Allahu i pranon veprat e mira vetëm nga të sinqertët

0
500

Transmetohet se një sundimtar musliman deshi të ndërtonte një xhami në qytetin e tij dhe urdhëroi që askush të mos merrte pjesë në ndërtimin e xhamisë, as me të holla as me ndonjë lloj ndihme tjetër. Ai donte që xhamia të ndërtohej vetëm nga mjetet e tij. Ashtu edhe ndodhi, ai e ndërtoi një xhami dhe në të e shkroi emrin e tij.
Mirëpo, një natë ai pa në ëndërr se një melek zbriti nga qielli, e fshiu emrin e sundimtarit nga xhamia dhe e shkroi emrin e një plake muslimane. Sundimtari u zgjua nga gjumi i dëshpëruar dhe menjëherë dërgoi disa ushtarë të tij për të parë nëse emri i tij ishte ende në xhami. Ata shkuan, por shpejt u kthyen me lajmin se emri i sundimtarit ishte ende në xhami dhe nuk ishte fshirë. Këshilltarët e tij konstatuan se këto ishin vetëm ëndrra të ngatërruara.

Natën tjetër, sundimtari përsëri e ëndërroi të njëjtën ëndërr dhe përsëri dërgoi ushtarë për të verifikuar. Ata, përsëri e informuan atë se emri i tij ishte ende në xhami. Sundimtari u çudit, por gjithashtu edhe u zemërua për këtë.

Edhe natën e tretë ai e ëndërroi ëndrrën e njëjtë, por këtë herë e mbajti në mend emrin e gruas, të cilin e shkroi meleku në xhami në vend të emrit të tij. Sapo u zgjua, ai menjëherë urdhëroi që ta sjellin atë grua të cilën e kishte ëndërruar. Kur e sollën, sundimtari para vetes e pa një plakë të varfër muslimane, e cila dridhej nga frika.
Sundimtari e pyeti nëse ajo në ndonjë mënyrë kishte ndihmuar për ndërtimin e xhamisë, mirëpo plaka u përgjigj: “O sundimtar, unë jam një grua plakë dhe e varfër. Dëgjova se ju keni ndaluar që dikush të merr pjesë në ndërtimin e xhamisë suaj, andaj si mund të bëhesha e pabindur ndaj sundimtarit tim?!”

Sundimtari e pyeti përsëri: “Të përbetohem në Allahun, më thuaj në çfarë mënyre ke marrë pjesë në ndërtimin e xhamisë sime?”

Ajo u përgjigj: “Pasha Allahun, unë nuk kam bërë asgjë në ndërtimin e xhamisë suaj, përveç…”
“Përveç çka?”, e ndërpreu sundimtari kurioz.

Plaka u përgjigj: “Përveç që, njëherë duke kaluar pranë xhamisë gjatë ndërtimit të saj, e pashë një gomar, që përdorej për të bartur dru dhe material ndërtimor, i cili ishte i lidhur për një shtyllë pranë xhamisë, ndërsa jo shumë larg tij ishte një kovë plot me ujë. Kafsha po përpiqej ta mbërrinte kovën me ujë, sepse kishte etje, por nuk po mund ta mbërrinte. Unë u afrova, e mora kovën dhe ia solla gomarit për të pirë. Pasha Allahun, kjo është e gjitha që bëra për ndërtimin e xhamisë.”

Atëherë sundimtari tha: “Kjo është kështu! Ti këtë e bëre në emër të Allahut dhe Allahu e pranoi veprën tënde, kurse unë e ndërtova xhaminë që të thonë njerëzit se është xhamia e sundimtarit, por Allahu nuk e pranoi veprën time.”

Pastaj sundimtari urdhëroi që të fshihet emri i tij, dhe në xhami të shkruhet emri i asaj plake të varfër.
Prandaj, mos e nënvlerësoni asnjë vepër të mirë, sepse nuk e dini se cila vepër do t’ju çoj në xhenet dhe do t’ju shpëtojë nga zjarri i xhehenemit.

Përshtati: Miftar Ajdini