Gjërat që i ndodhin atij që bën mëkat

0
196

Mëkatet lënë shumë gjurmë të shëmtuara në zemrën dhe trupin e njeriut. Ndër to mund të përmendim:

Të privuarit nga dituria. Dija është dritë e hedhur nga Allahu në zemrën e njeriut, por mëkati e fik atë. Kur Shafiu u ul para Malikut, ky i fundit u habit nga inteligjenca e zgjuarsia e tij dhe i tha: “Pasha Allahun!

Po shoh se Ai ka hedhur dritë mbi zemrën tënde, prandaj mos e fik atë me mëkate!”

Imam Shafiu ka thënë:

Për kujtesën time tek Uekiu[1]u ankova

Dhe me lënien e gjynaheve më udhëzoi

Dije më tha, se dija mirësi prej Allahut është

E mirësia e Allahut gjynahqarit nuk i jepet 

[2]Të privuarit nga furnizimi (rrisku). Në “El-Musned” transmetohet se njeriut i privohet furnizimi për shkak të një mëkati që ka bërë. Ashtu sikurse frika ndaj Allahut bëhet shkak për sjelljen e furnizmit, në të njëjtën mënyrë edhe braktisja e saj bëhet shkak për sjelljen e varfërisë.

Pra, nuk ka mënyrë më të mirë për të merituar furnizimin e Allahut, sesa largimi nga mëkatet.

Ngurtësimi i zemrës. Kryerja e mëkateve shkakton një ngurtësim të zemrës, të cilin nuk mund ta zbusë asnjë prej kënaqësive të kësaj bote, edhe sikur ato të jenë të mbledhura së bashku.

Këtë shqetësim nuk e ndien kush tjetër, përveç njerëzve, në zemrat e të cilëve ka akoma jetë.

Një burrë u ankua te disa të ditur për ngurtësimin e zemrës së tij. Pasi e dëgjuan, i thanë: “Të kanë ngurtësuar mëkatet, prandaj largohu prej tyre nëse dëshiron të qetësohesh.”

Ngurtësia zemrës së mëkatarit ndaj njerëzëve dhe sidomos nga njerëzit e mirë. Ai përballet me natyrën e egër mes vetes dhe atyre, e sa më shumë të shtohet ky egërsim aq më shumë ai shmanget nga takimet me ta, privohet nga beraqeti i të përfituarit prej tyre, afrohet prej partisë së Shejtanit për aq sa lagohet prej Mëshiruesit, e kjo sjellje e egër forcohet derisa sa e zotëron mëkatarin dhe gjindet e pranishme midis tij dhe fëmijëve, gruas dhe të afërmëve të tij, midis tij dhe vetes, sa që e shikon të egërsuar edhe me veten e tij.

Disa nga dijetarët e parë kanë thënë[3]: “Me të vërtetë, unë nuk i bindem Allahut! Këtë gjë e shoh te sjellja e devesë dhe e gruas sime.”

Vështirësimi i punëve. Kur mëkatari fillon të bëjë ndonjë punë, ai do të shohë se do t’i vështirësohet dhe nuk do të jetë në gjendje ta përfundojë. Kurse, njeriu që i bindet Allahut, e gjen atë punë të lehtësuar dhe arrin ta përfundojë me sukses.

Pasha Allahun, është për t’u çuditur! Si ka mundësi që njeriu t’i gjejë të mbyllura dyert e punëve dhe të mos e dijë se nga i vjen një gjë e tillë?

Zemrën e mëkatarit e mbulon errësira dhe ajo ngjason me errësirën që i shikojnë sytë, sepse bindja ndaj Allahut është dritë dhe mëkati është errësirë. Sa më shumë që forcohet kjo errësirë në zemrën e tij, aq më shumë i shtohet pasiguria, derisa ai bie në risi dhe në humbje.

Ai ngjan me një njeri të verbër që del në mes të natës dhe ecën i vetëm rrugëve. Errësira i shtohet gjithnjë e më tepër, derisa e mbulon plotësisht.

Ibn Abasi[4] ka thënë: “E mira është shkëlqim i fytyrës, dritë e zemrës, zgjerim i rriskut, forcë e trupit dhe dashuri në zemrat e krijesave.

Kurse, mëkati është nxirje e fytyrës, errësirë e zemrës, dobësi e trupit, pakësim i rriskut dhe urrejtje në zemrat e njerëzve.”

Mëkatet dobësojnë zemrën dhe trupin. Kryerja e mëkateve e dobëson zemrën  dhe ia heq asaj gjallërinë e jetën.

Forca e besimtarit ndodhet në zemër dhe sa më shumë i forcohet ajo, aq më shumë i forcohet edhe trupi. Nga ana tjetër, edhe nëse është i fortë në trup, mëkatarin e tradhëton forca e tij në momentet kur ai ka më shumë nevojë për të.

Kini parasysh gjendjen e trupave romake dhe perse! Forca i tradhëtoi në kohën kur kishin më tepër nevojë për të dhe ishin besimtarët, ata që i mposhtën me forcën e trupave dhe zemrave të tyre![5]

Të privuarit nga adhurimi. Mëkatet janë shkaqe mëse të mjaftueshme që njeriu të pengohet nga kryerja e një adhurimi të caktuar, më pas të një adhurimi tjetër e kështu me rradhë.

Pra, me kryerjen e një mëkati, i pritet rruga shumë adhurimeve dhe secila prej tyre ka vlerë më shumë se dynjaja. Mëkatari i ngjan njeriut, i cili, pasi ka ngrënë diçka, sëmuret aq gjatë, saqë kjo sëmundje e privon ushqime më të mira sesa ai që hëngri më parë.

Mëkatet pakësojnë vitet e jetës dhe fshijnë bereqetin e saj. Ashtu siç e shton vepra e mirë jetën, në të njëjtën mënyrë, edhe vepra e keqe e pakëson atë.

[1] – (sh.p): Një nga mësuesit e Shafiut.

[2] – Shih: “Diuan Esh-Shafi’i” (54), “El-Feuaid El-Bahijeh” (223), etj..

[3] – Krahasoje me “Hiljet El-Eulija” (109/8).

[4] – Nuk e kam gjetur këtë citat të Ibn Abasit.

[5] – Sot ndodh e kundërta me ne.

Titulli në shqip: “Sëmundja dhe Ilaçi”
Autori: Ibn Kajjim el Xheuzije (751h)/Mesazhi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here