Besimtarët dhurojnë gjak

0
272

Të shtyrë nga parimi Islam që “Të shpëtosh një njeri është e njëjtë si të shpëtosh mbarë njerëzimin”, besimtarët mysliman të xhamisë së improvizuar në lagjen “Dardania” të Prishtinës, pas faljes së namazit të xhumasë kanë organizuar një aksion për dhurim të gjakut. Sipas drejtuesve të Qendrës së Transfuzionit Kombëtar të Gjakut, aksioni i besimtarëve është i mirëseardhur, për faktin se nevojat për gjak janë të mëdha, sidomos në sezonin e verës kur edhe aksidentet janë më të shpeshta.

Burim Tërrnava, njëri ndër dhuruesit e shumtë të gjakut, ka thënë për Kosovapress se arsyeja që e ka shtyrë atë të dhurojë është, shpëtimi i jetëve të njerëzve, por vlerëson se është edhe obligim fetar.

“Po arsyeja e dhurimit të gjakut ka qenë për të shpëtuar jetë njerëzish, të cilët janë të sëmurë dhe gjenden nëpër spitale. Kemi dëshirë të dhurojmë gjak sepse ka shumë njerëz që kanë nevojë për gjak. Unë mendoj se duhet të vazhdojë kjo traditë, sepse është edhe obligim fetar”, ka thënë ai.

Ndërsa për qytetarin tjetër, Besim Lushtën, përveç motiveve të tilla, mendon se dhurimi i gjakut i bënë mirë edhe shëndetit të njeriut.

“Obligim fetar dhe obligimi ndaj qytetarit të Kosovës, si dhe është mirë për shëndetin”, ka thënë ai.

Ndërsa Imami i kësaj xhamie, Remzi Haziri njëherësh edhe iniciues i këtij aksioni, ka thënë për Kosovapress se është obligim i çdo qytetari që t’i përgjigjet ftesës së Transfuzionit të Gjakut, pasi që nevojat e qytetarëve për gjak janë të shumta.

Imami Haziri tregon se aksioni për dhurim të gjakut tashmë është bërë tradicional, pasi që, sipas tij, ky është viti i katërt që ndërmarrin një aksion të tillë dhe se çdo herë ka rezultuar i suksesshëm.

“Është bërë një traditë që katër vite me radhë japim gjak për nevojat e ndryshme që i ka Transfuzioni i Gjakut dhe që është kërkesë e kamotshme e tyre. Kërkesë jo e drejtuar vetëm për ne, por për tërë popullin e Kosovës, por ne e kemi marr atë përgjegjësi dhe që katër vite e organizojmë këtë dhurim të gjakut, ka përgjigje masive prej anës së xhematit. Vërtet është për t’u vlerësuar një punë e tillë dhe e falënderoj xhematin e xhamisë”, ka thënë ai.

E ky aksion i besimtarëve për dhurim të gjakut është i mirëseardhur për drejtuesit e Qendrës Transfuzionit Kombëtar të Gjakut.

Fadil Mahmuti, menaxher në Transfuzionin Kombëtar të Gjakut, ka thënë për Kosovapress se aksionet nëpër xhamitë e Kosovës, çdo herë, kanë qenë të suksesshme, sidomos ky i sotit që vjen në një kohë kur të gjitha institucionet që vazhdimisht dhurojnë gjak gjenden në pushime, e nevojat e qytetarëve për gjak janë në rritje.

“Po është një kënaqësi e veçantë të gjendesh në mesin e një xhemati të këtillë, siç është ky i kësaj xhamie dhe të gjitha xhamive në Kosovë në përgjithësi, ku njerëzit përveç asaj që vijnë për ta falur namazin e xhumasë shprehin dëshirën dhe vullnetin e tyre që edhe të dhurojnë gjak. Ne përpos xhamive në tërë Kosovën, ne marrim aksione edhe në organizata të tjera Policia dhe FSK-ja, por më e keqja është se ne tashmë nuk i kemi nxënësit të cilët janë në pushim. Por duke iu falënderuar këtyre aksioneve kaq të qëlluara nuk kemi pas deri më tani probleme me furnizim me gjak”, ka thënë ai.

Ndryshe, vetëm për nevojat e QKUK-së, brenda 24 orëve nevojitet 150 doza gjak, pasi që Qendra Emergjente është konsumuesja më e madhe e gjakut, si pasojë e frekuentimit të madh të pacientëve që vijnë nga mbarë Kosova.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here