Nuk i bëj askujt keq, por si të shpëtoj nga alkooli?

0
220

Pyetje: Unë pi alkool, por mendoj për të gjithë vetëm mirë, gjithkujt që mundem i ndihmoj. E di se e kam haram alkoolin, po s’di ç’të bëj. Më ndihmoni!

Përgjigje: Vëlla i nderuar,

Para se të mendosh mirë për të tjerët dhe para se t’i ndihmosh çdokujt duhet të mendosh mirë për veten dhe t’i ndihmosh vetes fillimisht. Nëse je i mirë për veten do të jesh i dobishëm edhe për të tjerët.

“Alkooli është nëna e të këqijave, çelës i çdo të keqeje, rrëmben mendjen, zhdukë pasurinë, sjellë kokëdhimbjen, pengon njeriun nga përmendja e Allahut, futë përçarjen mes njerëzve, çon në kurvëri – madje ndoshta edhe me femrat e familjes – , ulë pozitën e njeriut, prishë nderin, ndezë luftën, humbë mirësitë, tërheqë fatkeqësitë, divorcon nga gruaja, pikëllon zemrën, mbyllë rrugët e hairit, si dhe shumë të këqija tjera…por mjafton fakti se ai që shijon alkoolin e kësaj dynjaje nuk mund ta shijojë verën e ahiretit. Të këqijat e tij janë shumëfish më shumë sesa ajo që përmendëm”. (përshtatje nga fjalët e Ibën Kajimit në librin Hadil Ervah)

Ti ndoshta të gjitha këto i di dhe i ke parasysh, mirëpo njeriu i mirë dhe i mençur punon sipas asaj që di dhe i ka frikë Allahut nëse është besimtar. Lexoji këto tekste fetare me vëmendje dhe frikërespekt:

1. Allahu ka thënë: “O besimtarë! Me të vërtetë, vera (pijet alkoolike), bixhozi, putat dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyra nga punët e djallit. Pra, për të shpëtuar, largohuni nga këto!” (Maide 90). A vëren se e përmendi alkoolin në një rresht me putat që adhurohen përveç Allahut?

2. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Allahu e ka mallkuar alkoolin, por edhe pirësin, mbushësin, shitësin, blerësin, prodhuesin, për atë që prodhohet, bartësin dhe për atë që bartet ai”. (Ebu Davudi nr. 3189). O vëlla, a e di ç’do të thotë mallkim?! Mallkim është largim nga mëshira e të Gjithmëshirshmit. A thua kush mund të shpëtojë pa mëshirën e Allahut të Madhërishëm?!

3. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Ai që është i varur nga pirja e alkoolit nuk do të hyjë në xhenet” (Sahih Ibën Maxhe nr. 2721). Ti mund të thuash që nuk je i varur, por unë të them: nëse nuk je i varur, atëherë pse nuk po largohesh nga ajo pije e fëlliqur?!

4. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “…largohuni alkoolit, sepse ai dhe imani nuk mund të jenë bashkë, njëra nga ato do ta largojë tjetrën” (Sahihu Nesai nr. 5236).

5. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush pi alkool dhe dehet nuk i pranohet namazi dyzet ditë dhe nëse vdesë do të hyjë në Zjarr, e nëse pendohet Allahu ia falë. Nëse përsëri pi dhe dehet nuk i pranohet namazi dyzet ditë dhe nëse vdesë do të hyjë në Zjarr e nëse pendohet Allahu ia falë. E nëse përsëri pi dhe dehet nuk i pranohet namazi dyzet ditë dhe nëse vdesë do të hyjë në Zjarr e nëse pendohet Allahu ia falë. Por nëse prapë pi, atëherë Allahu do t’i jep të pijë Radegatu Habal në ditën e Kiametit”. Ç’është radegatu habal o pejgamber i Allahut? – e pyetën. “Pija e banorëve të Zjarrit” – u përgjigj Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem. (Sahih Ibën Maxhe nr. 2722).

Kur thotë këtu se nuk i pranohet namazi nuk d.m.th. se namazi i tij nuk është i saktë e as nuk d.m.th. se ai tash nuk duhet të falet, por kuptimi është se ai nuk fiton asnjë sevap nga namazi dyzet ditë me radhë. Kështu që, edhe pse ka pirë alkool, ai duhet të falet në mënyrë që ta lajë borxhin dhe të mos dënohet për lënien e namazit.

Shpresoj ta kesh vërejtur PENDIMIN që e theksoi Pejgamberi tre herë gjatë këtij hadith ku tha se Allahu ia falë. O vëlla, Allahu nuk ka nevojë për pendimin tënd, por nëse ti pendohesh ai gëzohet dhe ta falë gjynahun sikur të mos e kishe bërë asnjëherë. Kujtoje faktin se je në duar të Allahut dhe çdo moment pritet ta përfundosh këtë jetë, largohu premtimeve të shokëve të këqij, mos u bëj lodër e shejtanit!

Allahu të forcoftë në iman dhe të bëftë të vendosur në rrugën e xhenetit. Amin

(konsultuar: Muhamed Salih el Munexhid, Islami – pyetje dhe përgjigje)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here