Autori: Ammar Sulejman
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi zotërinë e të Dërguarve dhe prijësin e të devotshmëve, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të nderuar e të bereqetshëm.
Qenia njerëzore dallohet me disa cilësi me të cilat Allahu i Madhëruar ia ka dhënë, me anë të të cilave i ka dhënë përparësi ndaj krijesave të tjera.
Ai i ka dhënë qenies njerëzore një peshore me anë të së cilës kujdeset që të mos largohet nga rruga e saktë dhe e udhëzon për në udhën e drejtë.
Të zhytesh në thellësitë e shpirtit njerëzor, të nxjerrësh sekretet, misteret dhe krijimtarinë e tij është ndër çështjet e domosdoshme për të dalluar qenien njerëzore dhe ngritjen e saj në pozitën që e bën të aftë të sundojë në Tokë.
Kur’ani dhe Sunneti i Pejgamberit tonë sal-lAllahu alejhi ve sel-lem janë të mbushur me thesare të cilat ndihmojnë në ngritjen e pozitës së shpirtit dhe unifikimin e tij si shpirt musliman, i cili ka cilësitë e tij me anë të të cilave Allahu i Madhëruar i ka dhënë përparësi me dijen dhe tolerimin e Tij.
Le të nisim një udhëtim të shkurtër i cili na tregon për cilësitë e qenies njerëzore dhe lidhjen e saj me Kur’anin e Madhëruar dhe Sunnetin e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
Le të nxjerrim në këtë udhëtim perlat dhe thesaret dhe të marrim pjesë në pasurimin e artikujve psikologjikë, në lidhjen e tyre me bazat dhe origjinën e tyre.
Duke u mbështetur në atë që përmendëm më parë, do vëmë mekanizmat psikologjikë në peshoren e Kur’anit dhe tekstit të haditheve, me qëllim që ta kenë origjinën e njëjtë e të plotësohet pjesa tjetër.
Ja disa pika qe veçojnë Kur’anin në aspektin e përkujdesjes dhe interesimit si dhe çfar paraqet ai për ilaçin e shpirtit njerëzor:
1-Lidhja e fortë me Allahun
2- Kontrolli i emocioneve
3-Durimi ndaj fatkeqësive
4-Të mësuarit me përballimin e realitetit
5-Optimizmi dhe largimi nga pesimizmi
6-Pajtueshmëria e muslimanit me qenien e tij
7-Pajtueshmëria e muslimanit me të tjerët/
Tani do ta shpjegojmë secilën pikë më vete.
1-Lidhja e fortë me Allahun
Kjo është baza në formimin e muslimanit në periudhat e para të moshës së tij, me qëllim që jeta e tij të jetë larg halleve dhe problemeve psikologjike dhe t’i forcohet lidhja me Allahun duke zbatuar amanetin që i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i dha Abdullah ibn Abbasit radijAllahu anhuma:
“O djalosh! Do të të mësoj disa fjalë! Ruaje Allahun (kufijtë e Tij- sh.p.), e Ai do të të ruajë ty! Ruaje Allahun e do ta gjesh para teje! Kur të lutesh, lutju Allahut, e kur të kërkosh ndihmë kërko prej Allahut! Dije se nëse i gjithë populli do të mblidhej për të të bërë dobi rreth diçkaje, nuk do të mundnin të të bënin dobi vetëm se atë çka ka shkruar Allahu për ty! E nëse do të mblidheshin për të të bërë dëm në lidhje me diçka, nuk do të të bënin dëm vetëm se atë çka ka shkruar Allahu ndaj teje. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletët (pra, nuk mund të ndryshohet ajo që është caktuar- sh.p.).”
Hadithin e transmeton Tirmidhiu dhe ka thënë se është hadith hasen (i mirë), sahih (autentik, i saktë).
Në një transmetim tjetër përveç atij të Tirmidhiut gjendet shtesa:
“Ruaje Allahun e do ta gjesh para teje. Njihe Allahun në rehati, do të të njohë ty në vështirësi. Dije se ajo që nuk të ka ndodhur nuk ka patur mundësi të të ndodhë, e se ajo çfarë të ka ndodhur nuk ka patur mundësi të mos të të ndodhë. Dije se fitorja arrihet me durim, suksesi me shpëtim, dhe se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi.”
2- Kontrolli i emocioneve
Besimi në Allahun e Madhëruar përhap qetësi dhe kontroll në zemër. Ai e ruan muslimanin nga shkaqet e mërzisë, frikës dhe halleve.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër.” (Ibrahim: 27)
Gjithashtu ka thënë:
“Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen.” (Bekare: 38)
Si dhe:
“Është Ai, që zbriti qetësi në zemrat e besimtarëve, për t’ua forcuar besimin, krahas besimit që patën.” (El-Fet’h: 4)
3-Durimi ndaj fatkeqësive
Islami e edukon besimtarin me shpirtin e durimit në fatkeqësi, ndërkohë që përkujton fjalën e Allahut të Madhëruar:
“…e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.” (Bekare: 177) dhe fjalën e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem:
“Çështja e besimtarit është e habitshme. E gjitha është hair (e mirë). E kjo i ndodh vetëm atij. Nëse e gjen ndonjë e mirë, e falënderon Allahun dhe kjo është e mirë për të. E nëse e gjen ndonjë e keqe, atëherë duron dhe kjo është e mirë për të.”
4- Të mësuarit me përballimin e realitetit
Ky është ndër shkaqet kryesore që e ruajnë njeriun nga hallet dhe preokupimet, ndërkohë që mediton për fjalën e Allahut të Madhëruar:
“Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (Bekare: 216)
5- Optimizmi dhe largimi nga pesimizmi
Besimtari është gjithmonë optimist, pesimizmi nuk ka vend asnjëherë tek ai. Allahu i Madhëruar thotë:
“Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve.” (Jusuf: 87)
Allahu i Madhëruar i qetëson besimtarët sepse ai është gjithmonë me ta kur e lusin Atë (me dijen e Tij, jo me qenien e Tij, sh.p.). Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (Bekare: 86)
Ky është kulmi i qetësisë shpirtërore për njeriun.
6- Pajtueshmëria e muslimanit me qenien e tij
Islami është i vetmi besim që e bëri moshën e pubertetit fillim të moshës së përgjegjësisë. Kjo moshë është më e hershme sesa mosha sociale madhore që kanë vendosur sistemet bashkëkohore. Në këtë moshë muslimani fillon veprimtarinë e jetës së tij ndërkohë që mbart në vetvete baza të mjaftueshme psikologjike të shëndosha, të cilat i bëjnë atij të mundur të kontrollojë instinktet e tij. Ato e bëjnë atë të aftë të jetë shumë i kënaqur me veten e vet si rrjedhojë e besimit dhe edukimit të shëndoshë fetar, i cili e zgjon ndërgjegjen e tij dhe e forcon lidhjen e tij me Allahun.
7- Pajtueshmëria e muslimanit me të tjerët
Të jetuarit në mesin e muslimanëve është një jetesë e bazuar te ndihma për veprat e mira dhe bamirësinë. Falja është rruga e cila rrit dashurinë në mesin e tyre dhe largon urrejtjen. Frenimi i zemërimit dhe falja e njerëzve është shenjë devotshmërie ndaj Allahut të Madhëruar dhe e ruajtjes së ekuilibrit psikologjik.
“Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë. Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” (Fusilet: 34-35)
Së fundmi, duhet t’i kushtohet rëndësi shpirtit njerëzor nga një pikëpamje e veçantë fetare, me pikëpamjen e Kur’anit, ngase veçoria e Kur’anit dhe dallimi i tij nga librat e tjerë është se të shpien drejt përkushtimit dhe kujdesit ndaj shpirtit të njeriut, që shpirti ta marrë dallimin dhe veçorinë e tij nga Kur’ani Fisnik dhe burimet e tij, në këtë mënyrë shpirti do të udhëheqë në bazë të mësimeve të drejta kur’anore. Kur’ani është libri më madhështor, nuk ka libër tjetër që është krahasuar me të gjatë kohës kur ka zbritur e deri më tani dhe nuk do të ketë as më vonë. Muslimani pra e ka për detyrë që të jetë i veçantë ashtu siç është Kur’ani dhe legjislacioni i Tij.
Përshtati: Ardit Ulqinaku
Riad (Arabi Saudite)