JETËSHKRIMI I SHKURTËR PARA PEJGAMBERISË

0
204

Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në rininë e vet ka qenë i prirur me virtyte më të mira që mund t’i kishin njerëzit. Ka pasur një koeficient të lartë inteli­gjence, që shprehej në çdo lëvizje ose në çdo iniciativë të tij. Nuk kishte dëshirë të fliste shumë. I pëlqente vetmia (veçi­min), gjë që e bënte në momentet e meditimit dhe të hulumtimit për drejtësi dhe për të gjitha ato gjëra që janë të arritshme për men­djen e njeriut. Meditonte për natyrën, bukuritë e saj, ligjet e na­tyrës, pastaj për njeriun si individ dhe si pjesëtar të shoqërisë. Pastaj mendonte për besimin, ç’ishte ajo që besonte populli i tij, kujt i për-kulej dhe i lutej, përse merreshin me herezi, me falle etj. Nëse vërente se diku punohej mirë, atëherë edhe ai nga­ren­dte në ndihmë, ndërsa nga veprat e këqija largohej. Nuk pinte alkool, nuk e hante mishin e kafshës të therur në altar, nuk i fes­ton­te fes­tat e idhujve. Ishte i pari që ikte nga shirku apo politeizmi. Nuk duronte dot kur dikush bënte be me idhujt Latin dhe Uzatin. Nuk ka dyshim se Resulullahun sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka ruajtur përcaktimi i Allahut të Lartësuar. Nëse ndodhte që tek ai të zgjohej ndonjë ves i keq njerë­zor, ose të nisej pas ndonjë zakoni të padenjë për të, atëherë shfaqej kujdesi Hyjnor që ta ruante nga çdo gjë e keqe.

Ibni Ethiri rrëfen: “Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kurrë nuk kam qenë i interesuar të bëj atë që bënin arabët paraislamikë, përveçse në dy raste, e nga të dyjat Allahu të Lartësuar më ka nxjerrë nga situata e vështirë. Pastaj, kjo nuk më ka ndodhur deri në fillim të Shpalljes, me të cilën Allahu të Lartësuar më ka nderuar. Një mbrëmje i thashë një djaloshi që ruante delet me mua në kodrat e Mekës: “A mund të kujdesesh për delet e mia, e unë të shkoj në aheng në qytet, sikurse djelmoshat e tjerë?” “Po,” – u për­gjigj ai. Unë u nisa dhe, kur arri­ta te shtëpia e parë në Mekë, dëgjova muzikë, e pyeta: “Ç’është kjo?” Ata mu përgjigjën: “Martohen dy të rinj.” U ula të dëgjoja, e Allahu të Lartësuar m’i mbylli veshët e unë fjeta. Në mëngjes më zgjoi nxehtësia e diellit dhe u ktheva te djaloshi, i cili më pyeti se si e kisha kaluar? Unë i tregova, pastaj vendosa që edhe natën e dytë të veproja kështu. Kur në mbrëmje hyra në Mekë, më ndodhi si­kurse natën e kaluar. Pas kësaj ndodhie nuk lejova më të më pushtonte e keqja.”[1]

Transmeton Buhariu nga Xhabir b. Abdullahu, i cili thotë: “Kur është ndërtuar Ka’bja, Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe Abbasi kanë shkuar të mbartin gurë. Abbasi i thotë Resulullahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Vëre petkun (izarin – pjesën e poshtme) tënd në qafë që të të mos rripet lëkura nga gurët.” Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u gjunjëzua, i ngriti sytë nga qielli, pastaj u ngrit e tha: “Izari im, izari im,” dhe e shtrëngoi petkun rreth vet-es.”[2] Në versionin tjetër të hadithit qëndron: “Pas kësaj kurrë më nuk është dukur ndonjë pjesë e turpshme e trupit të tij.”[3]

Resulullahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është shquar në fisin e vet me gjuhë të bukur, sjellje të mirë dhe me virtyte fisnike. Nga pamja ka qenë më i bu­kuri në fis, dhe me ahlak – moral më të bukur. Shquhej për butësi dhe përzemërsi. Gjith­një fliste vetëm të vërtetën. E plotësonte çdo premtim dhe e ruante amanetin e besuar. Populli i tij e quante El-Emin, ndërsa nëna e të gjithë besimtarëve, Hatixhja radijAllahu anha, për të ka thanë : “Është i përsosur sepse ngushëllon të humbu-rin, gostit mysafirin dhe ndihmon në brenga.”[4]

Nga Libri: “Nektari i vulosur i xhenetit”

____________________________

[1] Ekziston mospajtimi rreth asaj nëse është ky hadith sahih. Hakimi dhe Ze­hebi e njohin në sahih, ndërsa Kethiri në Daif. Shih: El-Bidajetu ve-n-nihajetu: II/287.

[2] Sahihu-l-Buhari – kaptina mbi ndërtimin e Ka’bes: I/540.

[3] Vepra e njëjtë krahas me shpjegimin e Kastalanit.

[4] Sahihu-l-Buhari: I/3.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here