Home Lajme Ismail Kadareja, një poezi kushtuar Leninit

Ismail Kadareja, një poezi kushtuar Leninit

                                                                                                                                                 1_597631

Prill 1970. Në Shqipërinë e diktaturës kujtohet me madhështi 100-vjetori i Lindjes së Vladimir Iliç Leninit. Revista “Nëndori” (siç quhej deri në vitin 1972, kur pas Kongresit të Drejtshkrimit u korrigjua në “Nëntori”) një prej organeve më prestigjoze të kohës ia kushton numrin e muajit prill të gjithin këtij përvjetori. Kjo praktikë nuk përbën ndonjë çudi sot 43 vite më vonë, ndërsa shfletojmë shtypin e kohës. Por tek kujtojme debate e polemika të shumta në median e sotme mbi marrëdhënien e shkrimtarëve dhe artistëve me regjimin, censurën, autocensurën e mekanizma të tjerë të regjimit dhe dëmet që i kanë sjellë letërsisë dhe arteve, ia vlen ti sjellim ndër mend, sigurisht pa dashur të fyejmë askënd e njëkohësisht pa dashur ti gjykojmë. Faktet dhe ngjarjet në histori duhen analizuar në kontekstin dhe rrethanat e kohës. E në atë kohë nuk tingëllonin si sot. Nga koleksioni i “Nëntorit” kemi shkëputur jo më kot këtë numër që i është dedikuar Leninit dhe kemi shkëputur nga gjithë materialet e tij dy poezitë që po sjellim më poshtë. Autorët e tyre, Ismail Kadare dhe Xhevahir Spahiu, janë dy emra me kontribut të veçantë në letrat shqipe, të shumëdiskutuar si në kohën e regjimit ashtu edhe pas viteve ’90-të, ndërsa mbijetesa e tyre dhe e disa emrave të tjerë të artit e letërsisë, në kushtet e atij regjimi do të mbetet gjithnjë një fushë grishëse për studiuesit.

Poezia e Ismail Kadaresë:

Nga Ismail Kadare

Lenini

… Ndodhte që i lexoja vargje, ndërsa ai vështronte i mejtuar në dritare, në çastet e perëndimit të diellit…

Krupskaja

1

Për të un’ rashë shumë në mendime,

Edhe shumë herë jam matur për të shkruar,

Porse në vargjet e fletores sime

I rrallë është emri i tij, si gur i çmuar.

Në vargje ai duhet të jetë

Përmes furtunës revolucionare,

Mes ngricave të vjeshtës së tretë,

Mes flamujve që skuqin porsi zjarre.

Prandaj lirikat shpesh kam grisur unë,

Sepse më dukej s’mbanin er’ furtunë,

Por erë fushash, bari të kositur

Ku hënëza vështron në rrugën e dremitur

2

Po nuk ka gjë: Iliçi le të jetë

Në mes pejzazheve që dua shumë.

Mes rrugëve, mes fushave të qeta,

Ku zhurmëron një lis, ku rrjedh një lumë.

Sepse Ai në eci nëpër shqota

Në rrugë plot me erëra tetori,

I deshte bukuritë e kësaj bote

Dhe drurëtedhe gjethet tej oborrit,

Dhe zjarrin që në fushë tutje fiket.

E desh Ai si shpirti i lirikut.

Deshi Ai dhe velën mbi liqenë.

Dhe fushën që po flë ku muzgjet vinë e venë.

3

Atij mëngjezi i bukur i kujtonte

Të ardhmen mbi Rusinë e paanë.

Dhe perëndim i skuqur i kujtonte

Ata që për tetorin vanë e ranë.

Dhe diellin që po ulej kur sodiste,

me libër nëpër duar tek dritoret,

Ai e dinte: perëndim s’do kishte

Mbi botën dielli i zjarrtë i Tetorit

Oh, unë e shoh kur përsëri i qetë

Me sytë e ndritur ngulur përmbi fletë,

Ndërsa thellimi fryn jashtë në drurë:

“Fitoret kurrë ne nuk do ti lëmë, Kurrë”*)

1957

*Kështu thoshte shpesh Lenini, siç rrëfen Krupskaja, duke ndryshuar vargjet e poetit komunar Euzhen Potje: “Jo kurrë s’do ta lëmë ne Komunën”

Previous articleUshtarët kanadez vetvriten pas kthimit nga Afganistani
Next articleSiri: Masakër e re në qytetet Nabek dhe Damask nga forcat e regjimit të Assadit, pamje tronditëse (FOTO)