me programin e tij, përgëzuan ardhjen e tij, harruan çdo dhimbje, vuajtje, e vështirësi për ta pasuar? Ata te Muhammedi [s.a.v.s.] shihnin çdo gjë që përmbante dobinë dhe lumturinë, vërenin shenjat e bamirësisë dhe drejtësisë. Ishte i Dërguari i Allahut [s.a.v.s.] ai që mbeti shembullor për mbarë njerëzimin deri në Ditën e Gjykimit, ua freskoi zemrat me përkëdheljet e tija të ngrohta shokëve që u gufonte vala në gjokse. Me fjalët e tij ua mbushi zbraztirën shpirtërore, se ishin fjalë që përmbanin shpallje. Derdhi mbi zemrat e tyre pajtimin, ndaj s’i përfillën dhimbjet përballë rrugës së thirrjes së tij. Muhammedi [s.a.v.s.] ua mbushi sahabëve shpirtërat me bindje që i bëri të harronin plagët, turbullirat dhe terrin. Shkëlqyen ndërgjegjet e tyre me udhëzimin e tij, dhe u ndriçuan pamjet e tyre me dritën e tij. Ai ua flaku nga krahët injorancën, ua hoqi nga shpinat mëkatet e mosbesimit, largoi nga qafat e tyre prangat e hekurta të devijimit dhe shirkut. Ai shuajti nga shpirtërat e tyre zjarrin e inatit dhe të armiqësisë, e derdhi mbi ndjenjat e tyre ujin bindës, kështu u qetësuan shpirtërat dhe u stabilizuan trupat e tyre.
Sahabët kuptimin e jetës e gjetën me të Dërguarin [s.a.v.s.]; afërsia e tij i bënte të lumtur, sigurinë e gjetën duke pasuar rrugën e tij, shpëtimin e gjetën në zbatimin e urdhërave të tij, dhe pasurinë në imitimin e tij.
“E Ne s’të dërguam ty (Muhammed) veçse si mëshirë për të gjithë krijesat” (Kur’an 21:107)
“Në të vërtetë edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë” (Kur’an 42:52)
“I nxjerr ata prej errësirave në dritë”
(Kur’an 2:257).
“Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t’ju lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheri’atin, ndonëse më parë ishin në humbje të dukshme” (Kur’an 62:2)
“dhe heq nga ata barrën e tyre të rëndë dhe prangat që ishin mbi ta” (Kur’an 7:157);
“Madje ishit në buzë të greminës së Xhehenemit, e Ai ju shpëtoi prej tij” (Kur’an 3:103).
Me të vërtetë, shokët e tij qenë të lumtur e në gëzim të pafund me prijësin dhe udhëheqësin e tyre – Muhammedin [s.a.v.s.], dhe kishin të drejtë të jenë të lumtur e të kënaqur. O Zoti ynë, bekimet dhe përshëndetjet qofshin mbi çliruesin e tmerreve nga Prangat e devijimit, zgjuesin e shpirtërave nga mjetet e humbjeve ’ dhe i kënaqur qofsh nga shokët e tij fisnikë, shpërbleji për atë që sakrifikuan dhe për atë që ofruan.