Kur lejohet zilia-inati, nëse po në cilat raste

0
590

Zilia lejohet vetëm në dy gjëra.

Nga Abdullah ibn Mes’udi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Nuk lejohet zilia veçse për dy persona: Një njeri që i ka dhënë Allahu pasuri dhe ai e shpërndan atje ku duhet, dhe një njeri që i ka dhënë Allahu urtësinë dhe ai gjykon me të dhe ua mëson atë të tjerëve”
Muttefekun alejhi[1]

Zilia është dy llojesh:

Një lloj i ndaluar, i qortuar në çdo rast dhe, ajo është që njeriu të shpresojë largimin e mirësisë së Allaht prej robit – qoftë ajo mirësi fetare apo e kësaj bote – është e njëjtë nëse kjo dëshirë zë vend në zemrën e tij dhe ai nuk e lufton veten për ta larguar këtë ndjenjë, apo përpiqet që ta largojë këtë dëshirë prej vetes dhe ta fshehë atë, dhe kjo është më e shëmtuar, sepse është padrejtësi që përsëritet. Ky lloj është ai që i ha shpërblimet ashtu siç i ha zjarri drutë

Dhe lloji i dytë është që njeriu të mos shpresojë largimin e mirësisë së Allahut prej tjetrit, por dëshiron që për vete të ketë njësoj si ajo, apo më shumë se ajo apo më pak. Dhe ky lloj në vetvete ka dy ndarje: zili e lavdëruar dhe jo e lavdëruar.

Zili e lavdëruar është që njeriu të shikoj mirësinë që i ka dhënë Allahu dikujt prej robërve të Tij në fe, dhe ai shpreson që të ketë njësoj si ai. Kjo është në suazat e dëshirimit të të mirës. Nëse kjo shoqërohet me përpjekje dhe punë për ta arritur atë mirësi, kjo është dritë mbi dritë.

Dhe njeriu që zilepset më së shumti është ai që ka pasuri që e ka fituar me hallall, pastaj i jepet sukses që ta shpenzojë atë në hak, me drejtësi, atij që e meriton, duke e shpenzuar pasurinë në detyrimet që ka në të (siç është zekati) apo në gjëra të pëlqyeshme (sadeka). Kjo është nga argumentet më të mëdha për besimin e tij dhe nga llojet më madhështore të bamirësisë.

Dhe ai që ka dije dhe urtësi të cilat ia ka mësuar Allahu, dhe i jepet sukses që tua mësojë atë njerëzve dhe të gjykojë mes tyre, këto janë dy lloje të bamirësisë me të cilat nuk barazohet asgjë tjetër.

I pari: u bën dobi njerëzve me diturinë e tij, shpërndan mes tyre fenë dhe diturinë nëpërmjet së cilës njerëzit udhëzohen në të gjitha çështjet e tyre, qofshin ato adhurime apo marrëdhënie të ndërsjellta etj.

Pastaj, pas këtyre të dyjave (diturisë dhe pasurisë) mund të zilepset gjithashtu edhe e mira, në varësi të gjendjes së saj dhe gradave që ajo ka tek Allahu. Për këtë arsye Allahu ka urdhëruar që të përgëzohemi me arritjen e kësaj të mire, dhe na ka njoftuar se nuk u jepet sukses për të veçse atyre që kanë fat të madh dhe sukses të shumtë. Thotë i Lartësuari: “Thuaj: ‘Me mirësinë e Allahut dhe me mëshirën e Tij, me këto të gëzohen, ato janë më të mira se ato që ata grumbullojnë’.” (Junus: 58). Dhe ka thënë: “Dhe nuk janë njësoj e mira me të keqen, ti ktheje të keqen me mënyrën më të mirë, sepse kështu, ai mes teje dhe të cilit kishte armiqësi do të të kthehet në mik të ngushtë. Por këtë nuk mund ta arrijnë veçse ata që duruan, dhe nuk mund ta arrijnë veçse ata që kanë fat të madh”. (Fussilet: 34-35)

Dhe mund të ndodhë që dikush i cili i dëshiron këto mirësi, të fitojë shpërblim njësoj si ai që i vepron ato të mira, nëse qëllimi i tij është i sinqertë, dhe është i vendosur në zemrën e tij, se po të ketë mundësi do t’i veprojë këto të mira njësoj siç veprojnë ata të tjerët. Siç ka ardhur kjo në hadith të saktë, sidomos nëse njeriu e nis punën e mirë dhe përpiqet për të sadopak.

Ndërsa zilia që është e qortuar është: dëshira që të arrijë disa të mira të dynjasë thjesht për të arritur disa lezete, dhe për të përmbushur epshet e tij. Siç na njofton Allahu i Lartësuar kur përcjell fjalët e popullit të Karunit (injorantët prej tyre) : “Ah sikur të kishim edhe ne ato që i janë dhënë Karunit! Me të vërtetë ai është shumë me fat!” (Kasas: 79).

Ai që shpreson të jetë i njëjtë me atë që kryen vepra të këqija, për shkak të qëllimit të tij, do të shpërblehet njësoj me të në gjynah.

Me këtë shtjellim bëhet e qartë zilia e qortuar në çdo gjendje, dhe zilia që quhet ‘ghibtah’, për të cilën lavdërohet njeriu dhe atë për të cilën qortohet. Dhe Allahu e di më mirë.

Behxhetu Kulubil Ebrar

Autor Abdurrahman bin Nasir es Seadi

Përktheu Emin Bilali

[1] Bukhari/ Kaptilli i diturisë/ Tema: Zilia e lejuar është në dije dhe urtësi (73).
Dhe Muslimi në Kapitullin e namazit të udhëtarëve dhe shkurtimin e tij/ Tema: Mirësia e atj që ngrihet natën dhe lexon Kuran dhe ua mëson atë të tjerëve (816).

Shkrime te reja nga Xhamiambret