MBULIMI I KËMBËVE NË NAMAZ TEK FEMRAT

0
259

Rikujtim për motrat e nderuara se mbulimi i këmbëve në namaz është i obliguar

Allahun e Madhëruar e falënderoj, prej Tij ndihmë dhe falje kërkoj. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, familjen, shokët dhe pasuesit e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Namazi është shtyllë kryesore e fesë së Allahut, prandaj kujdesi për të duhet të jetë maksimal ngase Allahu e kërkon një gjë të tillë prej nesh.

Pos pastërtisë dhe qëllimit të pastër, Allahu ka kërkuar që besimtari ose besimtarja derisa është në namaz të ketë veshje që i përshtatet natyrës së gjinisë; për mashkullin ka bërë që mbulesa e tij (në mungesë të rrobave) të jetë nga kërthiza deri tek gjunjët, ndërsa për femrën të gjithë trupin pos fytyrës dhe shuplakave të duarve.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka urdhëruar që femra të zgjasë mbulesën e vet poshtë këmbëve të saj një dhira’a, që është sa pjesa e krahut mes shuplakës së dorës dhe bërrylit.

Dijetari Ibën Baz, Allahu e mëshiroftë, është pyetur se cili është gjykimi për mbulimin e fytyrës, duarve dhe këmbëve në namaz, a është vaxhib (e obliguar) për femrën apo lejohet t’i zbulojë ato, posaçërisht nëse nuk është në prezencën e të huajve, apo është duke u falur me gra?

Ai është përgjigjur:

“Sa i përket fytyrës, ajo është sunnet të zbulohet gjatë namazit (ngase mbulimi i fytyrës për femrën sipas mendimit të Ibën Bazit është obligim), nëse nuk ka të huaj aty, ndërsa për këmbët dijetarët janë unanimisht të mendimit se është obligim mbulimi i tyre. Ka disa prej dijetarëve që bëjnë lehtësime, porse shumica e shohin obligim mbulimin e tyre, ndërsa mbulimi i duarve është çështje pak më e gjerë; nëse i mbulon është më e mirë e nëse nuk i mbulon prapë nuk ka të keqe”.

E marrë nga revista “El Arabije” dhe “Mexhmu’u Fetava el Alametu Abdul Aziz ibën Bazi”, Allahu e mëshiroftë!

Gjithashtu është pyetur shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, se cili është gjykimi për zbulimin e duarve dhe këmbëve në namaz për gruan. E nëse nuk lejohet zbulimi i tyre, atëherë nëse ato zbulohen në namaz, a prishet namazi për atë grua apo namazi në atë gjendje nuk është i pranuar, Allahu ua shpërbleftë me të mira?

Përgjigjja ishte:

“Zbulimi i këmbëve në namaz për gruan nuk lejohet nga shumica e dijetarëve dhe e prish atë. Nëse femra falet dhe këmbët i ka të zbuluara, atëherë ajo obligohet ta përsëritë namazin sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, ndërsa zbulimi i duarve është më e gjerë; nëse i mbulon është më e mira e nëse i zbulon nga harresa, atëherë nuk ka të keqe inshaAllah.”

Është pyetur dijetari Muhamed Nasirudin el Albani, Allahu e mëshiroftë, si vijon:

Çështja e mbulimit të këmbëve në namaz çfarë dispozite ka në Islam?

Përgjigjja ka qenë:

“Nëse fillon namazin, atëherë ajo duhet të veshë këmishë jo të tejdukshme të gjatë, rrobë të gjatë që ia mbulon edhe këmbët. E nëse i zbulohet pjesa e poshtme e këmbës teksa ajo është në sexhde, për shembull, atëherë nuk ka të keqe në të, por nëse zbulohet pjesa e epërme e këmbës, kjo nuk lejohet, ngase fjala e qëlluar prej dijetarëve është se këmbët e gruas janë avret.

Për këtë edhe Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka urdhëruar që të zgjatet një pëllëmbë nga zogu i këmbës. E kur erdhi pyetja se mund të ketë erëra dhe të zbulohet, tha: “Të zgjatet edhe një shupla”, d.m.th. sa pjesa mes shuplakës dhe bërrylit.” (Silsileti el Huda ve En Nur. kaseta me nr. 603)

UNEJS MURATI

Revista “KESHILLA”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here