Çfarë e porositi Xhibrili të Dërguarin e Allahut s.a.v.s?

0
249

 

Meleku Xhibril alejhis-selam gjatë një rasti ia bëri me dije të Dërguarit të Allahut (alejhis-selam) pesë gjëra:

Porosia e parë ishte:

“JETO SA TË DUASH, POR DIJE QË NJË DITË DO TË VDESËSH.”

Ky është një përkujtim në sigurinë e vdekjes e cila është caktuar dhe të cilën askush nuk mund ta evitoj. Vdekja është sikur ai që mungon, por i cili me siguri do të vjen në kohën e vete dhe nuk do të vonon asnjë sekondë. Megjithatë, ajo që është me rëndësi të theksohet është se do të vjen papritmas, pa trokitur dhe kërkim leje për hyrje.

Allahu i Madhëruar njeriut ia ka dhënë mundësinë e zgjedhjes në jetën e kësaj bote përpos vdekjes. Nga njeriu nuk varet aspak kur do të vjen vdekja. Me fjalë të tjera, vdekja është dera përmes së cilës do të kalojnë të gjithë njerëzit dhe ky është caktim i Allahut të Madhërishëm. Ndërsa ajo që i përket zgjedhjes së njeriut është mundësia e zgjedhjes si do ta përfundon jetën dhe në çfarë gjendje do ta pres atë. A do të vdes si besimtar apo jobesimtar, i nënshtruar Allahut apo si mëkatar!

Kjo është esenca e kësaj porosie, ngase ashtu siç jeta e askujt nuk është e njëjtë, ashtu ndodh edhe me vdekjen, ndërsa gjithashtu edhe përhershmëria e cila vjen pas vdekjes, e cila do të jetë në shenjën e fatit të përhershëm dhe kënaqjes apo në shenjën e pikëllimit dhe dhimbjeve të padurueshme.

Duke na paralajmëruar këtë të vërtetë të pamohueshme, Allahu i Madhëruar thotë:

A mendojnë ata që kryejnë vepra të këqija se me ta do të veprojmë njëjtë sikur me ata që besuan dhe bën vepra të mira dhe se do t’u jenë të njëjtë jeta dhe vdekja? Sa keq gjykojnë.

Porosia e dytë ishte:

“DASHURO CILIN TË DUASH, POR DIJE SE DO TË NDAHESH NGA AI.”

O njeri, ti i cili ke dashuruar pasurinë tënde, bashkëshorten tënde, fëmijët tuaj, pozitën tënde, shoqërinë tënde dhe shokët tuaj, dije që një dite detyrimisht do të ndahesh nga ato.

Dhe dije që në Ditën e Gjykimit shumë dashuri do të kthehen në urrejtje, ndërsa shumë miqësi në armiqësi.

Allahu i madhëruar ka shpallur:

“Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” [Zuhruf, 67]

Një besimtar që ishte në prag të vdekjes pyeti gruan e tij e cila qëndronte pranë tij dhe qante:

“Çfarë të bëri të qash?”

“Fakti që së shpejti do të mbetem vejushë.” – u përgjigj ajo.
Mandej pyeti fëmijët, ndërsa ata iu përgjigjën nga shkaku se do të mbeten jetim. Njeriu i urtë u tha:
“Mjerë për ju, vajtoni për dynjallëkun tim, e askush nuk brengoset si do ta kem ahiretin dhe a kam përgatitur diçka për dhënien e llogarisë.”

Ashabi i njohur i Muhammedit alejhis-selam, Muadh ibën Xhebel në prag të vdekjes ka thënë:

“Zoti im! Ti e di që unë kam qenë robi Yt i nënshtruar prandaj shpresoj mëshirën dhe faljen Tënde. Ti e di që unë nuk e kam dashur qëndrimin në këtë botë për shkak të stolisjeve dhe kënaqësive të përkohshme, por për shkak të agjërimit vullnetar, namazit të natës dhe shoqërimit me njerëz të dijshëm.”

A e kemi pyetur ndonjëherë veten përse e duam këtë botë, për shkak të kënaqësive të cilat na kthejnë nga nënshtrimi i Allahut apo për shkak shfrytëzimit të kohës në ibadet dhe vepra të mira të cilat do të jenë kapitali ynë në Ahiret?!

Porosia e tretë ishte:

“VEPRO SI TË DUASH, POR DIJE SE SIPAS ASAJ DO TË GJYKOHET.”

Si do të veprosh, ashtu do të shpërblehesh. Shpërblimi në Ditën e Gjykimit do të jetë në përputhje me veprat tuaja. Dije që asgjë, e vogël apo e madhe qoftë nuk do të lihet mbas dore dhe se askujt nuk do t’i bëhet padrejtë.
“Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [El-Kehf, 49]

Libri i veprave tona sipas së cilave do të gjykohemi është vepër e jonë, vepër e duarve tona e cila do të na jepet në Ditën e Gjykimit.

“Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” [El-Isra, 13-14]

Porosia e katërt e Xhibrilit ishte:

“DIJE QË FAMA DHE AUTORITETI I BESIMTARIT ËSHTË NË NAMAZIN E NATËS”

Nuk ka asgjë më të bukur dhe më të lavdishme se sa sexhdeja e kryer në vetmi. Në errësirën e natës kur shpirti i kushtohet munaxhatit (bisedës me Allahun).
Kur Atij i drejtohet me dua dhe pendohet për dobësinë dhe mëkatet e veta, duke qenë i vetëdijshëm se vetëm Allahu, Krijuesi i tij e kupton krejtësisht dhe se vetëm Ai mund t’ia falë mëkatet dhe t’ia largojë pikëllimin. Se vetëm Ai mund t’i jep qetësinë, sigurinë dhe ndihmën të mbetesh këmbëngulës dhe i vetëdijshëm në të gjitha situatat. Ato janë çastet e edukimit më të mirë të cilat shpijnë drejtë pastërtisë dhe lartësisë shpirtërore.

Xhabiri radijAllahu anhu tregon:

Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut alejhis-selam duke thënë:
“Ekziston një periudhë brenda natës në të cilën, nëse njeriu musliman qëllon, duke lutur Allahun e Madhëruar ndonjë mirësi të kësaj apo botës tjetër, lutja do t’i pranohet; ajo periudhë gjendet në çdo natë.” (Muslim)

Dhe Porosia e pestë ishte:
“KRENARIA E MUSLIMANËVE QËNDRON NË PAVARËSINË NGA TË TJERËT.”

Kjo Porosi është një lloj thirrje për muslimanët që të largohen nga pakujdesia, t’i hapin sytë, të shfrytëzojnë potencialin e vet dhe bekimet e dhuruara nga Allahu i Madhëruar dhe të japin mundin si individ dhe ummet që të bëhen të pavarur dhe krenar.

Vetëm me mbështetje të vërtetë në Allahun e Madhërishëm dhe angazhimin maksimal dhe shfrytëzimin e potencialeve personale mund ta ruajmë fenë, nderin dhe krenarinë, përndryshe do të gjendemi në situata dhe sprova ku shpesh herë do të shkelim parimet e madhëruara fetare dhe themelet e identitetit tonë për shkak të ndonjë ndihme të paktë që duhet ta kërkojmë nga të tjerët.

Përshstati: Lutfi Muaremi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here