Vetëpëlqimi është pëlqimi i vetes dhe të ndierit superior ndaj të tjerëve. Çdo njeri është goditur nga sëmundja e vetëpëlqimit. Vetëpëlqimi mund të konsiderohet si një sëmundje e rrezikshme, e cila nëse e godet njeriun do ta shkatërrojë atë dhe do asgjësojë veprat e tij, po ashtu mund të koniderohet si një çrregullim mendor. Njerëzit që përjetojnë një ndjenjë të tillë i japin rëndësi vetes së tyre. Ata mendojnë se janë më lartë se të tjerët dhe kanë pak konsideratë për ndjenjat e të tjerëve. Persona të tillë në shumicën e rasteve nuk janë real, por mbajnë një maskë, ku pas saj qëndron një vetërespekt i lartë për veten dhe një ndjeshmëri e lartë ndaj kritikave.
Personat që ndiejnë vetëpëlqim kanë një ndjenjë të madhështisë së vetevetes, mbivlerësojnë aftësitë e tyre, hiperbolizojnë zotësitë e tyre. Kanë tendencën të vetëlavdërohen dhe pretendojnë shumë. Duke qenë se ata pretendojnë se janë unik, po ashtu presin nga të tjerët që t’i cilësojnë me cilësitë që ata e mendojnë veten e tyre. Ata janë të bindur që vetëm njerëzit e nivelit të tyre mund t’i vlerësojnë. Po ashtu kanë tendencën të shoqërohen me persona që janë të të njëjtit nivel me ta.
Shenjat që mund t’i karakterizojnë persona të tillë janë:
· Besojnë se janë më të mirë se të tjerët
· Fantazojnë për sukses, energji dhe atraktivitet
· Ekzagjërojnë arritjet e tyre në jetë
· Janë të pritur për t’u lavdëruar
· Ngurrojnë të njohin emocionet dhe ndjenjat e të tjerëve
· Mund të përbuzin të tjerët duke i bërë të ndihen inferior
· Mendojnë se të tjerët ndiejnë xhelozi për arritjet e tyre
· Janë problematikë në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme
· Vendosin qëllime jorealiste
· Mund t’i lëndojnë të tjerët
· Nuk ndiehen mirë nga arritjet dhe sukseset e të tjerëve
· Ata kanë një ftohtësi emocionale dhe mungesë respekti e konsiderate për të tjerët
Shumë njerëz janë shkatërruar nga vetëpëlqimi. Pranimi i vetëpëlqimit është një realitet i pamohueshëm dhe mund të konsiderohet si një ves. Prania e vetëpëlqimit tek njeriu është mungesë e prehjes shpirtërore në këtë botë dhe ndëshkim në ahiret. Personave, të cilëve iu pëlqen vetja, mbajnë brenda vetes çdo të keqe egoiste, si: shpifja dhe zemërimi, urrejtja, mllefi, gënjeshtra. Po ashtu, persona të tillë kanë tendencën të hulumtojnë mbi të metat e të tjerëve dhe t’ia zbulojë ato. Kjo gjë ndodh nga sëmundja e nënvlerësimit të të tjerëve. Po ashtu personat që ndjejnë vetëpëlqim, nuk karakterizohen nga cilësi të tilla si: modestia, thjeshtësia, sinqeriteti, drejtësia dhe nuk mjaftohen me atë që kanë apo me atë që janë.
Mund të jetë dikush që Allahu i ka dhënë bukuri dhe i nënvlerëson të tjerët që janë më të shëmtuar se ai, duke harruar që këtë mirësi e ka nga Zoti i Madhërishëm, mbi të gjitha duke harruar që kjo bukuri është e përkohshme. E njëjta gjë mund të ndodhë me një person që ka dije, por ky person nuk duhet të harrojë që patjetër do jetë dikush tjetër që është jetë më i zgjuar se ai. Një prej gjërave më të rrezikshme është fama që mund të fitojë njeriu në jetë. Kjo mund të ndikojë në rritjen e vetëvlerësimit tek vetja. Duke u ndjerë i aftë për çdo gjë. Famën që e arrijnë njerëzit në jetë mund t’ia atribuojnë vetes, duke harruar se çdo mirësi është prej Zotit. Në përgjithësi njerëzit që e duan famën udhëhiqen nga mendime se e meritojnë, pasi janë të aftë.
Por si mund ta kuptojmë që ne vuajmë nga vetëpëlqimi?
Nuk mund ta mohojmë faktin që gjithsecili nga ne ka momente që mund të kënaqet me punën apo me arritjet e tij. Vetëpëlqimi mund të kapet që në momentet e para që e ndjenë atë. Kjo do të thotë që këtu fillon lufta me veten. E keqja duhet të ndërptitet që në rrënjë. Nëse nuk lufton që në fillim me të, do të thotë që me kalimin e kohës kjo ndjenjë do rritet brenda teje, madje do përhapet si virus, i cili të pushton dhe është e vështirë të shërohesh.
Nuk duhet të harrojmë se njerëzit janë me gabime, e rëndësishme është që në çdo moment që e kuptojmë duhet të pendohemi dhe mos t’i rikthemi kësaj vepre të shëmtuar, e cila vepron në fshehtësi. Në qoftë se ne nuk e kuptojmë dhe kjo sëmundje ka kapluar zemrën tonë është me të vërtetë problem. E rëndësishmë është që nëse dikush na këshillon për një gjë të tillë, të konsultohemi me një person kompetent që ka informacion mbi këtë fushë, që të na japë këshillat dhe udhëzimet e duhura.
Si mund të shërohemi nga vetëpëlqimi?
Sipas studiuesve vetëpëlqimi është sëmundje dhe, si çdo sëmundje dhe kjo, ka nevojë për shërim.
Ka thënë Jusuf ibn el-Husejn: “Vetëpëlqimi për punën lind nga harresa e dhuntisë së Allahut ndaj teje, kur Ai ta ka mundësuar ta adhurosh Atë”.
Ai njeri që sprovohet me vetëpëqlim le të meditojë për mangësitë e veta. Nëse i pëlqejnë gjërat e bukura tek vetja, le të kujtojë gjërat e ulëta tek ai. Po ashtu duhet të ndërgjegjësohet që kjo është një sprovë, të kujtojë që njeriu është i gabueshëm i dobët dhe me mangësi. Po ashtu nuk duhet të harrojmë që asnjë njeri nuk shpëton nga të metat. Nuk duhet të hulumtojmë gabimet e të tjerëve, por duhet të hulumtojmë mbi të metat e vetes tonë.
Nuk duhet të bëjmë krahasime me një person që ka shumë të meta. Por gjithmonë duhet të krahasohemi me personat që janë më lartë se ne. Kjo gjë do ta shkatërrojë vetëpëlqimin dhe është shkak që të shërohemi nga kjo sëmundje, që në vetvete bazohet me përbuzjen ndaj njerëzve.
Kur njeriu e punon një të mirë dhe e gëzon kryerja e saj, nuk ka krijuar Allahu diçka më të dëmshme se kjo për atë njeri. E punon njeriu një vepër të keqe, derisa ajo e pikëllon shumë kur e kryen atë, Allahu nuk ka krijuar të mirë e më të dobishme për të. Kjo ndodh sepse kur njeriu e punon një vepër të mirë dhe bëhet kryelartë me të, bëhet shkak që ta shohë veten më lart se të tjerët. Kjo gjë bën që të asgjësohen të gjitha veprat e tij.
Çdo punë që ne e punojmë duhet ta kuptojmë arsyen pse e bëjmë dhe nuk duhet të mahnitemi me veten tonë. Duhet të kemi parasysh se kur bëjmë ndonjë vepër, duhet të kujtojmë se këtë vepër e bëjmë për kënaqësinë e Allahut, pasi suksesi që kemi është nga Allahu dhe jo nga ne. Zoti është Ai që na ka begatuar me fjalë dhe me vepra të mira.
Por njeriu nuk duhet të bëhet pesimist dhe të mendojë që kjo gjë është pa zgjidhje. Për çdo sëmundje ka zbritur dhe ilaçi. Pa dyshim që dhe për vetëpëlqimin ekzistojnë forma dhe metoda të ndryshme për kurimin e tij. Mbi të gjitha e rëndësishme është që ne t’i mbështetemi Zotit, pasi me lejen e tij ndodh çdo gjë. Mund të ekzistojnë shumë teori apo terapi për shërimin e vetëpëlqimit, por mënyra më e mirë është frika ndaj Allahut të Madhërishëm.
Kush mahnitet me mendimin e tij devijon,
Kush mjaftohet me mendjen e tij dështon,
Kush krenohet para njerëzve nëncmohet !