Ajo kërkon te i fejuari cilësi, të cilat janë më afër ëndrrave se sa realitetit, për këtë arsye ajo refuzon çdo burrë që i ofron martesë, sepse nuk i ka këto cilësi. Atë e kërkojnë njerëz fetar, me sjellje të mirë, mirëpo kur njoftohet se është i varfër ose se nuk e ka vazhduar shkollën ajo e refuzon dhe pret se çfarë do t’i sjellë e ardhmja, duke mos e hetuar se ditët dhe netët po kalojnë dhe se ajo po plaket me kalimin e kohës. Papritmas, ajo e kupton se vajzat e moshës së vet janë martuar dhe kanë shtëpi e fëmijë derisa ajo ende këmbëngul në mendimin e vet. Vitet kalojnë dhe rinia e saj fillon të zbehet, kështu që ajo bën lëshime në disa kushte në të cilat insistonte më parë, duke pranuar atë që është më i dobët në besim, sjellje dhe edukim. Ajo tani po vuan sepse nuk e praktikoi urdhrin e të Dërguarit të Allahut, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!): “Nëse u kërkon dikush për martesë, fenë dhe sjelljen e të cilit e pëlqeni, atëherë prano që të martohesh me të.”
Në këtë hadith, e nderuara motër, i Dërguari i Allahut, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka përmendur dy kushte, të cilat garantojnë një jetë të lumtur martesore, feja dhe sjellja e mirë. Ato janë dy tipare të lidhura njëra me tjetrën dhe përbërës esencial për një martesë të qëndrueshme, e cila është plot lumturi dhe dashuri.
Sa i përket ëndrrës së saj për burrin e qëlluar, është fakt se shumica e të rinjve që kanë arritur moshën martesore janë në gjendje të njëjtë financiare. Sa të rinj ka që i kanë milionat ose që punojnë si ministra në qeveri? Në të kundërtën, shumë të rinj që dëshirojnë të martohen janë studentë, të cilët nuk kanë pasuri të mjaftueshme. Disa çifte të martuara thonë se vitet më të lumtura të martesës kanë qenë gjatë kohës së studimeve, kur gruaja qëndron pranë burrit dhe e ndihmon atij t’i avancojë studimet përpara.
Si rezultat, e nderuara motër muslimane, mos u mbështet në ëndrra ose pamje të jashtme kur të zgjedhësh njeriun me të cilin do të martohesh, e as mos e bë pasurinë shpresë për të cilën lëngon. Kur vjen për t’ju kërkuar në familje një djalë i mirë e fetar, sjelljen e të cilit e pëlqeni, atëherë mos hezito për t’u martuar me të për shkak të gjendjes së vështirë financiare që ka, sepse pasuria nuk mund t’ju sjell lumturi. Ndoshta Allahu ju dhuron devotshmëri dhe me këtë arrini çfarëdo që dëshironi.
Tregime nga të parët
Esma bint Ebu Bekër thotë: “Ez-Zubejr, u martua me mua në kohën kur nuk kishte asnjë para, rob ose ndonjë pasuri tjetër përveç një kali dhe një deve. Unë e ushqeja kalin, kujdesesha për të. Po ashtu e ushqeja edhe devenë me fara të shtypura të hurmave dhe i sillja ujë. Farat e hurmave i bartja në kokë nga një largësi prej tetëmbëdhjetë milje. Kur Ebu Bekri, paqja qoftë mbi të, më dërgoi një shërbëtore për t’u kujdesur për kalin, ky ishte një lehtësim i madh për mua!
LIBRI Pengesat në rrugë
Abdul Melik El Kasim