Histori të bukura të treguara nga Profeti -alejhi selam- Historia e katërmbëdhjetë

0
278

Histori të bukura të treguara nga Profeti -alejhi selam-.

Historia e katërmbëdhjetë.

El-Harith El-Esharij -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Allahu e porositi Jahjën birin e Zekerijës -alejhi selam- për pesë punë që ti bëjë ai vet dhe ti urdhërojë Beni Israilët ti bëjnë ato, mirëpo ai u vonua. Atëherë Isa -alejhi selam- i tha (Jahjes): Allahu të ka porositur për pesë punë që ti bësh vet dhe ti urdhërosh Beni Israilët ti bëjnë ato. Pra, ose ti urdhërosh ti ata ose ti urdhëroj unë! Jahja -alejhi selam- i tha (Isës): Kam frikë se nëse do ta bësh ti atë gjë para meje, Allahu do të ma shembë tokën poshtë këmbëve apo do të më dënojë.
Atëherë ai (Jahja) i mblodhi Beni Israilët në Bejtul-Makdis dhe xhamia u mbush plot madje u ulën edhe nëpër ballkone. Ai ju tha atyre: Allahu më ka porositur për pesë punë që ti bëj ato vet dhe t’ju urdhëroj edhe ju që ti bëni.
E para: Të adhuroni Allahun dhe të mos i bëni atij shok. Shembulli i atij që i bën shok Allahut është si shembulli i një burri që ka blerë një rob me pasurin e tij të veçantë flori apo serm dhe i thotë atij: Kjo është shtëpia ime dhe kjo është puna ime. Puno dhe më sill prodhimin! Ai punonte dhe prodhimin ia çonte një tjetri i cili nuk ishte zotëria i tij. Kush prej jush e pranon të jetë robi i tij kështu?! Atëherë Allahu është krijuesi dhe furnizuesi i juaj prandaj adhurojeni atë dhe mos i bëni atij shok!
E dyta: Allahu ju ka urdhëruar për namaz. Kur të faleni mos e ktheni kokën sepse Allahu e drejton fytyrën e tij nga fytyra e robit të tij kur është në namaz përderisa nuk e ka kthyer kokën.
E treta: Allahu ju ka urdhëruar për agjërim. Shembulli i tij është si shembulli i një burri mes një grupi njerëzish i cili ka një qese misku, të gjithëve u pëlqen era e tij. Dijeni se era e agjëruesit është më e këndshme te Allahu se era e miskut.
E katërta: Ai u ka urdhëruar për sadaka. Shembulli i tij është si shembulli i një burri të cilin e ka zënë rob armiku dhe e ka lidhur duart pas qafës dhe e sjellin për ti prerë kokën atëherë ai i ju thotë: a mundem ta kompensoj vetën time? Dhe ai e kompenson vetën e tij me pak e më shumë derisa lirohet.
E pesta: Ai ju ka urdhëruar për ti bërë shumë dhikër Allahut. Shembulli i tij është si shembulli i një burri të cilin e ndjek armiku me shpejtësi dhe ai shkon te një kështjellë e fortifikuar dhe futet brenda duke mbrojtur kështu veten e tij prej tyre. Kështu është robi, nuk e mbron veten e tij prej shejtanit veçse me dhikrin e Allahut.
Pastaj profeti -alejhi selam- tha: Edhe unë ju urdhëroj ju për pesë punë për të cilat më ka urdhëruar Allahu: Dëgjimi, bindja, lufta në rrugën e Allahut (xhihadi), emigrimi (hixhreti) dhe xhemati. Ai që largohet nga xhemati qoftë sa një pëllëmbë, e ka hequr nga qafa e tij hallkën e islamit veçse nëse kthehet. Ai që thërret me parullat e kohës së injorancës do të jetë me grupin e xhehenemit. Një burrë pyeti: o i dërguari i Allahut! Edhe nëse falet dhe agjëron? Profeti -alejhi selam- i tha: edhe nëse falet, agjëron dhe pretendon se është mysliman. Thirrni me parullat e Allahut i cili ju ka quajtur myslimanë, besimtarë dhe robë të Allahut të madhëruar!” E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.

Dobitë e përfituara nga kjo histori:

E para: Jahja dhe Isa -alejhima selam- janë dy profetë prej profetëve të Beni Israilëve prej familjes së zgjedhur të Imranit për të cilën Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Allahu zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre) * (Ata ishin) pasardhës të njëri -tjetrit. Allahu dëgjon dhe di çdo gjë” Suretu Ali Imran: 33-34.
Fjala e tij [familjen e Imranit] është për qëllim babai i Merjemes -alejha selam- dhe prej familjes së tij janë: Isa biri i Merjemes dhe Jahja i biri i Zekerijes. Kjo sepse Jahja është bir tezje për Isën siç ka ardhur në hadithin e miraxhit ku profeti -alejhi selam- thotë: “… pashë Jahjën dhe Isën dy bij tezesh” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

E dyta: Jahja dhe Isa -alejhima selam- janë dërguar thuajse se në të njëjtën kohë. Ndoshta Jahja ka qenë pak më i madh në moshë se sa Isa siç thonë komentuesit e Kuranit në komentimin e një ajeti ku Allahu i drejtohet Zekerijës -alejhi selam-: “Allahu të përgëzon me Jahjën i cili do të besojë në fjalën e Allahut. Ai do të jetë zotëri, i përkushtuar, profet dhe prej të mirëve” suretu Ali Imran: 39.
Fjala e tij [do të besojë në fjalën e Allahut] dmth: do të besojë në Isën alejhi selam sepse kështu është llagapi i tij.
Dërgimi i dy profetëve njëkohësisht në përgjithësi bëhet kur detyra është e vështirë dhe ka nevojë për përkrahje. Këtë gjë e shohim te detyra e Musës -alejhi selam- i cili iu lut Allahut ta ndihmojë me Harunin -alejhi selam- sepse kundërshtari i tij ishte i egër dhe i fortë dhe e shohim gjithashtu edhe te historia e sures Jasin kur Allahu i madhëruar dërgoi te fshati i mohuesve dy profetë pastaj kur hasën vështirësi dërgoi edhe një të tretë për ti përkrahur.

E treta: Interesimi i madh i profetëve për të arritur e mira dhe e dobishmja tek njerëzit dhe kjo merret nga fjala e Isës -alejhi selam- kur tha: […ose ti urdhërosh ti ata ose ti urdhëroj unë!]. Pra, edhe pse detyra nuk ishte e tij, ai donte që ato porosi të arrijnë sa më shpejt te njerëzit. Profeti -alejhi selam- thoshte: “Nuk ka pasur profet para meje veçse e ka pasur detyrë ta lajmërojë umetin e tij për më e mirën që di për ta dhe ti paralajmërojë nga më e keqja që di për ta” e transmeton Muslimi

E katërta: Bashkëpunimi i mirë i profetëve të Allahut me njëri-tjetrin. Edhe kjo merret nga veprimi i Isës -alejhi selam- i cili nuk veproi pa u konsultuar me Jahjën –alejhi selam-. Gjëja që mund ta dëmtojë shumë rëndë davetin dhe thirrjen në rrugë të Allahut është kundërshtimet dhe mosmarrëveshjet e thirrësve me njeri-tjetrit. Profeti -alejhi selam- kur nisi Muadh bin Xhebelin dhe Ebu Musën El-Esharij -radiallahu anhuma- për të ftuar në rrugën e Allahut në Jemen, i porositi: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni! Afroni dhe mos largoni! Binduni njeri-tjetrit dhe mos u përçani!” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

vijon…

Dr Abdullah Nabolli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here