Home Zgjodhëm për ju. Zemërimi është këshillues i keq

Zemërimi është këshillues i keq

Të dashur vëllezër e motra, zemërimi dhe gjaknxehtësia bëjnë pjesë ndër vetitë e këqia të njeriut. Njeriu që zemërohet shpejt dhe nevrikoset pa arsye, zakonisht ka marrëdhënie të këqia e të tensionuara me njerëzit e tjerë si dhe është në konflikt të vazhdueshëm me ambientin që e rrethon. Kjo veti e shëmtuar mund të ketë pasoja negative, sepse personi që vuan nga kjo, mund ta gjejë veten lehtësisht nën ndikimin e shejtanit dhe për rrjedhojë të bëjë gjynahe. Njeriu gjaknxehtë është si guri shkëmbor që rrokulliset apo si treni të cilit i janë prishur frenat. Shkatërron gjithçka gjen përpara dhe asgjë s`mund ta ndalojë.

Gjaknxehtësia e sëmurë e çon njeriun drejt veprimeve të nxituara e të pamenduara, për të cilat do të pendohet më vonë. Në raste ekstreme mund të çojë në gabime të pandreqshme si për shembull vrasja e një personi të pafajshëm apo ndarja e nxituar dhe e pamenduar nga bashkeshorti ose bashkëshortja.

Gjaknxehtësia mund ta detyrojë njeriun të humbasi kontrollin e fjalës duke bërë kështu që të thotë gjëra që në kushte normale dhe në qetësi nuk i thotë kurrë.

Sidoqoftë duhet thënë se gjaknxehtësia mund të luftohet. Po kështu, është e vërtetë që të jesh i sukseshëm në këtë luftë, nevojitet jo vetëm vullneti i fortë, vendosmëria dhe durimi i madh, por mbi të gjitha nevojitet besimi i fortë e me sinqeritet tek fakti se Allahu na ndihmon në luftën në fjalë.

Në Kuran dhe në synetin e Pejgamberit gjejmë këshilla të çmuara:

1. Një menyrë se si mund të mposhtet gjaknxehtësia është kërkimi i strehimit dhe i mbrojtjes tek Allahu. Një nga shokët e Pejgamberit ka thënë: „Një herë po rrinim me Pejgamberin dhe pamë sesi dy burra po shaheshin me njëri-tjetrin. Njërit prej tyre iu skuq fytyra nga zemërimi dhe i kërcyen damarët. I Dërguari i Zotit iu drejtua: „Kam dijeni për disa fjalë, të cilat po ti shprehte ky burrë, nuk do ti ndodhte kjo që po shohim. Këto fjalë janë: Rend për tek Allahu, larg djallit (shejtanit) të mallkuar (eudhu bi-Lláhi mine ’sh-shejtáni ’rr-rraxhim)’.“

2. Një mënyrë tjetër sesi mund të mposhtet gjaknxehtësia është heshtja e plotë. Kjo edhe nëse dëgjojmë të thuhen ndaj nesh sharje, fyerje apo kritika të padrejta, sepse nuk korrigjohet gabimi me gabim. Myslimani nuk duhet ta humbasi kontrollin mbi gjuhën e vet, sepse mund të lëndojë të tjerët në gjaknxehtësi e sipër. Nëse i hidhet benzinë zjarrit, kjo e rrit zemërimin dhe nuk zgjidh kurrgjë. Pejgamberi Muhamed, alejhis-selam, ka thënë: “Nëse dikush nga ju zemërohet, do të bënte mirë të heshtte!”

3. Mënyrë tjetër e zbutjes së zemërimit është ndryshimi i pozicionit të trupit apo edhe i vendndodhjes. Nëse personi i nxehur zemërohet gjendet në këmbë, le të ulet. Nëse rri ulur, le të shtrihet dhe e kundërta. Mund të braktisi dhomën ose vendin ku rri në momentin e zemërimit. Ndryshimi i pozicionit dhe vendndodhjes e ndihmon individin në zbutjen e zemërimit.

4. Kur zemërohemi duhet të kujtojmë gjithmonë hadithin e mëposhtëm nga Ebu Hurejre ka thënë: ” Një ditë erdhi një burrë tek Pejgamberi dhe i tha: „Më jep një këshillë të mirë.“ Pejgamberi iu përgjigj: „Mos u nxeh“ dhe e përsëriti këtë disa herë. ”

5. Gjithashtu duhet të mbajmë mend, se kontrolli i zemërimit është shenjë e besimtarit dhe e besimit të thellë në Allah. Në Kuran thuhet: Dhe nxitoni për tek mirësia e Zotit tuaj dhe tek kopshti (i Parajsës) madhësia e të cilit është e barabartë me qiejt dhe tokën. Ai është bërë gati për besimtarët të cilët në momente të mira e të këqia dhurojnë (nga ajo çka jua ka dhënë me bujari Zoti) dhe që mposhtin zemërimin si dhe falin fajtorët.

Të dashur vëllezër e motra, ta dini se gjaknxehtësia nuk i jep njeriut guxim dhe as nuk e ndihmon atë në zgjidhjen e problemeve. Gjaknxehtësia mund të ketë pasoja katastrofale jo vetëm për atë që zemërohet por edhe për ata që i gjenden përreth. Sa të rinj kanë humbur të ardhmen e tyre, apo ndonjëherë edhe jetën, vetëm në sajë të disa minutave zemërimi, pikërisht, sepse kanë kryer krim nën mbërthimin e gjaknxehtësisë. Ata që e paguajnë më shtrenjtë janë fëmijët e pafajshëm. Sa familje e fqinjë janë armiqësuar për jetë a vdekje kot, vetëm për shkak të zemërimit. Pejgamberi ka thënë: „Mysliman është ai, prej gjuhës (dmth. fjalëve) dhe duarve (dmth. veprimeve) të të cilit, myslimanët e tjerë janë të sigurtë.“
Megjithatë duhet të theksojmë se, ka një lloj zemërimi që në kushte të caktuara është i lavdëruar dhe i kërkuar madje. Është fjala për rastet kur zemërohemi për gjëra të cilat janë në kundërshtim me ligjet e Zotit dhe ndaj individëve të cilët mohojnë Zotin dhe ligjet e Tij apo e fyejnë Atë. Thuhet se Pejgamberi nuk është zemëruar kurrë për hatër të vet por veçse për Allah e për fenë Islame. Tek Pejgamberi shihej zemërimi vetëm në rast se dikush fyente fenë e Zotit, prandaj edhe ne myslimanët kur shohim të bëhen padrejtësi ndaj fesë sonë, kemi të drejtë dhe detyrë të zemërohemi si dhe ta vejmë në dukje qëndrimin tonë.

Previous articleSi të luftojmë harresën ?
Next articleKurani është ilaçi i padiskutueshëm për të gjitha llojet e sëmundjeve dhe dobësive që prekin trupin dhe zemrën