Xhuzi i katërmbëdhjetë
-Surja El Hixhër fillon duke sqaruar ruajtjen që Allahu i bëri librit të Tij, Kur’anit, dhe e ngushëllon Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke i treguar torturat që kanë pësuar Pejgamberët para tij.
– Tërheqja e vëmendjes me madhësinë e krijimit të Allahut në univers, pastaj përmendja e ringjalljes dhe e argumenteve për mundësinë e ndodhjes së saj.
– Sqarimi i hollësishëm i fillimit të krijimit të njerëzve e xhinnëve dhe urdhri për Iblisin që t’i bëjë sexhde Ademit dhe kundërshtimi i tij.
– Sqarimi i tregimit të Ibrahimit, Lutit si dhe banorëve të Hixhrit.
– Fundi i sures El Hixhër përmban ilaç për atë që gjen vështirësi në gjoksin e tij që t’i përmbahet tesbihut (thënia subhanAllah) dhe adhurimit.
– Surja En-Nahël ndryshe quhet edhe surja e mirësive, ndaj medito për të dhe falëndero Atë që i dha këto mirësi.
– Në suren En-Nahël ka argumente të ndryshme për veçimin e Allahut me adhurim dhe po ashtu tregohet kotësia e ortakërisë ndaj Allahut.
– Pastaj përmenden përgënjeshtruesit e Kur’anit dhe ata që i kanë besuar atij, përmendet edhe përfundimi i të dyja palëve.
– Pasi Allahu përmend të mirat e Tij ndaj robërve, më pas përmend fshatin që i ka mohuar këto të mira të Zotit dhe se si e ka dënuar atë fshat, andaj ki kujdes të mos jesh nga ata që mohojnë të mirat e Zotit dhe pastaj të të godasë dënimi i Tij.
– Në fund të kësaj sureje ka nxitje për thirrje në rrugën e Zotit me urtësi dhe këshillë të mirë si dhe për durim nga vështirësitë dhe torturat.
Xhuzi i pesëmbëdhjetë
– Fillimi i sures El Isra flet për fakte të rëndësishme mbi Xhaminë el Aksa, pastaj përmend hyrjen e bijve të Israilit në të dhe çrregullimin që bënë ata.
– Biseda rreth udhëzimit të Kur’anit dhe vënia në pah e të dy botëve dhe vrapuesit pas tyre.
– Përmendja e njëzet porosive të mrekullueshme, të cilat kanë lidhje me çështjet më të rëndësishme edukative dhe sociale, andaj medito për qëndrimin tënd ndaj tyre.
– Kundërshtimi i politeistëve me argumente dhe shkatërrimi i thirrjes së tyre për ortakëri ndaj Allahut, pastaj përmendja e bisedës me Iblisin në rastin e krijimit të Ademit alejhi selam.
– Udhëzime të shenjta për Pejgamberin tonë sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, që ai të mos mbështetet tek politeistët qoftë edhe shumë pak, përkundrazi, ai duhet të kthehet tek Zoti i tij duke përgënjeshtruar kërkesat e politeistëve dhe argumentet e tyre dhe duke përmendur argumentet e Allahut në gjithësi.
– Në fundin e kësaj sureje ka ngushëllim për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, duke përmendur përgënjeshtrimin e faraonit ndaj Musait, pastaj duke theksuar fort se Kur’ani ka zbritur nga Allahu i Lartësuar.
– Surja El Kehf flet për katër sprova, të cilat janë feja, pasuria, dituria dhe fuqia.
Feja është tregimi i banorëve të shpellës, një tregim i gjallë për çdo fillestar që dëshiron të pasojë rrugën e vërtetë.
Pasuria përmendet në tregimin e dy njerëzve, i pasuri që përgënjeshtroi Ditën e Kiametit dhe i varfri i cili ishte besimtar në Allahun, pastaj rrëfehet përfundimi i secilit prej tyre.
Dituria jepet me tregimin e Musait me Hidrin, që është shembull i mrekullueshëm për nxënësit e dijes në edukatë, ambicie të lartë, urdhër për të mirë dhe ndalim nga e keqja.
Fuqia përmendet me tregimin e Dhul Karnejnit, i cili është shembull për njerëzit që aplikojnë gjykimin, që të përdorin pozitën e tyre për të ngritur drejtësinë mes njerëzve.
– Është përmbyllur surja El Kehf duke treguar ngjarje nga dita kur do të dalim para Allahut, pastaj përmendet përfundimi i jobesimtarëve dhe i besimtarëve.
– Është përmendur fjala errahmeh-mëshirë dhe degëzimet e saj në suren Merjem gjashtëmbëdhjetë herë, ndaj kërkoji vendet e kësaj mëshire në këtë sure, pastaj shiko shkaqet e tyre, ndoshta kështu do ta arrish mëshirën në muajin e mëshirës.
– Surja Merjem fillon me tregimin e Zekerijas dhe flet mbi fuqinë e Allahut për t’i dhënë fëmijë ndonëse atij i ishin thinjur flokët dhe gruaja e tij kishte kaluar kohën e lindjes, andaj pas kësaj ngjarjeje a mund të bëhet kush pesimist?
– Tregimi i hollësishëm i lindjes së Isait nga Merjemi si dhe tregimi për të folurit e tij sa ishte në djep duke thënë se është rob dhe i Dërguar i Allahut.
– Tregimi i Ibrahimit alejhi selam dhe polemikat e tij me babanë në lidhje me adhurimin e idhujve, duke përdorur shprehjen e butë në thirrjen e tij (duke i thënë: o babai im), edhe pse ai ishte politeist.
– Përmendja e disa Pejgamberëve dhe nxjerrja në pah e disa ngjarjeve në ditën e Mahsherrit, pastaj përgënjeshtrimi i dyshimeve të atyre që pretendojnë se Allahu ka fëmijë.
– Surja Ta Ha fillon duke rrëfyer për Musain alejhi selam dhe ndihmën që Zoti i dha atij, pastaj dërgimi i tij për te faraoni si dhe sfida me magjistarët.
– Magjistarët e faraonit në fillim të ditës ishin jobesimtarë, kurse në fundin e saj u bënë besimtarë të begatë, andaj medito për shpejtësinë e ndikimit të imanit tek ata.
– Nderimi që Allahu ua bëri bijve të Israilit duke i nxjerrë nga qyteti Kibt dhe duke e fundosur faraonin dhe popullin e tij në det.
– Tregimit i Samiriut, i cili prodhoi viçin të cilin e adhuruan bijtë e Israilit në mungesë të Musait alejhi selam.
– Gjendja e atyre që ia kanë kthyer shpinën Kur’anit në Ditën e Kiametit dhe rrëfimi i një pamjeje nga pamjet e frikshme dhe trishtuese të asaj dite.
– Përkujtimi i njerëzve për armiqësinë e shejtanit ndaj njeriut, nga rasti që përmban tregimi i Ademit dhe cytjet e shejtanit ndaj tij. Andaj ruaju nga armiku i babait tënd!
– Kjo sure përfundon duke ngushëlluar Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për fjalët që i thonë politeistët si dhe për ta përforcuar atë në fe.
Xhuzi i shtatëmbëdhjetë
-Surja el Enbija fillon duke paralajmëruar për ringjalljen dhe vërtetësinë e ndodhjes së saj dhe se ajo është afruar. Por a thua a je përgatitur për të?!
– Aprovimi i tevhidit përmes debateve logjike dhe argumenteve konkrete të cilat duken, gjithashtu duke përmendur Ditën e Kiametit.
– Tregimi i Ibrahimit në rastin e thyerjes së idhujve është shembull i shkëlqyer i mendjemprehtësisë me mbështetjen e fuqishme tek Allahu i Lartësuar.
– Rrëfimi i tregimeve të shumta të Pejgamberëve dhe se si Allahu ka shkatërruar kundërshtarët e tyre dhe si i ka ngritur njerëzit e dashur të Tij.
– Përmenden shembuj të shkëlqyer të lidhjes së fortë të Pejgamberëve me Zotin e tyre si dhe shpëtimi i tyre në kohët e rënda nga ana e Zotit.
– Surja El Enbija përfundon duke përmendur përfundimin e politeistëve dhe zotave të tyre, pastaj thërret për njëshmërinë e Allahut.
– Surja El Haxh fillon duke frikësuar njerëzit nga trishtimet e dridhjes së kiametit si dhe tërheq vërejtjen nga pasimi i shejtanit.
– Polemizimi i politeistëve në mohimin e ringjalljes, duke sjellë argumentet me fillimin e krijimit të njeriut si dhe ngjalljen e tokës së vdekur.
– Sqarimi se si Allahu ka obliguar haxhin për Ibrahimin alejhi selam, pastaj përmendja e disa shtyllave dhe gjërave të pëlqyera të haxhit.
– Madhërimi i Allahut duke madhëruar shenjat e Tij të haxhit dhe kurbanit, saqë këto shenja kalojnë nga tradita dhe konsiderohen adhurime.
– Përmendja e largimit të muhaxhirëve nga shtëpitë e tyre si dhe përmendja e obligimeve të atyre që Allahu ua ka mundësuar të sundojnë tokën.
– Përmendja e disa popujve të cilët kanë kundërshtuar të Dërguarit e tyre, pastaj përmendja e disa kurtheve të shejtanit dhe sprovave të tij.
– Përmendja e argumenteve që tregojnë fuqinë e Allahut të Lartësuar, po ashtu përmendja e ringjalljes dhe polemizimi i politeistëve.
– Kjo sure përfundon duke thirrur për xhihad, për praktikimin e obligimeve dhe lidhje të fortë me Allahun.
Xhuzi i tetëmbëdhjetë
– Derisa je duke lexuar cilësitë e përmendura në fillim të sures El Mu’minun, a nuk e ke pyetur veten ndonjëherë se çfarë kam realizuar nga këto cilësi?
– Tregimi i Nuhut alejhi selam dhe të mësuarit e tij nga Allahu që të falënderojë Allahun pasi e ka shpëtuar nga populli zullumqar.
– Vështrim i shpejtë i disa tregimeve të Pejgamberëve për të ngushëlluar zemrën e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
– Shfaqja e ngjarjes së agonisë, vdekjes, fryrjes së burisë, pastaj përfundimi i përgënjeshtruesve të argumenteve të Allahut dhe dënimi prej Allahut me zjarr.
– Fillimi i sures El Mu’minun është “vërtet kanë fituar besimtarët”, kurse fundi i saj “Allahu nuk shpëton jobesimtarët”. Sa dallim i madh!
– Surja Nur fillon duke treguar për masën e dënimit për amoralitet, shpifjen në nder si dhe tregon dispozitën e mallkimit (mes bashkëshortëve).
– Tregimi i shpifjes për Aishen radijAllahu anha na mëson të sigurohemi ndaj lajmeve dhe të ruajmë gjuhën dhe pastaj tregon rrezikun e madh të gjuhës.
– Në rastin e kësaj shpifjeje tregohet vlera e nënës sonë, Aishes radijAllahu anha, andaj ki kujdes, ruaju nga ata që përgënjeshtrojnë Kur’anin.
– Kritika nga dashuria për të shfaqur mëkatet mes besimtarëve dhe besimtareve si dhe urdhri për të falur në rast lëndimi prej të tjerëve.
– Urdhri për të kërkuar leje kur hyjmë në shtëpi të huaja, po ashtu urdhri për të ulur shikimin dhe për të ruajtur organet gjenitale.
– Udhëzimi për t’u martuar dhe vënia në pah që Allahu kujdeset për pasurinë si dhe vetëpërmbajtja në rast varfërie. Po ashtu flitet për ndalimin e kurvërisë.
– Sjellja si shembull e dritës së Allahut dhe veprave të jobesimtarëve, pastaj përmendja e disa argumenteve të Allahut në univers.
– Përmendja e hipokritëve dhe nxjerrja në pah e cilësisë së ikjes dhe zmbrapsjes nga gjykimi i Allahut. Kështu që kontrolloje edhe veten në këtë!
– Allahu u ka premtuar atyre të cilët kanë besuar se do t’i bëjë mëkëmbës-udhëheqës në tokë, por me disa kushte të cilat duhet t’i shikosh në suren En-Nur.
– Përmendja e dispozitës së kërkimit të lejes për fëmijët të cilët hyjnë në dhomat e prindërve, pastaj përmendja e dispozitës së mbulesës për gratë e moshuara, të gjitha këto llogariten nga muret e nderit të cilat i sqaron surja En-Nur. Pastaj flet për dispozitën e ngrënies në shtëpitë e të afërmve.
– Në fund të kësaj sureje qëndron një thirrje për mënyrën e edukatës që duhet kemi me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
– Surja El Furkan fillon duke lavdëruar Atë që ka zbritur Kur’anin, mirëpo sa hise ke tek bereqeti i këtij Kur’ani?!
– Më pas përmendet përgënjeshtrimi i dyshimeve të politeistëve rreth Kur’anit dhe rreth të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
MR. XHELADIN LEKA
Revista “KËSHILLA”