Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon Allahut ndërsa lavdërimet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin alejhi selam
Fillimisht këshilloj vëllezërit dhe motrat besimtare të mos harxhojnë shumë energji për çështje dhe pyetje të cilat zakonisht nuk rezultojnë në ndonjë mësim, përkujtim, inkurajim,vepër të hairit, largim të ndonjë vesi etj. Është e vërtetë se kureshtja për kësi çështje është e madhe te shumë njerëz, por nëse do t’i përcjellim ato një nga një sigurisht nuk do mbetet kohë për t’i mësuar, madje as për t’i lexuar çështjet më të rëndësishme që na mësojnë njësimin e Allahut, rrugën e xhenetit, shpëtimin nga xhehenemi e kështu me radhë. Nuk them se në këto çështje nuk ka asnjë dobi, sepse në shumë prej këtyre çështjeve mund të vërehen mrekulli (sidomos shkencore) që besimtarit ia shtojnë edhe më shumë besimin. Vërejtja ime vlen për ata që kalojnë pjesën më të madhe të kohës me kësi çështje.
Ndërsa sa i përket të qarit të fëmijës së porsalindur, gjë e cila është normale te çdo foshnjë përveç në raste të alivanosjes, goditjes nga trysnia e lindjes ose lindja e vështirë. Shkaku i të qarit, siç përmendet në hadithin e shënuar nga Buhariu (nr.3431) dhe Muslimi (nr.2366) ku Ebu Hurejra radijallahu anhu, përcjellë se Profeti alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Çdo bir i Ademit që lindet, atë e prekë shejtani në momentin kur lindet dhe atëherë ai fillon të qajë me zë, përveç Merjemes dhe birit të saj (Isait)”. Dikush nga gjeneratat e para thotë se shejtani e ngacmon të porsalindurin në brinjët e majta.
Allahu e di më së miri.
Omer Berisha