Në vijim do të mundohemi t’i cekim disa sunete për të cilat na ka udhëzuar i Dërguari ynë Muhamedi – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se ç’duhet të bëjë besimtari kur t’i lindë fëmija. Sunete të cilat disa praktikohen, disa janë harruar, disa aspak nuk janë praktikuar, disa prej tyre sot shkenca po na i zbulon etj, kurse neve si pasues të shëmbëlltyrës më të lartë njerëzore që ka ecur ndonjëherë mbi sipërfaqen e kësaj toke Muhamedit, jemi të obliguar t’i njohim e t’i praktikojmë sa më mirë.
A – Ç’duhet të bëjë besimtari kur t’i lind fëmija?
1. Është e pëlqyeshme që të përgëzohet, t’i jepet “myzhde” prindit të cilit i ka lindur fëmija, thotë Allahu në Kuran: “Ne e përgëzuam atë me Is’hakun, e pas Is’hakut Jakubin”. (Hud:71) Kurse në ajetin tjetër thotë: “Allahu të përgëzon ty me Jahjanë”. (Ali Imran:39)
2. Është e pëlqyeshme t’i këndohet ezani në veshin e djathtë, kurse ikametin në veshin e majtë. Hadithin e ezanit e përcjell Ebu Rafiu -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke e kënduar ezanin në veshin e Hasenit, djalit të Aliut pasi e kishte lindur vajza e tij Fatimeja”.
3. Është e pëlqyeshme që fëmijës së porsalindur t’i fërkohen buzët me hurma të përtypura, nga ndonjë njeri i devotshëm apo nga vetë familjarët e tij, kjo bazuar në hadithin e Ebu Musa el-Eshariut – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “Kur më lindi mua fëmija, shkova me të tek i Dërguari i Allahut, e ai e emëroi Ibrahim, pas kësaj e mori një hurmë e përtypi dhe pastaj e fërkoi gojën e fëmijës me hurmë”.
B – Ç’duhet bërë në ditën e shtatë pas lindjes së fëmijës?
1. Është e pëlqyeshme t’i rruhen flokët fëmijës (ose t’i shkurtohen që mos të dëmtohet) dhe pastaj ato flokë peshohen, pesha e tyre në gram jepet sadaka në vlerën e argjendit (p.sh. nëse flokët peshojnë 2 gr. jepet sadaka në të holla aq sa bëjnë 2 gr. argjend), kjo vlen vetëm për djemtë e jo për vajzat. Kjo bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur i tha Fatimes kur i lindi Haseni: “Qethjani kokën dhe jepni sadaka sa vlera e argjendit për flokët e tij e më pas shpërndava atë pasuri të varfërve”. Ndërsa unë i mata flokët e tij (Hasenit) të cilat peshonin dy gr. ose disa gr.
Po ashtu hadithi të cilin e përcjell Semure Allahu qoftë i kënaqur prej tij ku thotë: Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo fëmijë është peng e akikës së tij, theret akika për të në ditën e shtatë, po në atë ditë i vendohet emri, si dhe në këtë ditë i rruhen flokët”.
3. I vendohet emri në ditën e shtatë kjo është më e mira, mirëpo emri mund t’i vendohet qysh në ditën e parë ose të tretën deri në ditën e shtatë, ose pas ditës së shtatë, kjo bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: “Çdo fëmijë është peng e akikës së tij, pritet akika për të në ditën e shtatë, po në atë ditë i vendohet emri, si dhe në këtë ditë i rruhen flokët “. Po ashtu fjala e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem: “Mbrëmë mua më lindi një fëmijë dhe unë e emërova me emrin e babait tim (babait të profetëve Ibrahimit)”.Prandaj prindërit duhet që fëmijës t’i vendosin një emër të mirë, pasi që me ato emra do të thërriten në ditën e gjykimit.
2. Është obligim synetimi i djemve, preferohet që sunetimi të bëhet në ditën e shtatë, siç thotë i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Pesë gjëra janë prej fitres (natyrshmërisë njerëzore): Sunetimi, heqja e qimeve në pjesët e turpshme, shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve, heqja e qimeve nën sqetulla.” Po ashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur i erdhi një njeri dhe i tha: O i Dërguari i Allahut e pranova islamin. – i tha: “Hiqi qimet e kufrit (nën sqetulla dhe në pjesët e turpshme dhe merr gusëll) dhe bëhu sunet”. Për kohën e sunetimit disa dijetarë kanë thënë se mirë është të bëhet në ditën e parë të lindjes, disa tjerë kanë thënë se lejohet edhe më vonë deri sa të afrohet koha e pubertetit, kurse mendimi më i saktë është se synetimi duhet bërë në ditën e shtatë. Të mos harrojmë se synetimi është obligim për meshkujt sipas shumicës së dijetarëve islam.
C – Akika dhe rregullat e saj:
Akika – është therja e kurbanit për fëmijën e porsalindur, akika është sunet i fortë, madje sipas një mendimi të dijetarëve edhe obligim, për fëmijët meshkuj priten dy dele kurse për fëmijët femra pritet një kurban, kjo bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ku thotë: “Për çdo fëmijë ka akika, andaj therni kafshë për ta dhe hiqjani flokët”. Gjithashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, theri për Hasanin dhe Husejnin nga dy dele për secilin. Transmetohet se i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Pritni dy dele të barabarta për djalë dhe një dele për vajzë”.
Koha e saj: Akika bëhet në ditën e shtatë kjo bazuar në hadithin e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: “Për secilin fëmijë që lind, akika theret për të në ditën e shtatë”. Duhet ditur se ato dispozita që vlejnë për kurbanin vlejnë edhe për kurbanin e akikës, vetëm se në kurban Bajram në të njëjtën kafshë mund të marrin pjesë më shumë vetë, gjë e cila nuk vlen për kurbanin e akikës, andaj në qoftë se e ther një lopë kjo vlen vetëm për një fëmijë, e jo për shtatë persona siç është rasti i kurbanit të Bajramit.
Akika theret edhe për fëmijën i cili vdes në barkun e nënës, që i ka mbushur katër muaj, njashtu edhe i vendohet edhe emri.