A bën të shtohet (er-Rahmani er-Rahim) në thënien (Bismilah) në fillim të abdesit?

0
498

Pyetja: Unë më herët kur merrja abdes në fillim e përmendja (Bismilahin) në këtë formë (Bismilahi er-Rahmani er-Rahim), mirëpo kam lexuar se dikush prej dijetarëve të ketë thënë se nuk lejohet, a është e vërtetë kjo thënie e tij?

Përgjigjja: Lavdi i takon vetëm Allahut.

Forma e përmendjes së (Bismilahit) për atë që dëshiron të merr abdes është të thotë (Bismilah) e nëse ia shton (er-Rahmani er-Rahim), dijetarët janë ndarë në mendime për këtë, disa prej tyre janë të mendimit se kjo shtesë është më e plotë, e të tjerët janë të mendimit se më së miri është të mos shtohet, e të mjaftohet vetëm me thënien (Bismilah).

Neveviu, Allahu e mëshiroftë, për thënien (Bismilah) në fillim të abdesit thotë: “Dije se forma më e plotë është të thuhet (Bismilahi er-Rahmani er-Rahim), po edhe nëse e thotë vetëm (Bismilah) e arrin vlerën e përmendjes së (Bismilahit), pa ndonjë mospajtim.” El-Mexhmu’ (1/386)

Ndërsa të thuhet se përmendja e (Bismilahi er-Rahmani er-Rahim) nuk lejohet, nuk kemi hasur në ndonjë prej dijetarëve ta ketë thënë këtë, përkundrazi, mospajtimi mes tyre është; a është më me vlerë të shtohet apo jo?

E nuk ka asnjë prej dijetarëve që thotë: nëse ai e shton abdesi i tij nuk është në rregull.

Islamqa.info / albislam.com

Përktheu: Shpend Zeneli