“Ehli Sunneti dëshmojnë se besimtarët do ta shikojnë me sy Zotin e tyre të Lartësuar në Ditën e Gjykimit. Ata do të shikojnë në Të ashtu siç është transmetuar lajmi autentik nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, në thënien e tij të bekuar: “Vërtet ju do ta shikoni Zotin tuaj ashtu siç e shikoni Hënën (e plotë) në natën e pesëmbëdhjetë”. Përngjasimi në këtë informacion pejgamberik u shfaq për shikimin me shikim dhe assesi për pamjen me pamje. Lajmet e treguara në lidhje me shikimin e Allahut janë të cituara në librin “El Intisar” me të gjitha rrugët e transmetimit.”
Komentimi
Rregulli bazë tek Ehli Sunneti është se besojnë në Allahun e Madhëruar, në emrat dhe cilësitë e Tij subhanehu ve teala, në aspektin që i takon Atij. Ata besojnë në çdo gjë që është pohuar e vërtetuar në Kur’an dhe Sunnet. Çdo gjë që është treguar në Kur’an dhe është pohuar saktë në Sunnetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve selem e besojnë sipas këndvështrimit që i takon Allahut të Lartësuar, duke mos i ndryshuar e as shëmbëlluar, pa u bërë përngjasim e as duke i mohuar. Bindjet në të cilat besojnë Ehli Sunneti dhe në të cilat i kundërshtojnë pasuesit e devijimit janë të njohura, por ky libër ka ekspozuar shumë prej tyre.
Prej bindjeve me të cilat dallohet Ehli Sunneti nga pasuesit e devijimit është se ata besojnë që Allahu do të shihet në Ditën e Kiametit dhe se do ta shohin robërit e Tij besimtarë në xhennet. Para këtij shikimi do të shikohet vendi i tubimit në Ditën e Gjykimit, ndërsa shikimi me të cilin janë veçuar besimtarët është shikimi i Allahut në xhennet. Disa hadithe sinjalizojnë apo argumentojnë se në tubimin e Ditës së Kiametit besimtarëve do t’u bashkëngjiten edhe të tjerë në shikimin e Allahut. Hipokritët hyjnë në këtë çështje, mirëpo ky shikim nuk u sjell dobi. Pra, Allahu i Lartësuar shfaq Këmbën e Tij dhe besimtarët përulen në sexhde për Allahun, ndërsa hipokritët nuk mund ta bëjnë këtë përulje. Ata sa herë dëshirojnë të bëjnë sexhde nuk munden, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ditën e Kiametit kur të zbulohet Këmba e të thirren për të bërë sexhde, e ata (hipokritët) nuk munden ta bëjnë.” (El Kalem: 42). E pastaj besimtarët do ta shikojnë Allahun në xhennet.
Autori thotë: Ehli Sunneti dëshmojnë se besimtarët do ta shikojnë me sy Zotin e tyre të Lartësuar në Ditën e Gjykimit.
Argumentet në lidhje me këtë çështje janë të shumta dhe në gradën e mutevatirit[1], domethënë arrijnë kufirin e mutevatirit, pra që transmetohen prej tridhjetë shokëve të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve selem. Ky është argumentimi me Sunnet, por sa i përket argumentimit me Kur’an, në të ka ajete që tregojnë për këtë mesele, si:
a) Thënia e Allahut të Lartësuar: “Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë. Duke shikuar Zotin e tyre.” (El Kijame: 22,23). Ajeti “Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë”do të thotë të shkëlqyera, të mira e të bukura prej gjurmëve të dhuntive me të cilat i ka begatuar Allahu ata në xhennet. “Duke shikuar Zotin e tyre” ka kuptimin shikim me sy. Ata e shikojnë me sy Allahun dhe e shohin Atë në xhennetet e begata.
b) Thënia e Allahut të Madhëruar: “Me të vërtetë, punëdrejtët do të gjenden në xhennet, duke shikuar nga divanet.” (El Mutaffifin: 22-23). Ata do të shikojnë Zotin e tyre duke qenë në xhennet mbi divane. Divanet janë shtretër, e nën to janë zonjat, për dallim nga jobesimtarët, për të cilët Allahu në të njëjtën sure flet për atë që merituan ata: “Nuk është ashtu! Në të vërtetë, atë ditë një vel do t’i pengojë ata që të shohin Zotin e tyre,” (El Mutaffifin: 15). Kjo ishte sa u përket cilësive të jobesimtarëve, e sa i përket cilësive të besimtarëve në të njëjtën sure Allahu thotë: “Me të vërtetë, punëdrejtët do të gjenden në xhennet, duke shikuar nga divanet.” Madje e ka përforcuar këtë shikim edhe një herë në të njëjtën sure.
c) Nga argumentet që faktojnë për realizimin e këtij shikimi për besimtarët nga ajo që përmendëm prej këtyre dy ajeteve është gjithashtu edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Ata të cilët bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër!” (Junus: 26). El Husna ose e miraka për qëllim xhennetin, ndërsa ez zijadeh– më tepërka për qëllim shikimin në Fytyrën e Allahut të Lavdëruar. Imam Muslimi ka transmetuar prej hadithit të Suhejbit radijAllahu anhu se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të hyjnë banorët e xhennetit në xhejnet, u thotë Allahu i Lartësuar: “Dëshironi t’ju dhuroj ndonjë gjë më shumë?” Ata do të thonë: “A nuk na i zbardhe fytyrat tona? A nuk na fute në xhennet dhe na shpëtove prej zjarrit?” Tha (Pejgamberi): “Ngrihet perdja e ata do të shikojnë në Fytyrën e Allahut. Atyre nuk u është dhuruar diçka më e dashur sesa shikimi në Zotin e tyre, e pastaj lexoi “Ata të cilët bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër[2]
Ky është komentim prej Pejgamberit alejhi selatu ve sel-lem në lidhje me fjalën ez-zijadeh-edhe më tepër. Ai sal-lAllahu alejhi ve sel-lem përmendi në këtë hadith se xhennetlinjtë pasi Allahu t’i futë në xhennet, u thotë atyre: “Dëshironi t’ju dhuroj ndonjë gjë më shumë?” Ata do të thonë: “A nuk na i zbardhe fytyrat tona? A nuk na fute në xhennet dhe na shpëtove prej zjarrit?” E gjithë kjo është fitore dhe triumf madhështor. Sa i përket ndriçimit, zbardhjes së fytyrës, kjo është sinjal për thënien e Allahut të Lartësuar: “…Ditën (e Kiametit) kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen.” (Alu Imran: 106). Zbardhen fytyrat e besimtarëve dhe nxihen fytyrat e jobesimtarëve dhe të hipokritëve. Kjo është e njëjtë me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Atë ditë do të ketë fytyra rrëzëllore, të buzëqeshura e të gëzuara. Atë ditë do të ketë (edhe) fytyra të pluhurosura, që do t’i mbulojë errësira. Këta janë jobesimtarët, gjunahqarët.” (Abese: 38-42)
Prej dhuntive më madhështore që Allahu u dhuron robërve të Tij besimtarë në xhennet dhe mirësia më bujare është nderimi i tyre me shikimin e Allahut të Madhëruar. Ata nuk do të shohin begati më të çmuar e më me vlerë sesa shikimi i Zotit të tyre të lartësuar. Xhenneti dhe çfarë gjendet në të, si hyritë, pallatet dhe lumenjtë, janë begati të pakta para arritjes së dhuntisë së shikimit të Allahut të Madhëruar.
Prej argumenteve në lidhje me këtë çështje është gjithashtu edhe pyetja e sahabëve ridvanullahi alejhim ndaj të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “A do ta shikojmë Zotin tonë në Ditën e Kiametit?” Pejgamberi u tha: “A keni vështirësi të shikoni diellin kur nuk ka re?” Thanë: “Jo, o i Dërguari i Allahut.” U tha: “A keni vështirësi të shikoni hënën e plotë në natën e pesëmbëdhjetë kur nuk ka re?” Thanë: “Jo, o i Dërguari i Allahut.” U tha: “Po ashtu dhe me të vërtetë ju do ta shikoni Allahun në Ditën e Kiametit.”[3] Ky përngjasim është mes shikimit me shikim dhe jo mes pamjes me pamje që shikojnë, ashtu siç e citoi autori në këtë. Prandaj i Dërguari alejhis-salatu ve selem ua vërteton duke ua përforcuar se Allahu do të shikohet realisht, me pamje të vërtetë ashtu siç nuk dyshojmë dhe nuk kemi pengesa në shikimin e diellit dhe të hënës së plotë kur nuk ka re, ashtu do ta shikojmë Allahun e Madhëruar.
Ashtu siç e theksuam, është përngjasim mes shikimit me shikim dhe ky shembull i sjellë prej të Dërguarit alejhis-salatu ve sel-lem është vërtetim përforcues për pohimin se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre. Ai sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u solli atyre shembullin me gjërat më të qarta për të mos mbetur asnjë dyshim për të cenuar besimtarët në çështjen e shikimit të Allahut të Lartësuar.
Në hadithin e Xheririt qëndron: “Ai shikoi hënën e plotë dhe tha: “Vërtet ju do ta shikoni Zotin tuaj ashtu siç shikoni këtë hënë, në shikimin e së cilës nuk keni pengesa.”[4] Hadithet në lidhje me këtë tematikë janë të shumta dhe arrijnë kufirin e mutevatirit. Prej tyre ishin hadithet që përmendëm, andaj ato janë të shumta dhe nuk i mohon vetëm se mohuesi, jobesimtari. Prandaj selefi[5] e kanë shpallur femohues e jobesimtar atë që ka mohuar shikimin e Allahut, ngase personi në fjalë ka mohuar gjërat skajshmërisht të vërtetuara (mutevatir) nga libri i Allahut dhe Sunneti i të Dërguarit të Allahut alejhis-salatu ve sel-lem.
Nga ata që kanë mohuar të shikuarit e Allahut të Lartësuar janë mu’tezilët dhe xhehmijët. Ata e kanë mohuar të shikuarit e Allahut të Madhëruar ngase ata shohin vetëm gjërat trupore (materiale) dhe nga domosdoshmëria në të shikuar është edhe pohimi i anës nga shikon. E nëse themi se Allahu është në këtë anë, e kemi përngjarë me krijesat e Tij! Kështu vazhdojnë këta me shfaqjen e mendimeve të tjera devijuese të shpikura prej tyre, por me të tilla ide e bindje kanë kundërshtuar tekstet e Kur’anit dhe Sunnetit. Prej argumenteve të tyre është thënia e Allahut të Lartësuar: “Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë.” (El En’Am: 103). Ky ajet është kundër tyre e në asnjë mënyrë pro tyre, ngase mohimi i arritjes nuk është mohim i shikimit. Kuptimi i arritjes është gjithëpërfshirja në shikim, që do të thotë se nuk arrijnë këto shikime që ta ngërthejnë Allahun. “Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë”, pra, nuk e arrijnë me shikim që ta ngërthejnë Atë. Në këtë jetë nuk e shikojnë Allahun, ndërsa në amshim e shikojnë të Lartësuarin Zot, mirëpo nuk e ngërthejnë me shikim, prandaj ashtu siç nuk mund ta ngërthejnë dijeninë e Tij gjithashtu nuk e ngërthejnë dot Zotin me shikim. Edhe pse mendjet e njohin dhe e dinë ekzistencën e Allahut, nuk e ngërthejnë dot me dije ashtu siç ka thënë i Lartësuari: “…kurse ata nuk mund ta ngërthejnë dijeninë e Allahut.” (Ta ha: 110). Andaj, po kështu besimtarët do ta shohin Zotin e tyre në xhennet, por nuk mund ta arrijnë Atë ngase “shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë”, d.m.th. “ata nuk mund ta ngërthejnë dijeninë e Allahut” dhe nuk mund ta ngërthejnë Atë as me shikim. Prandaj, ky ajet nuk është argument për mendimin e tyre.
Ata gjithashtu u argumentuan me fjalën e Allahut të Lartësuar në rastin e Musait, kur ai e pyeti Zotin e tij që të shikojë në Të. Allahu i Madhëruar tha: “Ti nuk mund të më shohësh! Por shiko në atë mal: nëse ai mbetët në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua”. (El A’raf: 143). Për këtë ajet thanë se Allahu nuk ia mundësoi Musait shikimin dhe tha: “Ti nuk mund të më shohësh!”
Kjo është nga dyshimet e tyre, ndërsa sa i përket ajetit në lidhje me të Ehli Sunneti thonë: Ky argument është kundër tyre, jo pro tyre, ngase Musai ishte më i dituri i njerëzve për Allahun apo njeriu me i dituri në kohën e tij për Allahun, Zotin e botëve. Si ka mundësi ta pyesë Zotin e tij për ta shikuar kur ajo gjë ishte e ndaluar dhe e pa imagjinueshme, e pamundur?! Ai pyeti sepse ishte i bindur se shikimi i Allahut ishte gjë e realizueshme dhe sikur të ishte i bindur se kjo gjë është e pamundur, nuk do të kërkonte nga Zoti i tij një gjë të tillë. Allahu i Madhëruar nuk tha se Unë nuk shihem dhe se nuk është e lejuar shikimi Im, por i Lartësuari tha “Ti nuk mund të më shohësh!”, domethënë në jetën e kësaj bote.
Ata (xhehmijët dhe mu’tezilët) thanë: “Len-Nuk”, shpreh kuptimin përjetësisht, asnjëherë. Ehli Sunneti u tha: Ju gënjyer ndaj gjuhës. Allahu i Madhëruar tha për atë që merituan çifutët në vdekje: “Por ata kurrsesi nuk e dëshirojnë vdekjen për shkak të të këqijave që kanë bërë!” (El Bekare: 95). Pastaj na informoi se ata në amshim e dëshirojnë vdekjen: “Ata do të thërrasin: O Malik![6] (Më mirë) Le të na vdesë Zoti yt!, ndërsa Ai do të thotë: Ju do të qëndroni përherë aty!” (Ez Zuhruf: 77). Ata kërkojnë, shpresojnë dhe dëshirojnë, mirëpo nuk u realizohet dëshira. Andaj mohimi me len-nuk nuk është me kuptim asnjëherë e përjetësisht. Mohimi me len në ketë tekst është mohimi i shikimit në jetën e kësaj bote, por jo në amshim, prandaj ajeti nuk duhet kuptuar e përdorur për të mohuar shikimin në përjetësi. Kështu pra, pasuesit e së kotës vijnë me dyshime, por në Kur’an dhe Sunnet gjendet ajo që i hedh poshtë dhe i zhvlerëson dyshimet e tyre.
Thënia e autorit: “…do ta shikojnë me sy Zotin e tyre të Lartësuar në Ditën e Gjykimit”, do të thotë se e shohin Allahun me sytë e tyre e jo me mendje, për dallim nga esharitë, të cilët thonë se ne besojmë në shikimin dhe në të njëjtin rast mohojnë anën nga Allahu i Lartësuar! U lëkundën dhe u ngatërruan në atë që deklaruan. Thanë se shikohet në të gjitha anët! Kjo thënie është e palogjikshme dhe është akidetul hulul[7]; që shikohet në çdo vend! Apo thonë se shikohet me mendje, që do të thotë se shikimi i Tij manifestohet, u shfaqet perceptimeve mendore! Esharitë çdo herë e kapin shkopin në mes, siç thuhet në drejtimin politik: pasojnë mu’tezilët dhe xhehmitë në shumë gjëra dhe në anën tjetër dëshirojnë të ruajnë pozicionin e tyre se janë Ehli Sunnet. Është për të ardhur shumë keq.
Autori thotë: “Ata do të shikojnë në Të ashtu siç është transmetuar lajmi autentik nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në thënien e tij të bekuar: “Vërtet ju do ta shikoni Zotin tuaj ashtu siç e shikoni hënën (e plotë) në natën e pesëmbëdhjetë”. Përngjasimi në këtë informacion pejgamberik u shfaqë për shikimin me shikim dhe assesi për pamjen me pamje. Lajmet e treguara në lidhje me shikimin e Allahut janë të cituara në librin “El Intisar” me të gjitha rrugët e transmetimit.” Këtu autori nuk sinjalizon se hadithet në këtë tematik janë mutevatir. Kjo sikur ai ta ketë shkruar këtë libër duke qenë në rrugëtim dhe nuk e ka analizuar. Sido që të jetë, ai e ka shënuar këtë në librin të cilin e ka përmendur dhe nuk e ka cituar këtu se janë mutevatir! Në realitet janë mutevatirë.
Marrë nga libri “Sherh Akidetus Selefi as’habil hadith”, faqe 159-163, shkruar nga Hoxha i Islamit Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman Es Sabuni.
Komentoi dijetari i madh i nderuar Rebi ibën Hadi Umejr el Med’hali
Përktheu dhe përshtati: Adem Avdiu
Gjakovë (Kosovë)
____________________________________________________________________________________________
[1] Hafidh Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Darekutni i ka bashkuar rrugët e haditheve të transmetuara për shikimin e Allahut në ahiret duke shkuar në njëzet. Këtë e ka ndjekur Ibnul Kajjimi në librin “Hadil Ervah” dhe ka arritur në tridhjetë hadithe. Shumica prej tyre janë të mira. Darekutni e ka cituar senedin nga Jahja ibën Meini, që ka thënë: “Tek unë janë shtatëmbëdhjetë hadithe autentike që përmendin shikimin”. Shiko librin “Fet’hul Barij”, 13/480.
[2] “Sahihul Muslim” (181), në “Kitabul Iman”.
[3] Transmetojnë Buhariu (6573) dhe Muslimi (182) prej hadithit të Ebu Hurejrës radijAllahu anhu.
[4] Transmetojnë Buhariu (7434) dhe Muslimi (633).
[5] Të parët e devotshëm e dietarë të muslimanëve (sh.p).
[6] Një nga engjëjt mbikëqyrës të xhehnenemit (sqarimi i marrë nga përkthimi i prof. Hasan I. Nahit, sh.p.).
[7] Akide ka kuptimin besim, ndërsa hulul do të thotë që një gjë të unifikohet me tjetrën, andaj hululi shpreh se Allahu është manifestuar në robërit e Tij. Shiko për këtë “Et Tevdihatul Xhelijeh Ala Sherhil Akidetit Tahavije”, 1/117, nga prof. dr. Muhammed ibën Abdurrahman el Humejjis (sh.p.).