Balena blu është një lojë që deri më tani është përgjegjëse për më shumë se 130 jetë në Rusi dhe është përhapur me shpejtësi në të gjithë botën. Komentuesit në internet sfidojnë “lojtarët” që të plotësojnë disa misione për 50 ditë.
Misionet përfshijnë dëmtim të vetes dhe mungesë të gjumit, nga të shikuarit filma të frikshëm e deri tek dalja për shëtitje në orë të vona. Të lodhur dhe konfuzë, fëmijëve u kërkohet që të kryejnë vetëvrasje, pasi kështu ata shpallen fitues të lojës.
Loja është përhapur me shpejtësi në internet dhe pre e saj kanë rënë kryesisht adoleshentët, nga vende të ndryshme të botës.
Personi që e krijoi këtë lojë, një 21-vjeçar rus, pak kohë më parë deklaroi se objektivi ishin pikërisht fëmijët, të cilët i quajti “mbetje biologjike” dhe pretendoi se po “pastronte shoqërinë”.
Në shumë shtete, autoritetet i kanë bërë thirrje prindërve që të tregohen të kujdesshëm në rast se dallojnë se fëmijët e tyre shfaqin shenja se kanë rënë në kontakt me këtë lojë.
Disa prej simptomave, sipas ekspertëve janë:
Largimi nga shoqëria dhe familja
Humor të keq dhe jo të lumtur
Irritim
Të shqetësuar në masë të tillë sa nuk bëjnë detyrat e përditshme
Shfaqje e papritur nervozizmi në drejtim të vetes dhe të tjerëve
Humbje të interesit nga aktivitete që dikur i argëtonin
Probleme në ngrënie dhe gjumë
Prindërit duhet të bëjnë kujdes me orët që fëmijët shpenzojnë në internet, ndaj kërkohet që ndaj tyre të ketë më shumë monitorim.