TREGIM INTERESANT NGA NJË VËLLA NË ZVICËRR

0
258

Kush i frikësohet Allahut, Allahu do t’i bëjë rrugëdalje:

E falënderoj Allahun, të Cilit i takon sundimi dhe falënderimi, Ai udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë dhe vetëm Atij i takon çdo gjë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Përshëndetjet qofshin mbi krijesën më të dashur të Tij, Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i cili i kumtoi fjalët e Zotit në formën më të mirë.

S’ka dyshim se rruga e Allahut është rruga e garantuar për në xhennet, por pasi ka një çmim të madh, arritja e këtij çmimi nuk është e lehtë, ndaj nevojitet mund i madh, sakrificë dhe vendosmëri.

Për të treguar seriozitetin dhe vendosmërinë në këtë rrugë Allahu u dërgon besimtarëve sprova të ndryshme në këtë botë, përmes të cilave dallohet seriozi nga lajkatari, i zellshmi nga dembeli dhe i vendosuri nga i lëkunduri.

Sa më shumë jeton njeriu në një vend që është larg mësimeve të fesë, aq më shumë edhe sprovat e tij shtohen, por aq më shumë edhe shpërblimi shumëfishohet.

Nga sprovat bashkëkohore për muslimanin në vende të ndryshme të botës, sidomos në vendet perëndimore, është edhe praktikimi i fesë.
Besimtari gjen vështirësi të praktikojë fenë në çdo sferë të jetës së tij, qoftë në shkollë, në punë, në rrugë, me shokë, me të afërm e miq etj.
Zvicra është një nga këto vende ku muslimanët kanë probleme të shumta për praktikimin e fesë, sidomos kur janë në punë.

Një ndër problemet kyçe për të cilin jam pyetur shumë herë nga shumë besimtarë në Zvicër është edhe çështja e namazit të xhumasë dhe e namazeve të tjera gjatë orarit të punës. Është me të vërtetë njëra nga temat kryesore mes muslimanëve.

Nisur nga ky fakt, pasi bisedova me një vëlla musliman, i cili ka filluar të praktikojë Islamin që prej dy vitesh, vendosa t’i ndaj fjalët e tij për këtë temë me lexuesit e nderuar, me shpresë se kjo gjë do të ndikojë pozitivisht në jetën e besimtarëve.

Vëllai në fjalë më tregoi shumë gjera nga përvoja e tij dyvjeçare, që kur është udhëzuar në Islamin e pastër, mirëpo unë vendosa të shkëpus nga fjalët e tij vetëm një çështje të cilën e konsideroj nga çështjet më kryesore për muslimanët që jetojnë në Perëndim në përgjithësi dhe për ata që jetojnë në Zvicër në veçanti.
Dhe pasi të sjell fjalën e tij, do mundohem të ndërlidh disa sqarime të miat, duke shpresuar se kjo gjë do t’u bëjë dobi lexuesve tanë.

Vëllai thotë: “Më kanë lejuar të fal pesë kohët e namazit në punë. Jam gëzuar aq shumë, saqë kam qarë.

Hoxhë i nderuar, shtatë vite kam punuar me ndërrime, d.m.th. e falja një xhuma, por tjetrën jo për shkak të punës dhe punën e kam pasur të rëndë shumë.

Aty i jam lutur Allahut se në qoftë se Allahu më lehtëson punën, kurrë nuk do ta lë namazin.

Nuk ka kaluar një vit dhe Allahu më pranoi lutjen dhe tani gjëja më e rëndë që mbaj në punë është lapsi. Kur hyra në këtë punë, m’u kujtua që i pata dhënë besën Allahut, andaj si ta lë xhumanë?!

Kështu që një ditë mora guximin dhe i tregova udhëheqësit të punës dhe i kërkova të më lejojë të shkoj të fal xhumatë dhe ai pranoi elhamdulilah.

Por koha po ecte dhe erdhi muaji Ramazan. Unë gjithë ditën isha agjërueshëm, kurse namazet ditore nuk i falja në kohën e tyre. Urdhrin e tretë apo të katërt po e kryej, ndërsa shtyllën kryesore pas shehadetit, namazin ditor jo, por vetëm duke e bashkuar në shtëpi atëherë kur kthehesha nga puna.

Një ditë e fala xhumanë dhe hyri koha e ikindisë, kurse unë subhanallah njësoj si jobesimtarët, duke punuar, ndërsa Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Dallimi mes nesh dhe jobesimtarëve është namazi”, si dhe tjetër: “Puna më e mirë tek Allahu është namazi në kohën e tij”. Kështu që vendosa dhe shkova i thashë udhëheqësit të punës se a bën të falem në punë?

Më tha: -Përse?

I thashë: -E falënderoj Allahun për mirësitë që më ka dhënë.

Më tha: Çfarë të nevojitet që ta realizosh këtë?

I thashë: Thjesht një vend i lirë.

Tha: -Në WC.

Thashë: -Jo, ngase nuk lejohet të falemi në WC.

Pastaj gjeta një sallë të zbrazët dhe aty së bashku me zviceranët rregullova vendin e faljes, madje ata ma rregulluan vendin, më dhanë çelës special vetëm mua që të hyjë në atë sallë dhe fal namazin.

Tani edhe sikur një firmë tjetër të më ofrojë dyfishin e rrogës që kam këtu, nuk e ndërroj kurrë këtë punë vetëm për shkak të namazit. Namazi, namazi, namazi!

Prej kur kam filluar të falem, nuk di çfarë ka ndodhur, por më është shtuar respekti tek puna, si prej udhëheqësve të punës edhe prej punëtorëve, saqë kur shkoj të falem, vjen një punëtor zviceran e më zëvendëson. Edhe unë vetë habitem se çfarë ka ndodhur kështu që sjelljet e tyre ndaj meje kanë ndryshuar aq shumë, saqë më duket sikurse nuk jam ai njeri që kam qenë.”

Këtu përfundon tregimi i vëllait. Edhe pse e di se ka tregime edhe më interesante se ky, prapëseprapë mendoj se ky tregim është shumë domethënës për një ambient si Zvicra.

Në lidhje me këtë tregim do përmendja disa dobi.

1. Vëllai në fjalë pasi ka filluar të falë namazin rregullisht që prej dy vitesh, shumë shpejt ka arritur që këtë namaz ta falë edhe në vendin e punës. Kjo gjë nuk është e lehtë për një ambient pune sikurse në Zvicër. Kemi parë vëllezër që punojnë me një punë prej dhjetë vitesh apo më shumë dhe akoma nuk kanë arritur të falin namazin në vendin e punës! A thua ku është problemi?

2. Vëllai në këtë tregim ceku besën që i ka dhënë Allahut në rast se do gjente punë më të lehtë, se do i përkushtohej namazit. Dhe Allahu i Lartmadhëruar ia plotësoi lutjen, kurse ky ishte i sinqertë me Allahun pasi nuk e theu besën që ia kishte dhënë Allahut, edhe pse shumë njerëz atëherë kur janë ngushtë i japin besën Allahut, po kur lirohen, e harrojnë atë që kanë thënë.

Pasi nuk e theu besën ndaj Allahut dhe ishte i sinqerte me Të, edhe Allahu e ndihmoi dhe ia lehtësoi punën e hairit, ngase kur besimtari e ndihmon fenë e Allahut, s’ka dyshim se Allahu do ta ndihmojë atë.

3. Vendosmëria që vëllai ka treguar në këtë rast është për t’u lavdëruar, sidomos në vendet perëndimore, ku shumë muslimanë frikësohen te shprehin besimin e tyre, kurse ky vëlla ka shkuar drejtpërdrejt dhe ka kërkuar nga udhëheqësi i punës t’ia mundësojë ta falë namazin në vendin e punës, madje duke i treguar udhëheqësit se këtë gjë e bën për shkak të të mirave të shumta që Allahu i ka dhënë.

Kjo përgjigje është adekuate për një person jobesimtar sikurse ai, ngase ata janë të zhytur në botën e materializmit, andaj edhe dëshirojnë përgjigje sa më të logjikshme, që përputhet me natyrshmërinë e tyre.

Pra, vëllai ynë e ka treguar përkatesinë dhe identitetin e tij fetar, si në momentin kur ka marrë guximin të kërkojë vendfalje, edhe ne momentin kur ka filluar t’i tregojë udhëheqësit arsyen pse falet.

Kjo gjë mungon tek shumë muslimanë në vendet perëndimore, pasi frikësohen të tregojnë edhe përkatësinë e tyre fetare, por kjo gjë do t’u kushtojë në këtë botë dhe në botën tjetër.

4. Vëllai përmendi se tashmë i gjithë stafi i punës ka respekt të veçante për të dhe kjo nuk është për t’u çuditur, ngase Allahu i rrotullon zemrat e njerëzve ashtu siç do Ai. Andaj, nëse ne jemi të sinqertë me Allahun, e duam Allahun siç e meriton Ai, e duam fenë e Tij siç e meriton ajo dhe praktikojmë në maksimum urdhrat e Tij, atëherë Allahu do i bëjë edhe njerëzit e tjerë të na duan, se kjo gjë është e lehtë për Allahun.

Andaj respekti që i është shtuar vëllait pasi ka filluar të praktikoj fenë është një shenjë se Allahu i Lartësuar e do vëllanë në fjalë, andaj edhe këtë dashuri e ka zbritur edhe tek krijesat. Ky vëlla duhet të kujdeset ta ruajë këtë lidhje me Zotin e tij.

5. Vëllai përmendi se sikur t’i japin dyfishin e rrogës në një firmë tjetër, nuk do ta ndërronte punën për shkak se këtu e fal me lehtësi namazin.

Kështu duhet të jetë çdo besimtar, jeton në vendet islame apo kudo tjetër, çështjen e fesë duhet ta ketë çështje primare të jetës se tij, ta vërë atë mes dy syve të ballit dhe të mos luhatet kurrë, ngase të mirat e kësaj bote vijnë dhe shkojnë, kurse ajo që është për Allahun mbetet përgjithmonë.

6. Respekti që jobesimtarët kanë ndaj këtij muslimani buron edhe nga vetë sjelljet e tij, ngase s’ka dyshim se nëse muslimani u përmbahet sjelljeve ashtu siç i ka caktuar Islami, ai do të jetë i dashur në shoqëri.

Çdo musliman shqiptar dhe jo shqiptar që jeton në vendet perëndimore duhet të ketë kujdes të madh e të sillet me sjellje islame me të tjerët, ngase edhe sjellja jote në ato vende tregon fenë tënde.

Nëse bëhesh shembull për të mirë, nuk ka dyshim se kjo do të ndikojë që njerëzit të kenë së paku mendim të mirë për Islamin, por nëse je shembull për të keq, atëherë dënimi yt është dyfishuar, pasi përveçse ke marrë mëkat për sjelljen e keqe, ke marrë mëkat edhe sepse je bërë shkak që të jesh shembull i keq në sytë e jobesimtarëve dhe përmes teje të njolloset Islami dhe muslimanët.

Unë nuk do e zgjas më shumë, edhe pse dobitë nga një tregim i tillë janë të shumta, por para se ta mbyll shkrimin, dua t’i kujtoj çdo muslimani që jeton në vendet perëndimore se ta dijë shumë mirë se namazi përveçse është obligim nga Allahu, në këto vende të mbron nga mëkatet dhe gjërat e këqija, andaj kur je në punë, në shkollë, në rrugë apo kudo tjetër, në momentin që e anashkalon namazin, i ke hapur vetes të gjitha dyert e këqija, ndaj mos fajëso askënd tjetër pos vetes!

Lus Allahun e Lartësuar ta forcojë vëllanë tonë të dashur në fenë e pastër islame, t’ia lehtësojë çdo vështirësi, t’i japë shumë dhunti dhe ta shpërblejë me xhennet, në të cilin ka begati dhe të mira të tjera pa kufi! Allahumme amin!

Po ashtu e lus Allahun t’i vetëdijesojë muslimanët kudo që janë, t’i bëjë krenarë me fenë e tyre të vërtetë, t’i bëjë thirrës të denjë të kësaj feje me vepra dhe fjalë dhe t’i bëjë shembull për çdo punë të mirë.

E përfundoj këtë shkrim me shpresë se ka pasur ndikim tek ju, kurse falënderimi në fillim dhe në fund i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

Mr: Xheladin LEKA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here