A është haram që gruaja të merr lejen e vozitjes së makinës?

0
288

Pyetje: selam alejkum hoxhë, a është haram që gruaja të merr lejen e vozitjes së makinës dhe të vozisë pastaj në komunikacion?

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Rreth kësaj çështje mendoj se është bërë një debat i panevojshëm për xhematin e këtyre vendeve, ngase ngasja e makinës apo e ndonjë mjeti tjetër është nga ato çështje të dynjasë, për të cilat Allahu heshti, siç na tregon Pejgamberi, alejhi salatu ue selam“Hallalli është ajo që Allahu e lejoi në Librin e Tij, harami është ajo që Allahu e ndaloi në Librin e Tij, e ajo për të cilën heshti është e falur (e lejuar)”.[1] Kështu që marrja e patentë shoferit dhe ngasja makinës është hallall, si për meshkuj ashtu edhe për femra.

Ngasja e makinës apo veprimi i çdo të lejuare tjetër mund shndërrohet në haram vetëm atëherë kur bëhet shteg i sigurt drejt haramit, si p.sh. ngasja e makinës për një ngasës të dobët është e ndaluar sepse mund t’i dëmtojë njerëzit apo objektet në rrugë – qoftë mashkull apo femër, sikundërse kyçja në internet është e ndaluar për atë që e shfrytëzon internetin për gjëra të ndaluara e kështu me radhë.

Shpeshherë në çështjes e ngasjes së makinës sillen fetvatë e dijetarëve të mëdhenj në Arabinë Saudite, të cilët e ndalojnë ngasjen e makinës për femrat, mirëpo fetvatë e atyre dijetarëve të nderuar nisen nga rregulli i njohur në lëmin Usuli Fikhut: Seddu Dheraië – Mbyllja e shtigjeve. Dijetarët atje duan të mbyllin shtigjet që çojnë drejt haramit, sidomos shtegun e laikëve në Arabinë Saudite, të cilët thirren se duan barazinë gjinore ndërsa në fakt duan devijimin dhe zhveshjen e femrës saudite. Në këtë fushatë ata janë përqendruar të fitojnë lejimin e ngasjes së makinave për femrën. Ndërsa dijetarët e urtë, kur i kuptuan hilet dhe synimet e tyre, këmbëngulën që të kenë qëndrim unik lidhur me këtë çështje, sidomos dijetarët e mëdhenj, të thonë se ngasja e makinës për femrën është e ndaluar dhe nuk mund të lejohet në një shtet islam, sepse nëse laikët e fitojnë këtë “betejë” do të nisin beteja të tjera të rrezikshme për fenë dhe nderin e myslimanëve në Arabinë Saudite. Kështu pra, qe më shumë se një dekadë laikët trumbetojnë, shkruajnë dhe organizohen për të fituar ngasjen e makinës për femrën, por ende nuk e kanë fituar këtë. Kësisoj, dijetarët ua bënë këtë kurth atyre, që të merren edhe shumë vite me këtë mesele, ndërsa në anën tjetër dijetarët po punojnë për t’i sqaruar popullit se kush janë ata laikë, çfarë synime kanë dhe ku duan ta çojnë popullin. Allahu i ndihmoftë.

Pra, nuk e shoh të drejtë përkthimin e fetvave të tyre në gjuhën shqipe pa e lexuar situatën mes rreshtave që po zhvillohet atje, ngase dijetarët çdoherë kanë rolin kyç për të bashkëvepruar me ndonjë situatë konkrete në shtetin ku jetojnë, ku duhet të tregojnë dijen dhe urtësinë e tyre, e ne këtë duhet ta kuptojmë.

Ndërsa arsyet tjera që dikush i përmendë si argumente për ndalimin e ngasjes së makinës për femrën siç janë: ndalja e policit, parkingu, rënia e borisë, aksidenti etj., janë gjëra që mund të ndodhin edhe pa qenë ngasëse e makinës.

Megjithatë, gjatë marrjes së patentë shoferit dhe ngasjes së veturës për femrën duhet të kihen parasysh dispozitat e përgjithshme islame, të cilat vlejnë në çdo kohë dhe vend, nga të cilat po veçoj:

– t’i ketë frikë Allahut gjithkund dhe çdoherë.

– instruktori që do ia mësojë ngasjen duhet të jetë femër.

– femra nuk guxon të bëjë udhëtim të gjatë pa shoqërinë e bashkëshortit apo të ndonjë prej meshkujve që i ka në familje të ngushtë (mahrem), edhe nëse ka gra të tjera në makinë.

– femra nuk guxon të vetmohet në makinë me ndonjë nga meshkujt e huaj, edhe nëse bën udhëtim të shkurtër.

– nuk duhet të shpeshtojë daljet nga shtëpia, sepse çdoherë të ndenjurit në shtëpi është më mirë dhe më e pastër për një femër.

– rregullimin eventual të veturës ta bëjë me ndihmën e bashkëshortit apo të mahremit, me qëllim që të mos i mundësojë atij që ka sëmundje në zemër ta ngacmojë apo të flasë fjalë të ulëta për një besimtare.

Allahu e di më së miri.

[1] Albani në librin Sahihul Xhami nr. 3195 e saktëson këtë hadith me gjykimin: hasen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here