Home Të tjera Zgjodhem per ju Lindja dhe fëmijëria e Profetit (alejhi selam)

Lindja dhe fëmijëria e Profetit (alejhi selam)

Lindja dhe fëmijëria e Profetit (alejhi selam)

Takimi  i kësaj dite – në dashtë Allahu – do të jetë rreth një teme të re nga historia e Profetit (alejhi selam) dhe do të trajtojë nëntemat që vijojnë:

Nëntema e parë: Lindja dhe fëmijëria e Profetit (alejhi selam).

Nëntema e dytë: I dërguari ynë, udhëton drejt vendeve të Shamit në mision tregtie.

Nëntema e tretë: Allahu i Madhëruar e ruajti të dërguarin e Tij në rini, prej ndytësisë së injorancës.

Nëntema e katërt: Mësime, këshilla dhe dobi.

Nëntema e parë: Lindja dhe fëmijëria e Profetit (alejhi selam).

Ai lindi jetim, ditën e Hënë të muajit Rabijul Euel, në vitin e elefantit. Mëndesha e parë e tij ishte Thuejbe, robëresha e xhaxhait të tij Ebu Lehebit. [E përcjell Buhariu me nr 5101, Muslimi me nr 1449. Për më shumë shih Sahih es Sira të Shejh Albanit fq 15].

Pas saj u ushqye me gji  në fisin Beni Sead bin Bekr. Prej zakoneve të arabëve ishte që të gjenin mëndesha për të sapolindurit e tyre në shkretëtira, sepse kjo ishte më e shëndetshme për fëmijët e tyre.

Disa gra të fisit Beni Sead bin Bekr erdhën të kërkonin fëmijë për tajisje. Profeti (alejhi selam) i takoi Halime es-Seadije. Atje në shkretëtirën e Beni Sead bin Bekr atij i ndodhi çarja e kraharorit.

Ejani të dëgjojmë të dërguarin e Allahut i cili na tregon rreth kësaj ndodhie.

Një grup prej sahabëve erdhën tek i dërguari i Allahut, dhe i thanë: O i dërguar i Allahut! Na trego rreth vetes tënde. Tha: Po. Unë vij si rezultat i lutjes së babait tim Ibrahimit, jam përgëzimi i Isait. Ndërsa nëna ime kur më mbarti në bark (dhe më lindi) vuri re se prej saj doli një dritë e cila ndriçoi kështjellat e Shamit. U ushqeva me gji në fisin Beni Sead bin Bekr.

Teksa po qëndroja me vëllain tim (prej qumështi) pas shtëpive tona, duke ruajtur bagëtitë, më erdhën dy burra të veshur me rroba të bardha. Ata kishin një enë prej floriri të mbushur me akull. Më morën dhe më hapën kraharorin, mandej e nxorën zemrën dhe e çanë atë. Prej saj nxorën dicka të zezë dhe e hodhën. Pastaj e lanë zemrën dhe kraharorin tim me këtë akull derisa e pastruan në mënyrën më të mirë. Pas kësaj njëri prej tyre i tha shokut të vet: Peshoje atë më dhjetë prej popullit të tij. Më peshoi me ta dhe unë peshova më rëndë. Mandej tha: Peshoje atë me njëqind prej popullit të tij. Më peshoi me ta dhe unë peshova më rëndë. Tha: Peshoje me një mijë prej popullit të tij. Më peshoi me ta por unë peshova më rëndë. Tha: Lëre atë, se pasha Allahun edhe nëse e peshon me gjithë popullin e tij, ai do të peshojë më rëndë. [Sahih Es Sira, Albani fq 16].

Transmetohet nga Enes bin Malik: Profetit (alejhi selam) i erdhi Xhibrili ndërsa ai po luante me dy djelmosha. Ai e mori dhe Profetit i ra të fikët. E çau vendin tek zemra e tij, e nxorri zemrën dhe prej saj nxori një pjesë të zezë, dhe tha: Kjo është hisja (pjesa) e shejtanit. Pastaj e lau atë me ujë zemzemi në një enë prej floriri, e qepi dhe e ktheu në vendin e saj. Djelmoshat erdhën duke vrapuar tek nëna e tij – mëndesha -, dhe i thanë: Muhamedin e vranë. Kur e panë, ai ishte zbehur në fytyrë.

Enesi thotë: Ndërkaq, unë i shikoja shenjat e qepjes në kraharorin e tij. [Sahih Es Sira, Albani fq 18].

Pas kësaj ndodhie mëndesha u tremb për shëndetin e tij ndaj e ktheu tek e ëma.

Jetoi tek nëna e tij ndërsa ditët dhe vitet  kalonin. E ëma e mori dhe shkoi me të në Medine për të vizituar dajallarët e babait të tij, të fisit Beni Adij bin Nexhar. Kur e mori rrugën e kthimit, asaj i erdhi vdekja. Vdiq në El Ebue – fshat ndërmjet Mekes dhe Medines – dhe aty u varros. Profeti (alejhi selam)  i cili lindi jetim dhe nuk e pa babain, tashmë kishte humbur edhe nënën e tij. Mandej u kthye tek gjyshi i tij Abdul Mutalibi, i cili e mori në kujdestari dhe pati dhembshuri për të aq sa nuk mbahej mend ta kishte pasur tek fëmijët  e tij.

Vitet kaluan dhe Abdul Mutalibi ndërroi jetë, ndërsa profeti ishte vetem tetë vjeç. Pas kësaj e mori nën kujdestari xhaxhai i tij Ebu Talibi i cili ishte shumë i dhembshur me të. Ebu Talibi ishte nevojtar  dhe për këtë arsye profeti filloi të ruante bagëtitë e tij me qëllim që ta ndihmonte. Profeti (alejhi selam) ka thënë: Sa herë që Allahu ka dërguar një profet, ai ka qenë bari. Shokët i thanë; A edhe ti o i dërguar i Allahut? Po, tha ai. Unë i ruaja ato për disa monedha që u merja banorëve të Mekes. [E përcjell Buhariu].

Gjithashtu  Profeti (alejhi selam) është pyetur; A i ruaje delet? Po, u përgjigj ai. Çdo profet ka qenë bari. [E përcjell Buhariu me nr 3406].

Më vonë profeti (alejhi selam) u mor me tregti.

“Subulus Selam fi Sirati Hajril Enam”

Ebu Islam Salih Taha (Allahu e mëshiroftë)

Përktheu: Aisha Gjoni

Previous articleZbardhni dhëmbët dhe hiqni gurrëzat në kushte shtëpie
Next articleMikrovala ul sasinë e vitaminave të ushqimeve tona