Do të flasim për këtë temë në një kohë kur disa njerëz janë të ekspozuar ndaj sprovave të rënda, por shumë më të vogla se sprovat e Ejubit a.s., në një kohë kur një numër gjithnjë e më i madh i popullit tonë po përjetojnë zhgënjim dhe po thonë: “Ne nuk e dimë se pse paskemi luftuar! Sikur përsëri të ndodh ajo që ka ndodhur, unë e di si kisha vepruar!“
Vëllezër dhe motra, le të mos bëhemi prej atyre që pendohen për të mirën që kanë bërë, sepse ajo e mirë është trashëgimi e jona e përbashkët!
Nga jeta e Ejubit a.s., e këtij pejgamberi dhe të dashuri të Allahut, le të marrim mësim!
Ejubi a.s. ishte nga pasardhësit e Ibrahimit, Jakubit, dhe Jusufit (alejhimus selam), të cilin Allahu i Plotfuqishëm e dërgoi te një popull në territorin e Shamit (Siria e sotme). Ejubi a.s. u martua me një vajzë të quajtur Rahma (disa thonë se ishte mbesa e Jusufit a.s.), e cila së bashku me burrin e saj e adhuronte Allahun e Plotfuqishëm, e falënderonte dhe e dëshironte mëshirën e Tij.
Allahu i Plotfuqishëm i nderoi me begati të kësaj bote: kullota të shumta dhe fusha, me një fshat në afërsi të Damaskut me burime të ftohta, me plantacione të gjelbra dhe me kopshte pjellore. Kopetë e tyre kanë qenë të panumërta, nëpër vathët e tyre qarkullonin devetë këmbëlehta, kurse nëpër livadhe kullosnin kuajt dhe mushkat. Edhe më shumë se këto pasuri Allahu i Plotfuqishëm Ejubit a.s. i dhuroi edhe shumë djem dhe vajza (disa transmetime theksojnë se kishte 12 fëmijë, të gjithë binjakë – meshkuj dhe femra). Kjo pasuri e madhe dhe fëmijët nuk e mashtruan Ejubin a.s. Ai ishte i dashur në mesin e popullit të tij, i bëri thirrje për besim në një Zot të vetëm, në Allahun e Plotfuqishëm, të cilit i bënte ibadet. Ai u bëri thirrje atyre, por edhe vet praktikonte raporte të bukura me ta, i inkurajonte njerëzit që të bëjnë vepra të mira, i ndihmonte të varfërit, sidomos gratë e veja që i kishin humbur burrat dhe kujdesej për bonjakët (jetimët).
Allahu i Plotfuqishëm e vuri atë në sprovë dhe së pari mbeti pa pasuri, e pastaj edhe pa fëmijë, kurse më në fund edhe u sëmurë rëndë. Sipas mendimit të disa dijetarëve ai vuante nga sëmundja e lebres. Nëpër trupin e tij ishin shfaqur puçërra me qelb, të cilat përhapnin erë të pakëndshme. Pjesët e mishit i binin nga trupi dhe i dukeshin eshtrat. Për shkak të erës së keqe të plagëve, të afërmit dhe miqtë e kishin braktisur. Pasiqë era u bë e padurueshme, më në fund gruaja e tij ia bëri një kasolle nga thuprat, larg nga fshati, në të cilën e vendosi Ejubin a.s. dhe atje i bënte hizmet.
Në një situatë të tillë të vështirë Iblisi i mallkuar, i cili i është betuar Allahut të Plotfuqishëm se do t’i joshë njerëzit, u përpoq, por nuk arriti ta mashtrojë edhe Ejubin a.s. Ai iu kthye vetëm Zotit tij duke e lutur, që t’ia ruajë gjuhën të shëndoshë dhe mendjen, që të ketë mundësi ta lavdërojë dhe falënderojë Atë, dhe nga Ai kërkoi mbrojtje nga shejtani i mallkuar.
Ejubi a.s., pas sprovave të rënda tha: „Allahu mi mori ato që mi dha për t’i përdorur një kohë të gjatë. Falenderimi i takon Allahut të Plotfuqishëm, për ato begatitë që mi dha dhe për ato që mi mori. Atij i përket falenderimi edhe kur jep edhe kur merr, atëherë kur Ai është i kënaqur dhe kur është i zemëruar, atëherë kur jep dobi dhe atëherë kur jep dëm. Ai është Zoti dhe Ai i jep pushtet kujt të dojë, dhe e merr atë prej kujt të dojë, Ai e lartëson atë që dëshiron, dhe e degradon atë që dëshiron.“
Nga mirënjohja ndaj Allahut të Plotfuqishëm ra në sexhde, kurse Iblisi, Allahu e mallkoftë, mbeti i befasuar dhe i zhgënjyer.
Iblisi, Allahu e mallkoftë, u përpoq ta mashtrojë Ejubin a.s. përmes gruas së tij. Kështu, njëherë kur Rahma duke nxituar po kthehej në kasolle nga tregu, ku ishte detyruar ta shiste edhe gërshetin dytë të flokëve të saj, që me ato të holla nga gruaja e furrtarit të blinte bukë për burin dhe për vete, në rrugë e takoi Iblisin e mallkuar në formë të një njeriu plak i cili i tha asaj që Ejubi a.s. le të mos kërkojë ndihmë nga Allahu i Plootfuqishëm, sepse Ai nuk i ndihmon, por le t’i bëj sexhde Iblisit të mallkuar dhe le t’i therë kurban, dhe ai atëherë do t’i ndihmojë për të dal nga kjo situatë e vështirë.
Kur Rahma këtë ia përcolli Ejubit a.s., ai bërtiti: „A e ke humbur besimin në mëshirën e Allahut të Plotfuqishëm dhe je kthyer shejtanit? Ik, largohu nga sytë e mi! Betohem në Allahun e Plotfuqishëm, nëse një ditë Ai më jep shëndet, 100 herë do të godas me shkop!“
Në hikaje thuhet se Iblisi, Allahu e mallkoftë, pas shumë përpjekjeve të dështuara për ta mashtruar Ejubin a.s., u konsultua me shejtanët, të cilën i propozuan që të bëjë ndikim te gruaja e tij. Ai ia mbushi me dëshpërim gjoksin e gruas, e cila erdhi te Ejubi a.s. dhe i tha: “Deri kur do të dënojë ty Allahu?“ Ku është pasuria jote, fëmijët, të afërmit dhe miqtë? Ku është fuqia jote dhe fama?“
Ejubi a.s. i tha asaj: „Shejtani të ka zotëruar ty. A po qanë për famën që ka kaluar dhe fëmijët që nuk janë?”
Ajo i tha: „Pse nuk po i lutesh Allahut që t’i largojë vuajtjet, që ta kthej shëndetin dhe të shpëtojë nga vuajtja?“
Ai pyeti: “Sa kohë kemi qenë të lumtur?”
Ajo tha: “Tetëdhjetë vjet.“
Ai e pyeti: “Qe sa kohë jemi në sprovë?“
Ajo tha: “Qe shtatë vjet.”
Ai tha: “Më vjen turp nga Allahu që t’i kërkoj largimin e vuajtjeve, kur ende nuk jam në to aq sa kam qenë në lumturi. Imani yt është dobësuar. Zemra jote nuk është e sigurtë në caktimin e Allahut. Nëse shërohem, do të rrah njëqind herë me shkop. Nga sot unë nuk do të ha, as nuk do të pi nga duart e tua dhe nuk do të kërkojë nga ti që të më ndihosh. Ik, largohu nga unë!“
Gruaja e Ejubit a.s. shkoi dhe ai mbeti i durueshëm, duke përballuar atë që mund ta përballojnë vetëm pejgamberët e Allahut të Plotfuqishëm.
Pastaj Ejubi a.s. iu drejtua Allahut të Plotfuqishëm për ndihmë dhe Ai ia pranoi lutjen. Për këtë flasin këto ajete të sures Sad:
Përkujto edhe robin tonë Ejubin, kur me lutje iu drejtua Zotit të vet: “Djalli më ka goditur me mundim e dhembje! (41)
Allahu i Plotfuqishëm e urdhëroi që ta godasë tokën me shkelm dhe aty do të del uji:
Bjeri me këmbën tënde tokës! Ky është (ujë) i ftohtë, lahesh dhe pi. (42)
Allahu i Plotfuqishëm, pastaj përsëri i dhuroi pasardhës (fëmijë) dhe pasuri:
Dhe Ne ia kemi dhuruar atij familjen dhe po aq një numër tjetër anëtarësh (të familjes) – mëshirë prej Nesh dhe këshillim për njerëzit e mençur. (43)
Dhe Allahu i Plotfuqishëm e urdhroi Ejubin a.s. që me një deng kashte ta godas gruan e tij për ta përmbushur premtimin:
E, merre me dorën tënde një deng thupra (kashte) dhe bjeri me të, e mos e thyej betimin! Vërtet, Ne e gjetëm atë të durueshëm. Sa rob shumë i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti. (44)
Kurse në ajetet 83 dhe 84 të sures el-Enbija thuhet:
(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit!” (83)
Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira e Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, ia dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe bëmë përkujtim për të devotshmit. (84)
Pas një periudhe të gjatë të sprovës, Allahu i Plotfuqishëm e mëshiroi të dërguarin e Tij, Ejubin a.s. dhe e urdhëroi ta godas me shkelm tokën dhe aty filloi të del uji, me të cilin u la dhe prej tij piu, pas së cilës, me ndihmën e Allahut të Plotfuqishëm u zhdukën sëmundjet e jashtme dhe të brendshme dhe temperatura.
Ejubi a.s. u zotua se do ta godas me 100 shkopinj gruan kur ajo bëri mëkat, dhe pasiqë Allahu i Plotfuqishëm i dha ilaçin për shërim, dhe pasiqë gruaja e tij i shprehi sinqeritet ndaj tij, e urdhëroi atë që ndaj saj të sillet bukur, dhe mirësinë e saj ta kthej në atë mënyrë që të merr një deng, ku janë të lidhura 100 fije kashte dhe ta godas atë një herë. Në këtë mënyrë ai e përmbushi zotimin e tij.
Në disa transmetime thuhet se Allahu i Plotfuqishëm, gruas së Ejubit a.s ia ktheu rininë dhe bukurinë si shpërblim për durimin dhe kujdesin e saj, që ia ofroi Ejubit a.s.
Vëllezër dhe motra!
Rasti i Ejubit a.s. le të jetë nxitje për të gjithë neve që të jemi të durueshëm në sprovat dhe vuajtjet tona, duke shpresuar vetëm në mëshirën dhe shpërblimin e Allahut të Plotfuqishëm!
O Allah, begatoje me mirëqenie dhe shëroje vendin tonë nga vuajtjet dhe kushtet e rënda në të cilat gjendet, ashtu siç e ke shëruar Ejubin a.s.!
O Zot, na forco në rrugën e Islamit!
Ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona në nevojë kudo që janë, veçanërisht ata në Palestinë, Siri, Irak, Kashmir, Mianmar, Jemen, Libi dhe Egjipt!
Na ruaj nga e keqja e armiqve Tu dhe armiqve tanë! Intrigat e armiqve të umetit dhe atdheut tonë, ktheji tek vetë ata dhe ata le të merren me to!
Na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur, të cilët tek ne e sollën fenë islame!
Udhëzoji fëmijët dhe pasardhësit tanë dhe bëri prijës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe të atdheut!
O Zot, na i fal mëkatet tona, na i mbulo turpet tona dhe na i prano veprat tona të mira!
Na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit, dhe na ndero në xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me shehidët dhe me njerëzit e mirë. Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini
Kushtrim Guraj