USHQIMET QË HANTE DHE PËLQENTE I DËRGUARI I ALLAHUT ALEJHI SELAM !!

0
600

Prej udhëzimit dhe traditës së tij (alejhi selam) në ushqim ishte se ai nuk e refuzonte atë që gjendej dhe as nuk kërkonte atë që nuk gjendej. Çdo ushqim të mirë që i është ofruar ai e ka ngrënë, përveç atyre që nuk ia pranonte vetja: këto i linte dhe nuk i ndalonte.

Asnjëherë nuk e ka sharë ushqimin. Nëse donte, hante ose në të kundërt e linte. Për shembull, njëherë nuk hëngri mish dab-i (një lloj hardhuce shkretëtire), ngaqë nuk ishte mësuar me të, e në të njëjtën kohë nuk ia ndaloi umetit të tij, edhe pse shikonte ata që hanin atë lloj mishi në sofrën ku ndodhej edhe ai.

Pejgamberi ka ngrënë ëmbëlsira dhe mjaltë; të dyja këto i donte dhe i pëlqente. Ka ngrënë mish deveje, deleje, pule, pule të egër, zebre, lepuri, kafshët e detit. Ka ngrënë mish të pjekur. Ka ngrënë hurma arabie të buta dhe të thata, ka pirë qumësht safi dhe qumësht të përzier. Ka ngrënë bollgur. Ka pirë edhe mjaltë të përzier me ujë, lëng hurme arabie, sikurse ka ngrënë edhe çorbë prej mielli, qumështi dhe mishi të grirë. Ka ngrënë tranguj me hurma, ka ngrënë kaçkavall, hurma me bukë, bukë me uthull, mish me përshesh, bukë me dhjamë të shkrirë, mëlçi të pjekur në zjarr, ka ngrënë mish të tharë, kungull të gatuar, të cilin edhe e pëlqente. Ka ngrënë edhe kungull të zier, ka ngrënë përshesh me dhjam të shkrirë, ka ngrënë djathë, bukë me vaj ulliri, bostan me hurma, hurma me gjalpë, të cilat i pëlqente.

Asnjëherë s`e ka refuzuar ushqimin e mirë, e asnjëherë nuk kërkonte atë që nuk gjendej. Tradita e tij ishte të hante atë që gjendej. Nëse nuk kishte gjë, duronte, derisa arrinte të lidhte mbi barkun e tij një gur, për shkak të urisë.

Kalonin dy muaj, dhe në shtëpinë e tij nuk ndizej zjarr për gatim. Në shumicën e rasteve ushqimi i tij vendosej shtruar në tokë mbi sofra prej lëkure; e këtillë ishte sofra e ushqimit për të.

Ai hante me tre gishta. Kjo është mënyra më fisnike e të ngrënit, sepse mendjemadhi ha vetëm me një gisht, kurse llupsi ha me pesë gishta dhe e shtyen ushqimin me shputën e dorës.
Nuk hante duke qëndruar i mbështetur. Pejgamberi, sikurse shënon Buhariu ka thënë: “Unë nuk ha i mbështetur”.

“Zadul mead” vëllimi i parë: Ibn Kajim el-Xheuzije