Ja si i shoqëronte hurmat me kastravec Profeti (alejhi selam)

0
553

Në dy Sahih-ët shënohet se Abdullah ibn Xhaferi ka thënë: “Kam parë se si Pejgamberi alejhi selam hante hurma të freskëta e të pjekura mirë, të shoqëruara me kastravecë.”

Hurmat e pjekura janë të nxehta në shkallë të dytë. Ato rrisin dëshirën seksuale dhe i japin fuqi stomakut të ftohtë. Por hurmat e pjekura prishen shpejt, të shtojnë etjen, të prishin dhëmbët, të dëmtojnë gjakun, të japin dhembje koke, krijojnë bllokime dhe shkaktojnë dhembje në prostatë.

Nga ana tjetër, kastravecët janë të ftohtë dhe të lagësht në shkallë të dytë. Ata parandalojnë etjen, kanë aromë të freskët dhe ftohin stomakun. Nëse i than farat e kastravecit, i shtyp dhe pastaj i zien në ujë, përftohet një lëng, i cili shuan etjen, shton urinimin dhe lehtëson dhembjet në prostatë. Po t’i shtypësh farat e kastravecit, t’i sitësh, e me to të fërkosh dhëmbët, ndihmon në zbardhjen e këtyre të fundit. Po ashtu, gjethet e shtypura të bimës së kastravecit, të përziera me rrëshirë, mund t’i përdorësh si kompresë mbi plagën që lë kafshimi i qenit të tërbuar.
Në përgjithësi, hurmat janë të nxehta, ndërsa kastravecët janë të ftohtë. Kështu, secili është i përshtatshëm me tjetrin, e madje neutralizon dëmet e tjetrit. Ky është një lloj ekuilibrimi që i bëhet një substance, duke e shoqëruar atë me të kundërtën e saj, dhe këto janë qëllimet që shkenca parandaluese kërkon të arrijë. Në fakt, këto janë qëllimet e vetë shkencës së mjekësisë.

Shoqërimi i ushqimit ose i ilaçeve me të kundërtit ose antidotët e tyre e bën artikullin më të butë dhe i heq atij ndonjë nga efektet anësore negative që mund të ketë. Rrjedhimisht, trupi ruan shëndetin dhe fuqinë e tij.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Më jepnin të haja nga të gjitha llojet e ushqimeve për t’u shëndoshur pak, e unë nuk shtoja aspak. Por, kur më ushqyen me kastravecë dhe hurma të pjekura, atëherë unë u shëndosha.”

Me fjalë të tjera, asnjanësimi i efektit të substancës së nxehtë me të ftohtë, i të ftohtit me të nxehtë, i të thatës me lagështi dhe i lagështisë me të thatë, rezulton në një substancë më të butë. Kjo konsiderohet si një nga kurat më të mira dhe si një nga masat parandaluese më të shkëlqyera.
Ne treguam më lart udhëzimin e Profetit alejhi selam për përzierjen e fshikartës me gjalpë dhe mjaltë, duke shtuar se kjo mënyrë e zbut shijen e fshikartës.

I lavdëruar qoftë Allahu! Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi Pejgamberin alejhi selam, i cili u dërgua me gjithçka që i jep jetë zemrës dhe trupit dhe me gjithçka që u bën dobi atyre në këtë botë dhe në botën tjetër!

Zead el Mead
Ibn Kajim el Xheuzije