BESIMI NË CAKTIMIN E ALLAHUT ÇOFTË I MIRË APO I HIDHUR

0
278

MUHAMED IBËN SALIH EL-UTHEJMIN

Fjala kader do të thotë caktim i Allahut subhanehu ve teala për atë që do të ndodhë deri në Ditën e Kiametit, pasi kur Allahu azze ve xhel-le e krijoi lapsin, i tha: “Shkruaj!” Lapsi tha: Ç’të shkruaj, o Zot? Allahu tha: “Shkruaj atë që do të ndodhë.” Në atë çast u shkrua ajo që do të ndodhte deri në Ditën e Kiametit.”[1]

Ajo që i ka ndodhur njeriut nuk kishte mundësi të mos i ndodhte dhe ajo që nuk i ka ndodhur nuk kishte mundësi t’i ndodhte. Allahu azze ve xhel-le e ka përmendur këtë në librin e Tij në mënyrë të përgjithshme kur thotë: “A nuk e di ti se Allahu di çdo gjë që është në qiej e në tokë? Të gjitha këto janë (shënuar) në libër. Me të vërtetë kjo është e lehtë për Allahun.” (El-Haxh: 70). Gjithashtu Allahu azze ve xhel-le në një ajet tjetër thotë: “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju që të mos jetë e shënuar në libër (Levhi Mahfudh) më parë se ta krijojmë atë, kjo për Allahun është vërtet e lehtë.” (El-Hadid: 22). Fjala e Allahut azze ve xhel-le: “para se ta krijojmë atë”, ka kuptimin para se të krijojmë tokën, para se t’ju krijojmë ju njerëz, para se të krijojmë fatkeqësinë.

Allahu azze ve xhel-le i ka shënuar këto pesëdhjetë mijë vjet para krijimit të qiellit e tokës. Dijetarët kanë thënë se të besosh në caktim, patjetër duhet të besosh në katër kategoritë e tij.

Kategoria e parë: Të besosh se Allahu azze ve xhel-le është i Dijshëm për çdo gjë. Allahu e përmend diturinë e Tij gjithëpërfshirëse për çdo gjë kur thotë: “Që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka me diturinë e Tij.” (Et-Talak: 12). Ajeti tjetër: “Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në librin e qartë (Levhi Mahfudh).” (El-En’am: 59).

Kategoria e dytë: Të besosh se Allahu azze ve xhel-le ka shënuar për çdo gjë caktimet deri në Ditën e Kiametit, i ka shënuar pesëdhjetë mijë vite para krijimit të qiejve dhe tokës. Gjithçka që do të ndodhë është e shënuar dhe e mbaruar, lapsat janë tharë dhe janë palosur fletushkat. Nëse të ndodh diçka, mos thuaj “ah sikur të kisha vepruar kështu, nuk do të më ndodhte”, për arsye se ka qenë e shkuar dhe patjetër do të ndodhte e nuk mund ta shmangie. Nëse dikush thotë se në hadith thuhet: “Kush dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”[2] Themi se po, ashtu është, mirëpo njeriut që i është shtuar furnizimi dhe i është zgjatur jeta për shkak të mbajtjes së lidhjeve farefisnore i është shkruar se ka për t’i mbajtur lidhjet farefisnore dhe do t’i shtohet furnizimi e do t’i zgjatet jeta. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore” për shkak që ne të jemi të kujdesshëm në mbajtjen e lidhjeve farefisnore, por duhet ta dimë se atë që është shkruar në Levhi Mahfudh e pasojnë edhe shkrime të tjera.

Kur foshnja në barkun e nënës mbush katër muaj, Allahu azze ve xhel-le dërgon një melek, i cili fryn në mitër shpirtin dhe urdhërohet të shkruajë katër gjëra: furnizimin, jetëgjatësinë, veprat e tij dhe a do të jetë i lumtur apo i mjerë. Ky shkrim nuk është nga shkrimet e Levhi Mahfudhit, por është shkrim në fillim të jetës së njeriut dhe dijetarët e emërtojnë shkrimi jetësor, pra shkrimi i dedikuar për jetën. Gjithashtu është edhe një shkrim tjetër, i cili ndodh çdo vit. Ai është në Natën e Kadrit. Allahu azze ve xhel-le në Natën e Kadrit shkruan se çfarë do të ndodhë brenda atij viti, siç thotë i Lartmadhëruari: “Ne e kemi zbritur (Kur’anin) në një natë të bekuar, vërtet Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues, në atë natë (natën e zbritjes së Kur’anit) vendoset çdo punë e urtë.” (Ed-Duhan: 3-4)

Fjala “jufreku” ka kuptimin qartësohet, ndahet, prandaj mban emrin Natë Kadri.

Kategoria e tretë e besimit në caktim është të besosh se çdo gjë që ndodh është me dëshirën e Allahut azze ve xhel-le, se nuk përjashtohet nga dëshira e Tij asgjë dhe se nuk ka dallim në këtë dëshirë mes asaj vepre me të cilën veçohet Allahu, si zbritja e shiut, ringjallja e të vdekurve e të ngjashme me to dhe asaj që veprojnë krijesat, siç është namazi, agjërimi etj., pasi të gjitha këto janë me dëshirën e Allahut azze ve xhel-le. Allahu thotë: “Për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë, po ju nuk mund të dëshironi përveç me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve.” (Et-Tekvir: 28-29).

Ajeti tjetër: “Sikur të donte Allahu, njerëzit që erdhën pas të Dërguarve nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin pas ardhjes së sprovave të qarta, por ata u përçanë: disa besuan, kurse të tjerët mohuan. Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu bën si të dojë Vetë.” (El-Bekare: 253). Allahu azze ve xhel-le na e qartësoi se nuk ka vullnet për ne përveçse me vullnetin e Tij dhe se punët tona ndodhin me dëshirën e Allahut. Në Kur’an thuhet: “Sikur të donte Allahu, njerëzit nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin”, pra shihet qartë se çdo vepër kryhet me vullnetin dhe dëshirën e Allahut dhe se nuk mund të ekzistojë në sundimin e Tij asgjë që Ai nuk e dëshiron. Muslimanët rrjedhimisht janë unanimë në këtë fjalë të madhe: “Çka dëshiron Allahu, bëhet dhe çka nuk dëshiron, nuk bëhet.”

Kategoria e katërt është besimi se çdo gjë është krijuar nga Allahu azze ve xhel-le, siç thotë i Madhëruari: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.” (Ez-Zumer 62). Gjithashtu thotë: “I Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!” (El-Furkan: 2).

Çdo gjë që ndodh është krijesë e Allahut azze ve xhel-le, prandaj edhe njeriu edhe veprat e tij janë krijesa të Allahut. Allahu azze ve xhel-le ka thënë për Ibrahimin alejhis-selam kur këshillonte popullin e tij: “Ndërkohë që Allahu është Ai që ju ka krijuar ju dhe gjithçka që bëni?!” (Es-Saffat: 96). Veprat e robërve janë krijesa të Allahut, por i drejtpërdrejtë në vepër është njeriu dhe jo Allahu azze ve xhel-le. Allahu e ka krijuar këtë vepër, por njeriu e ka vepruar, prandaj vepra i atribuohet Allahut azze ve xhel-le në krijim, kurse njeriu e kryen dhe përfiton prej saj. Çdo gjë që ndodh është krijesë e Allahut azze ve xhel-le, mirëpo ajo që i përket cilësive të Allahut nuk është e krijuar, p.sh. Kur’ani nuk është i krijuar sepse është Fjala e Allahut. Të folurit e Allahut është cilësi prej cilësive të Tij, prandaj nuk është e krijuar.

Këto janë katër kategoritë e besimit në caktim ose kader. Është obligim besimi i të gjithave sepse pa to njeriu nuk ka besuar në kader.

Dobia e besimit në kader është shumë e madhe për arsye se nëse njeriu e di se çdo gjë patjetër duhet të ndodhë ashtu siç ka urdhëruar Allahu azze ve xhel-le, qetësohet dhe duron duke thënë se është prej Allahut. Nëse i vjen ndonjë e mirë, ai falënderon dhe thotë se është prej Allahut. Nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem transmetohet se ka thënë: “E çuditshme është çështja e besimtarit. Çështja e tij është krejt e mirë për të dhe nuk është e tillë për askënd tjetër. Nëse e godet ndonjë gëzim, e falënderon Allahun dhe kjo sjell dobi, por nëse e godet ndonjë e keqe, bën durim dhe kjo sjell dobi.”[3]

Besimtari që beson se çdo gjë është me caktimin e Allahut, është gjithmonë i gëzuar dhe i qetësuar sepse e di që ajo që i ka ndodhur është prej Allahut; nëse është e keqe, duron dhe pret rrugëdalje duke iu drejtuar Allahut të Madhëruar që t’ia largojë atë të keqe, por nëse ajo që i ka ndodhur është e mirë, e falënderon Allahun dhe e di se nuk i erdhi nga fuqia e tij, por prej mirësisë dhe mëshirës së Allahut azze ve xhel-le.

Fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “… (besimi në kader) qoftë i mirë apo i hidhur”: E mirë është çdo gjë që ka dobi dhe i përshtatet njeriut, si p.sh. dituria e dobishme, pasuria e madhe dhe hallall, shëndeti, familja, fëmijët etj.

E keqja dhe e liga është e kundërta e saj, injoranca, varfëria, sëmundja, humbja e familjes, e fëmijëve etj. E gjithë kjo është prej Allahut azze ve xhel-le, e mira dhe e keqja. Allahu cakton të mirën për ndonjë urtësi, por gjithashtu cakton edhe të keqen për ndonjë urtësi, siç thotë Allahu azze ve xhel-le: “Ne ju vëmë në sprovë me të keqe dhe të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (El-Enbija 35)

Kur Allahu e di se prej mirësisë dhe urtësisë është caktimi i së keqes, e cakton atë për shkak të dobive të mëdha, siç thotë në Kur’an: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë të shijojnë pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Err-Rrum: 41)

Nëse dikush pyet se si mund të bashkohet fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Të besosh në kaderin e Tij, qoftë i mirë apo i keq” dhe fjalës: “E keqja nuk të atribuohet Ty.”[4] Duke mohuar se e keqja i atribuohet Atij, themi se e keqja absolute nuk i takon veprimit të Allahut azze ve xhel-le asnjëherë, e keqja absolute që nuk ka të mira në të as për momentin e as në të ardhmen nuk mund të ekzistojë në veprimet e Allahut azze ve xhel-le kurrsesi. Kjo në njërin aspekt, për arsye se edhe e keqja të cilën e ka caktuar Allahu azze ve xhel-le të keqe patjetër që duhet të ketë një përfundim të lumtur dhe të mirë, është e keqe te një popull ndërsa te një tjetër është e mirë. Nëse Allahu zbret një shi të madh dhe përmbyt të mbjellat, por shiu i bëri dobi tokës dhe disa të tjerëve, atëherë në këtë rast shiu është i mirë për atë që ka pasur dobi nga ai dhe i keq për atë që është dëmtuar.

Së dyti: E keqja që cakton Allahu azze ve xhel-le për njeriun në realitet është e mirë për arsye se nëse duron dhe shpreson shpërblim nga Allahu, arrin shpërblime shumë më të mëdha sesa nga e keqja që ka pësuar. Kjo mund të jetë shkak për udhëzim dhe njohje të vlerës së dhuntive të Allahut për njeriun. Tregohet se një grua e devotshme është lënduar në gisht apo dorë, por bëri durim dhe e falënderoi Allahun duke thënë: “Me të vërtetë ëmbëlsia e shpërblimit më bëri ta harroj vështirësinë e durimit nga lëndimi.”

E keqja në realitet nuk është në vetë veprën e Allahut, por është e keqe për ata që i godet. Njerëzit janë ata që kanë të mira dhe të këqija, ndërsa vepra si vepër është e mirë. Allahu azze ve xhel-le thotë: “Thuaj: Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit, që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar” (El-Felek: 1-2), d.m.th. prej së keqes që ka krijuar Ai, e cila është te vetë njerëzit dhe jo në vepër.

Ajo që aludon për këtë është shembulli i të sëmurit, shërimi i të cilit është ta djegësh plagën me zjarr. Zjarri është i dhimbshëm, mirëpo vepra jote është e dobishme për të sëmurin për arsye se pret përfundim të mirë nga ajo djegie me zjarr. Kështu është edhe me veprën e Allahut azze ve xhel-le. Veprat e veprimit dhe krijimit të tyre janë të mira sepse pas tyre vijnë të mira të shumta.

Nëse pyetësi pyet: Si mund ta bashkosh këtë fjalë dhe ajetin kur’anor “çdo e mirë që të gjen ty o njeri është prej Allahut, kurse e keqja që të godet është prej vetes sate…” (En-Nisa: 79), themi se çdo e mirë që e gjen njeriun është prej Allahut, pra prej dhuntive të Tij. Allahu të ka dhuruar dhe nderuar me të. Ajeti “kurse e keqja që të godet është prej vetes sate” ka kuptimin se ti je shkaktar i saj, ndonëse Ai që e ka caktuar është Allahu, siç thotë i Lartmadhëruari: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet është si pasojë e asaj që keni bërë vetë, por Ai fal shumë.” (Esh-Shura: 30).

Përmbledhja e kësaj është se çdo gjë ndodh me caktimin e Allahut, qoftë e mirë apo e keqe.

Përshtati: KPSI Gjilan (KOSOVË)

______________________________________

[1] Transmetojnë Tirmidhiu (2155), Ebu Davudi (4700).

[2] Transmetojnë Buhariu (5986) dhe Muslimi (2557).

[3] Transmeton Muslimi (2999).

[4] Transmeton Muslimi (771)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here