EKSPERIENCA IME ME SHAMI

0
154

Jetojmë në epokën e kozmetikës, ku bukuria është bërë synimi i çdo femre. industria e modës ka sfiduar të gjitha konceptet klasike të idesë mbi bukurinë femërore, duke u kthyer në një idhull për miliona gra dhe vajza në mbarë botën. Është ajo dhe “krijuesit” e saj që kanë vendosur konceptet e reja të bukurisë femërore, duke përcaktuar deri në detaje se si duhet të jetë imazhi i femrës “perfekte”.

Jetojmë në kohën e bumit të konsumit material dhe rrokullisë së konsumimit shpirtëror. Shumëçka në jetën tonë tashmë, si një labirint pa shteg, kërkon të na largojë nga origjina e qenies, nga thelbi i krijimit, nga vetvetja.

Unë nuk kam lindur me shami, as me këmishë, përkundrazi, shamia ka lindur me mua. Që në zanafillë ajo u bë pjesë e mbulesës së Havasë, vijoi të lartësonte figurën e Merjemes, për t’u kthyer si obligim hyjnor për gratë besimtare në kohën e profetit Muhamed.

Isha ende në krye të tetëmbëdhjetave kur i vura pikën njëherë e përgjithmonë këtij vendimi, i cili erdhi natyrshëm përgjatë përsiatjeve të mia rreth obligimit dhe domosdoshmërisë së mbulesës. Si një zgjedhje e lirë e imja në kulmin e vajzërisë, në fillim u ndjeva e plotësuar dhe më e afërt me Zotin. Njëkohësisht kuptova se kjo rrugë më kishte ruajtur nga çmenduritë e rinisë së pafre të shoqërisë moderne, nga antivlerat e servirura për modë, trend dhe qytetërim, nga falsiteti, hipokrizia e cinizmi.

Megjithatë, edhe pse u mbulova e për një hop u ndjeva e plotësuar, tundimet nuk munguan. Të afërm që më kujtonin vazhdimisht se çfarë i kisha bërë vetes duke përjashtuar mundësitë për punësim më të mirë, duke më kërkuar t’iu mbushja mendjen përse patjetër u dashka vënë shamia për të qenë besimtare dhe se, a nuk je e tillë pa shami?

Gjatë viteve të para si një vajzë me shami vazhdimisht i kam bërë këtë pyetje vetes: pse duhet shamia? Më kujtohet një mësuese që kishte thënë njëherë, se si mundet një vajzë e re të heqë dorë nga ndjesia e këndshme e flladit të erës kur ia ledhaton flokët. Kishte të drejtë. Është ndjesi magjike kur flladi i erës të përkëdhel fytyrën dhe ndjen shpupuritjen e flokëve. Madje edhe para pak ditësh një kolege katolike më tha troç: “po mirë moj, ç’keni më shumë se ne ju të mbuluarat? Mos do të thotë se jeni me të mira se ne që nuk mbulohemi?”

Edhe pse u mbulova herët, ndoshta nga një vendim i motivuar më tepër nga ndjenjat, vazhdimisht kam menduar për urtësinë e këtij obligimi dhe i kam kërkuar Zotit të më jepte qartësi dhe qetësi në zemër për kuptimin dhe nevojën e tij, si dhe mjaft vullnet për ta mbajtur atë me dinjitet. Përgjigjet e pyetjeve të mia Zoti xh.sh. sikur m’i jepte çdo ditë pak e nga pak në jetën e përditshme; njëherë në autobus, kur pasagjerët më thërrisnin ‘motër’; herë tjetër në rrugë kur shoferët ndalonin makinat dhe ngulnin këmbë që unë të kaloja më parë, apo gjetkë duke më bërë të mendoja se veshja ime në njëfarë mënyre impononte një lloj respekti dhe nderimi në sy të gjinisë tjetër, të velur mbase nga lakuriqësia dhe mashkullorësia femërore, që fatkeqësisht është kthyer në modë.

Po, shamia, petku i besimit, më bën të ndihem në shoqëri si një motër, shoqe, si një femër e mbrojtur, e lartësuar. Si një tipar dallues i një besimtareje mes njerëzish të shumtë që mund të identifikohen me gjithçka tjetër, përpos një treguesi hyjnor, që për mua përbën një element thelbësor në bindjen dhe lidhjen time me Zotin, shamia është një përkujtues jo vetëm për atë që e mban, por edhe për të tjerët përreth.

Besoj se një shoqëri, e cila ka luksin të shohë rrugëve të saj vajza të mbuluara, ka fatin t’i përkujtojë vetes esencën e qenies femërore. Ka ende shansin t’i japë fund shfrytëzimit dhe abuzimit me imazhin femëror, për sa kohë nuk janë mbyllur kapakët e gjithësisë. Mendoj se urtësinë më të madhe të obligimit të mbulesës dhe shpërblimin për të e di veç Zoti i lartësuar, i Cili pasi e krijoi femrën në mënyrën më të përsosur, vendosi edhe për mburojën e saj.

Me kalimin e viteve kuptova se shamia në vetvete ka diçka mistike, diçka engjëllore. Kuptova se është e pamundur t’ua shpjegosh të tjerëve ndjesinë që ajo përcjell, pasi është një ndjesi personale, e parrëfyeshme, një lidhje intime mes meje dhe Zotit të botëve.

Më takon mua vendosja e prioriteteve në jetën time, e duke pasur si prioritet plotësimin e një urdhri hyjnor, kjo copë pëlhure mbi krye më bëhet edhe më e shtrenjtë, aq sa unë nuk gjej dot dhuratë më të bukur për një grua se dhurimi i një shamie. Fundja është e gjitha çështje besimi dhe prioriteti. Nuk e di si dhe çfarë do të isha sot, pas katërmbëdhjetë vitesh, po të mos isha e mbuluar. Di vetëm se çfarëdo që të kisha arritur në jetë, mbase nuk do të më dhuronte lirinë dhe ndjesinë e paqes në shpirt që më dhuron kjo copë pëlhure, e cila më afron më shumë me Zotin e gjithësisë.

Smeralda Çaça

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here