Komentimi i Kuranit me mrekulli shkencore

0
520

Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira, hirësia juaj. Ky pyetës thotë: Cili është gjykimi për ato që i quajnë “mrekullitë shkencore në Kuran” apo “mrekullitë numerike (në Kuran)”, dhe kjo, a ka bazë (në Islam)?

Përgjigje: Mrekullitë shkencore për të cilat po flasin tani, janë komentim (tefsir) i Kuranit pa dituri sheriatike, pa rregullat e njohura të Tefsirit, të cilat janë: tefsir i Kuranit me Kuran, apo tefsiri i Kuranit me Sunet, apo tefsiri i Kuranit me fjalët e Sahabëve, apo tefsiri i Kuranit me fjalët e Tabi’inëve apo tefsiri i Kuranit me rregullat e gjuhës Arabe me të cilat ka zbritur.

Kurse kjo (komentimi i Kuranit me mrekullitë shkencore) është diçka e shtuar, këto ‘mrekullitë shkencore’ i kanë shtuar në këtë kohë dhe me këtë kanë për qëllim teoritë (shkencore), teoritë mjekësore dhe astronomike, si dhe teoritë tjera. Këto janë hamendësime të njerëzve që ia qëllojnë dhe gabojnë. Kështu që, këto nuk merren për komentim të Kuranit dhe të thuhet se Allahu – i Madhëruar e i Lartësuar – në Kuran ka për qëllim këtë (teori shkencore). Pastaj më vonë thonë: “Jo! Kjo teori nuk është e saktë.” Dhe kjo bëhet lojë dhe tallje me Fjalën e Allahut – të Plotfuqishmit e të Lartësuarit.

Jo! Teoritë (shkencore) nuk merren për komentim të Kuranit, nuk merren kurrë për komentim të Kuranit. Kjo është që të flasësh për Allahun pa dituri. Këto (teoritë shkencore) lënë vend për kritika dhe zhgënjime. Prandaj, i sheh se e pohojnë një gjë sot dhe e mohojnë atë pas një dite tjetër, u bëhet e qartë e kundërta e saj, sepse ato janë teori njerëzore.

– Shejkh Feuzan
Përktheu: Jeton Shasivari