Vlera dhe begatia e kohës kur zbret Allahu

1- Ajo është koha në të cilën pranohen lutjet dhe përmbushen nevojat e kësaj jete e të jetës tjetër, për atë që i lutet dhe i kërkon Allahut.

Muslimi transmeton në Sahihun e tij nga Xhabir ibn Abdilahi, se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Nata ka një orë në të cilën Allahu i dhuron një muslimani, që është duke u lutur në të, çdo të mirë të kësaj jete e të jetës tjetër që ai kërkon prej Tij. Kjo ndodh për çdo natë.”[1]

Kjo orë në të cilën pranohet lutja ndoshta është e njëjta kohë në të cilën zbret edhe Allahu. Megjithatë, këtë e di vetëm Ai xh.sh..

Imam El Ajni[2], duke sqaruar shkakun pse nuk u pranohet lutja shumë personave që luten në këtë orë, ka thënë: “Kjo ndodh për shkak të ndonjë mangësie në ndonjë prej kushteve të lutjes, siç është kushti i të ruajturit në të ngrënë, në të pirë e në veshje. Gjithashtu, kjo mund të ndodhë për shkak të ngutjes gjatë lutjes ose vetë lutja mund të përmbajë në vetvete një mëkat, siç është lutja që sjell shkëputjen e lidhjeve farefisnore. Gjithashtu, lutja mund të pranohet, por Allahu e vonon realizimin e saj në një kohë tjetër që Ai dëshiron të ndodhë realizimi i asaj që kërkohet në lutje. Ai xh.sh. e bën këtë lutje realitet në këtë botë ose në botën tjetër.” [3]

2- Ajo është koha në të cilën Allahu i fal ata që janë duke kërkuar falje. Allahu xh.sh. e ka garantuar këtë falje, siç na tregohet edhe në hadithin e zbritjes.

Allahu xh.sh. i ka lavdëruar në librin e tij fisnik ata që kërkojnë falje para agimit. Ai xh.sh. thotë: “..dhe ata që kërkojnë falje para agimit”[4] dhe “Ata që para agimit kërkojnë falje.”[5]

Kur Jakubi a.s. u tha bijve të tij: “Unë do t’i kërkoj falje Zotit tim për ju.”[6], thuhet se e ka vonuar kërkimin e lutjes para agimit[7], e cili përfaqëson pjesën e fundit të natës.

Kjo që thamë mjafton për të nxjerrë në pah vlerat dhe begatitë e kohës kur Allahu zbret në qiellin e dunjasë. Për këtë shkak, të parët tanë të mirë parapëlqenin vonimin e namazit të natës në pjesën e fundit të saj[8], me qëllim që të falnin namaz në kohën e zbritjes së Allahut xh.sh.. Pjesa e fundit e natës është koha më e mirë për të kryer namaz vullnetar.

Ëmbëlsia e thirrjes, shija e adhurimit, kënaqësia e lutjeve të mira e të tjera të ngjashme me këto, të cilat i përjeton personi që fal namaz në pjesën e fundit të natës, janë të gjitha pa dyshim gjurmë të zbritjes së Allahut.[9] Nga gjurmët e mira që lë kjo kohë, janë edhe ëndrrat e pastra dhe të sakta, që njeriu i sheh gjatë saj.

Ebu Seid Hudriu transmeton, se i Dërguari i Allahut r.a ka thënë: “Ëndrrat më të vërteta janë ato që shihen para agimit.”[10]

Ibn Kajjimi thotë: “Ëndrrat më të vërteta, janë ëndrrat që shihen para agimit, sepse para agimit është koha kur zbret Allahu, kur afrohet mëshira dhe falja, dhe kur struken djajtë.”[11]

Kur folëm rreth vlerave të ditës së Arafatit, thamë se Allahu i Madhëruar zbret atë ditë në qiellin e dunjasë, dhe i krenohet melaikeve me haxhinjtë e pranishëm, dhe se atë ditë Allahu shpëton shumë njerëz nga Zjarri.

Ibn Tejmije, duke treguar për gjurmët që lë kjo gjë në zemrat e haxhinjve, thotë: “Besimi, mëshira, drita dhe begatia që zbresin në zemrat e haxhinjve pasditen e ditës së Arafatit, janë të papërshkrueshme.”[12]

Këtu mbarojnë edhe temat në lidhje me kohët e begata. Le t’i shfrytëzojmë këto kohë të vlefshme e të begata në gjëra që na sjellin dobi materiale e fetare dhe në gjëra që na i shtojnë veprat e mira. Lusim Allahun të na japë sukses.

[1] Sahihul Muslim 1/521, kapitulli i namazit të udhëtarëve, tema: “Nata ka një orë në të cilën pranohet lutja”.
[2] Ai quhet Mahmud bin Ahmed bin Musa, Ebu Muhamed Bedridin El Ajni Hanefiu, imam, dijetar i hadithit, gjuhëtar dhe historian. Ai ka jetuar në Egjipt dhe ka qenë gjykatës i Kajros, më pas i është përkushtuar vetëm mësimdhënies dhe shkrimit të librave. Ai ka shkruar disa libra si: “Referimi i lexuesit për shpjegimin e Sahihul Buhari”, “Fjalët e hadithive për të shpjeguar kuptimin e tregimeve”, “Qëllimet e gramatikës” etj… Ai ka vdekur në vitin 855 H. Shih: “Pllaka të Arta” 7/286, “Drita vezulluese për të njohur biografitë e hanefive”, fq. 207 dhe “Pishtarët “7/163.
[3] “Referimi i lexuesit për shpjegimin e Sahihul Buhari” 7/201.
[4] Ali Imran; 17.
[5] Edh Dharijat; 18.
[6] Jusuf; 98.
[7] “Tefsiri i Ibn Kethirit” 1/354.
[8] “Libri i Sheriatit” i El Exhurrit fq.309.
[9] “Shpjegimi i hadithit të zbritjes”, fq. 38.
[10] “Suneni i Tirmidhiut” 4/534, kapitulli i ëndrrave, tema: “Ajeti “Atyre u takon përgëzimi në jetën e dunjasë”; “Suneni Daremiut” 2/125, kapitulli i ëndrrave, tema: “Ëndrrat më të vërteta janë ato ëndrra që shihen para agimit”; “Musnedi i Ahmedit” 3/29 dhe “Mustedraku i Hakimit” 4/392. Hakimi thotë: “Ky është një hadith me zinxhir të saktë transmetimi, por që Buhariu me Muslimin nuk e kanë transmetuar.” Po me të njëjtin mendim është edhe Dhehebiu. Gjithashtu, Sujuti e ka konsideruar këtë hadith të saktë në librin e tij “Tubimi i vogël” 1/43.
[11] Shih librin e Ibn Kajjimit: “Rrugët e udhëtarëve” 1/52.
[12] Shpjegimi i hadithit të zbritjes, fq. 39.

Leave a Reply