DJERSA E BALLIT

0
522

Dr. Selman bin Fehd el-Avdeh

6 vite të plota qëndroi duke punuar me fijet e drurit-rrëmojsa dhëmbësh duke bërë improvizimet e ndërtesave të njohura nëpër botë, ndër to punoi edhe maketin e Qabes së Shenjtë. Çdo punim i merrte përafërsisht 6 muaj kohë dhe në përgjithësi kishte 6 milionë fije-rrëmojse dhëmbësh!

Ndoshta ty të duket kjo një punë e kotë, sidomos nëse nuk e percepton forcën e akumuluar, e cila e ka shoqëruar këtë artist në punën e tij.

Një zdrukthëtar po pikonte djersë dhe mezi po ngihej frymë derisa po godiste me sëpatën e tij mbi drunj disa herë të tëra, përderisa i copëtonte në pjesë të vogla.

E vizitoi një psikolog, i cili e pyeti: – Sa përfiton nga kjo punë?

– 10 dollarë në ditë – iu përgjigj.

– Do të të jap për çdo ditë nga 100 dollarë që të kryesh një punë tjetër për mua: T’i godasësh drutë me qykë të sëpatës!

– Mirëpo druri nuk prehet asisoj kurrë?!

– S’ka rëndësi, krejt çfarë dua është që ta godasësh në këtë mënyrë.

– Mirë.

Zdrukthëtari filloi ta zbatojë marrëveshjen, mirëpo shumë shpejt filloi të ndjejë kotësinë e asaj që po bënte dhe filloi ta ngadalësonte ritmin.

Më pas ia hodhi 100 dollarët e i tha: Merri të hollat tua, nuk kam nevojë për to. Dhe iu kthye punës së tij të moçme.

Psikologu e pyeti për këtë, e ai ia ktheu: – “Unë ndiej kënaqësi dhe me jep vullnet sa herë që e shoh drurin duke u dobësuar përballë goditjeve të mia e duke i fluturuar copat e tij. Sëpata ime çdoherë hap vrimë edhe më të madhe dhe momenti kur druri çahet është momenti më i bukur e vendimtar të cilin jam mësuar ta pres që të shijoj arritjen”.

A e ke hetuar dallimin mes një gote çaj që e përgatitë vet dhe një tjetër që e pi në kafehane?

A e ke dalluar shijen e një molle që e blen në treg dhe një tjetre që e këput me duart e tua nga dega?

Po si do të jetë sikurse të jesh ti ai që e ka mbjellë e ka ujitur, e kujdesur për të dhe e ka pritur frytin e saj?

Tesha më e bukur të cilën e vesh është ajo që e ke qepur me duart e tua.

Të kryesh vet larjen, e hekurosjen e rrobave tua dhe bartjen e gjësendeve tua është një sadakë që ia bën vetvetes tënde.

I ke parë fotografitë e Bill Gates me fëmijët e tij? Multimiliarderi, i cili refuzoi jetën e israfit dhe shpenzimit kot së koti dhe i edukoi fëmijët për rëndësinë e punës e shenjtërinë e saj në mënyrë që të plotësojnë rrugëtimin.

Një mbret kinez i dënonte kundërshtarët e tij me qëndrim të detyruar në shtëpitë e tyre duke ua plotësuar të gjitha kërkesat dhe nevojat e tyre, madje edhe duke u siguruar shërbëtorë, të cilët do t’i përgjigjen të gjitha kërkesave të tyre çfarëdo qofshin ato. Shumë shpejt ata do t’i kaplonte plogështia, sëmundja dhe vdekja.

Njeriu është krijesë, e cila në brendinë e tij bart fuqi marramendëse për punë dhe realizim, sikurse që ka forcë për ushqim e marrëdhënie intime.

Ai do që të ha, nëse gjen ushqim të mirë e konsumon, e nëse jo do t’i duhet që të konsumojë edhe të dobët.

Po ashtu do që të pi, nëse gjen të kthjelltë, përndryshe do të pi edhe të turbullt.

Do që të punojë, e pra nëse gjen punë që i jep vetvetes mirëqenie dhe i bën me të dobi shoqërisë do të angazhohet me të, përndryshe do të punojë çfarëdo qoftë.

Privimi është dënim

Në shprehjet përditshme të popullit thuhet për dikë se nuk e ndal toka, ose kur ndonjë fëmijë është tepër i lëvizshëm i thonë të mbajtë toka. Ata kërkojnë prej tij të pamundurën! Si do të mund ta ndalë së lëvizuri një trup që e ka lëvizur Zoti i tij. Lëvizja është reflektim i forcës së brendshme dhe në të njëjtën kohë ajo personifikon kuptimin e jetës dhe rëndësinë e njeriut.

Kur sistemet politike apo sociale e kufizojnë këtë lëvizje do të formojnë njerëz ”anomalit”, të cilët nuk posedojnë mundësinë e iniciativës, ngritjes apo suksesit. Këto sisteme ndërtojnë ”robot” të ngjashëm, të cilët shumë vështirë kuptohen me të gjallët. Sistemet kanë obligim që t’u sigurojnë njerëzve punë e jo t’i pengojnë nga ajo.

Privimi i njeriut nga e drejta për punë, shpikje, angazhim vullnetar, pjesëmarrje është humbje një pjese esenciale të tij.

Tri gjëra duhet t’i kesh në jetën tënde që të llogaritesh i gjallë me meritë:

1. Të bësh diçka;

2. Të duash diçka;

3. Të shpresosh diçka.

Kur ne punojmë dhe angazhohemi do ta duam jetën dhe ajo do të na dojë neve.

Përktheu nga arabishtja: Afrim Bulliqi