E DUA THIRRJEN, POR NUK JAM ORATOR !

0
536

E dua thirrjen në rrugën e Allahut, mirëpo nuk jam orator çfarë të  bëj?

Oratoria apo gjuha sqaruese nuk është kusht për të thirrur në rrugë të Allahut. Shiko Musaun, alejhi selam, të cilit i foli Allahu. Atij iu rëndua goja në sqarim, e si pasojë e luti Allahun duke thënë: “Më zgjidh nyjën e gjuhës sime.”[1] Ndërsa armiku i tij Faraoni ishte më orator në gjuhë, kështu që Allahu na tregon për Faraonin duke thënë: “Pra unë jam më i mirë se ky qyqar që mezi flet.”[2] Që do të thotë se Musau, paqja e Allahut qoftë mbi të, nuk fliste rrjedhshëm, pra ai edhe pse nuk ishte oratori i mirë përsëri pasuesit e tij në ditën e gjykimit do të jenë më të shumtë, pas atyre të Muhammedit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Andaj ti kumto me atë dituri që ke dhe me atë oratori që posedon, si dhe me mundësitë e tua që i disponon e mos tolero që turpi apo pa mundësia e të shprehurit mirë të jetë pengesë që ti t’ua kumtosh hajrin të tjerëve.

Thirrja në rrugë të Allahut nuk kufizohet vetëm me këshillën mbi minber ose në ligjëratat e caktuara javore nëpër xhami apo diku tjetër, porse ajo është e shumëllojshme. Pra ajo mund të bëhet në shumë mënyra, dikujt mund ti bëhet personalisht, dikujt në familje, dikujt duke i ndihmuar apo duke i dhënë borxh, dikujt duke u sjellë mirë me të, si dhe çdo rrugë e cila është e lejuar dhe ofrohen njerëzit është rrugë prej rrugëve të thirrjes. Madje me këtë gjest e tërë shoqëria bëhet thirrëse në rrugë të Allahut, qoftë ajo: me pasuri, laps apo me gjuhë.

Përgaditi: Nexhat Ceka