Argumente mbi ringjalljen dhe jetën e përtejme

0
245

 

Argumenti dhe garancia më e madhe mbi realizimin e jetës së ahiretit është premtimi i Zotit për robtë e vet. Duke theksuar në shumë vende se çdo frymë do të vdesë,  se nuk do të mundet të iket nga vdekja,  se Allahu është ai që e jep vdekjen  dhe se, në fund, kthimi do të jetë te Ai,  Kur’ani bën të ditur se ringjallja pas vdekjes është domosdoshmëri e premtimit të Allahut:

“Ajo që po ju premtohet juve është mëse e vërtetë! Nuk ka asnjë dyshim se edhe llogaridhënia, edhe ndëshkimi do të realizohen patjetër!” (Dharijat, 51/5-6)

Ai që i jep njeriut ndjenjën e përjetësisë, padyshim që ka krijuar edhe një vend ku njeriu do të mbesë i përjetshëm.

Me shprehjen e një dijetari: “Po të mos donte të jepte, s’jepte dëshirë për të kërkuar,” ne shohim që Zoti ka dhënë urinë, por ka dërguar ushqime; ka dhënë etjen, por ka dërguar ujin, ka dhënë dëshirën e fortë për përjetësi e do ta japë edhe përjetësinë.

Zoti, që i jep përgjigje lutjes së çdo krijese, nga milingona tek elefanti, që me dhembshuri e bën nënën shërbyese të foshnjës së saj, a do ta linte pa përgjigje dëshirën për përjetësi të njeriut, që është më i vlerësuari në univers?

Rezultati më i rëndësishëm i krijimit të universit është jeta. E vetë jeta nuk mund të përkufizohet vetëm tek kjo jetë kalimtare, e shkurtër, e mangët dhe e mundimshme e kësaj bote. Ai që beson se Zoti është i Drejtë, është I Mëshirshëm, Është i Gjithëpushtetshëm, dhe i Gjithëditur nuk mund ta pranojë se vdekja është asgjësim total për njeriun. Kjo është kundër drejtësisë, urtësisë, e mëshirës hyjnore. Të mohosh ringjalljen do të thotë ti atribuosh Zotit dobësi, do të thotë të mohosh cilësitë e emrat e Tij, i Gjithëditur, i Dashur, i Urtë, i Fuqishmi Absout, etj.

Në të vërtetë, edhe frika nga vdekja që ndjen njeriu me vështrim të parë duke e konceptuar atë si një “asgjësim”, buron nga dëshira e thellë që ka njeriu për përjetësinë. Ky zë që del nga natyra krijimore e njeriut tregon se njeriu është krijuar për përjetësinë. Me këtë ndjenjë të natyrshme tek vetja, ndjenjë e cila e kundërshton asgjësimin, çdo njeri e ndjen se është krijuar jo për një jetë të përkohshme kalimtare, por për një jetë të përhershme, të paasgjësueshme. Kjo ndjenjë dhe vetëdije janë tregues të qartë të ekzistencës së një jete të përhershme pas kësaj jete të përkohshme.

Zoti në këtë botë, me gjithë ndarjen në klasën e të bindurve dhe kryengritësve të normave të Tij, çdo njeriu i jep mirësi. Pra do të ketë një vend tjetër ku do të shpërblehen të bindurit e do të ndëshkohen kryengritësit.

Shumë tiranë e diktatorë vazhdojnë tiraninë e tyre deri në vdekje në këtë botë, e madje disa edhe varrosen me ceremoni. Drejtësia dhe urtësia Hyjnore kërkon që të ketë një vend ku ata të gjykohen siç e meritojnë.

Për çdo vlerë të kësaj bote e që ekziston në këtë botë, është vënë një njësi llogaritëse, një kriter ose etalon që të mund ta masë. Por jo për mendjen, shpirtin, ndjenjën, arsyen dhe përfundimet e tyre. Ne nuk kemi në dorë ndonjë kriter që të mund ta masë produktin e mendjes. Por kemi kritere dhe peshore për të matur dhe peshuar ushqimet që hamë e pimë. Veç kësaj, këto objekte kanë edhe vlerën e tyre monetare sipas kursit monetar të vendeve të ndryshme. Sipas këtyre vlerave bëhen eksporti dhe importi. Po kështu, ne mundemi ta peshojmë dhe vlerësojmë edhe një copë dheu madje.

Por nuk ka ndonjë kriter apo njësi për të matur, peshuar dhe vlerësuar një zgjuarsi dhe inteligjencë të madhe. Për shembull, mendjet e mëdha si Shekspiri apo Hygoi nuk e kanë marrë dot në këtë botë produktin ose shpërblimin e mendjes së tyre. Kjo është ana sipërfaqësore e çështjes. Por le ta trajtojmë çështjen edhe në planin serioz dhe të mendojmë zgjuarsinë e një profeti. Për shembull, le të mendojmë produktet e mendjes dhe të ndjenjave transcendentale të profetit Muhamed (s.a.s). Veçanërisht le të mbledhim bashkë ndjenjat e të gjithë profetëve dhe të mbajmë parasysh se për këta nuk është vënë ndonjë kriter apo peshore. Ky mendim dhe meditim do të na çojë ne në këtë përfundim: Do të vihet një peshore ku do të peshohen këto ndjenja! Po të mos bëhet këtu kjo, është jashtë çdo diskutimi se do të bëhet në një botë tjetër!

“Ditën e kiametit, Ne do të ngremë peshoret e drejtësisë dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi. Njeriu do të marrë shpërblimin e punës së tij edhe sikur ajo të jetë sa një grimcë. Ne mjaftojmë si llogarimarrës!” (Enbija, 21/47)

Njerëzit më të zgjedhur të Zotit, profetët, jetojnë në këtë botë mes brengave dhe vështirësish të mëdha. Drejtësia, Urtësia dhe Nderi i Allahut kërkon të ketë një vend ku ata të vlerësohen e të shpërblehen. E pikërisht kjo është jeta e ahiretit.

Pesë shtyllat e besimit, së bashku me të gjitha provat e tyre, tregojnë dhe bëjnë të domosdoshme ekzistencën e ringjalljes dhe të botës së ahiretit.

Mos thuaj : Vallë si do të jetë e mundur ringjallja e këtyre gjallesave të vdekura?

Sikurse bimët që vdesin në dimër e ringjallen në pranverë, ashtu do të jetë. Sikurse fara e tharë hidhet në tokë e gjallërohet duke gjelbëruar, ashtu do të jetë.

Sikurse buka e bërë prej miellit të grurit të thatë, apo mishi o kafshëve, në trupin e njeriut gjallërohen duke u shndërruar palcë për kockat, për muskujt, për krahët, edhe njerëzit me siguri do të ringjallen.

Kur Ubej Bin Halef, këmbëngulës në mohim, duke i treguar Profetit tonë një kockë të thatë e pyet: “Këtë kush do ta ringjallë?” përgjigjen Profeti (a.s) ja jep nga Kur’ani: “Kush i dha jetë në fillim, Ai do ta ringjallë” (Junus, 10/34).

Zoti që na mësoi ruajtjen e trupit pa u prishur nëpërmjet balsamimit, dhe ruajtjen e pamjes e të zërit në videokaseta, a s’mund ta ringjallë njeriun pas vdekjes së tij? Zoti që e krijoi njeriun nga hiçi, a pyetet se si do ta ringjallë pasi të dekompozohet e të shpërbëhet?

Ndërkohë që Allahu ruan programin e një peme të madhe në një farë të vogël, a mund të dyshohet se nuk i ruan dot shpirtrat e atyre që vdesin?

Kushtrim Guraj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here