Ushqimet e modifikuara gjenetikisht, rrezik apo jo për qenien njeri

0
560

Në kuadër të ajeteve kur’anore me një dimension shumë të gjerë na paraqitet edhe fjala e Tij ku thuhet: “…ua lejon ushqimet e mira dhe ua ndalon ushqimet e këqija.” (A’raf: 157), që reflekton një filozofi dhe urtësi të veçantë që për qëllim ka ruajtjen e jetës fizike dhe shenjtërinë e saj.

Ajo arrihet duke i kushtuar kujdes ushqimeve dhe pijeve që ai i konsumon, që vetëm ashtu mund të kontribuon në ruajtjen e gjësë më të shtrenjtë, të cilën e ka të dhuruar nga Allahu, jetën, gjegjësisht shëndetin fizik. Diçka e re që për popullatën tonë pos që është interesante, është dhe mjaft sfiduese dhe e paqartë në fushën e ushqimeve llogaritet çështja e ushqimeve me OMGJ. Shkurtesa OMGJ e deshifruar si organizëm i modifikuar gjenetikisht, nënkupton faktin se gjenet që janë përbërëse të një produkti ushqimor, kanë pësuar ndryshime, dhe ashtu të modifikuar me organizma tjerë të “huaja” më nuk janë ato që natyrshëm kanë qenë në esencë ashtu të krijuara nga Allahu.

Kohëve të fundit jeta fizike e njeriut nuk po kërcënohet vetëm se me anën e forcës fizike, por si duket me një mënyrë ironike, kinse po shfaq interes për njeriun, vet njeriu po rrezikon veten dhe sojin e tij njerëzor. Këtë po e bën pikërisht duke i ofruar atij ushqime “fantastike“ me një “hiper kualitet” që ashtu më lehtë, dhembshurinë që ndien për mungesën e ushqimit, ta zbusë “varfërinë” me anë të ushqimeve me OMGJ.

Dekadave të fundit mund të lexojmë shkrime të ndryshme mbi atë se nga ana e Komisionit Evropian, për sa i përket sigurisë së ushqimeve të padëmshme për njerëzit po miratohen rezoluta të ndryshme. Viteve të fundit, e sidomos këtë vit, po ndihet mungesë e madhe e grurit, ndërsa mungesa e ujit të pijshëm, si një problematikë akoma aktuale, gjithashtu përfshiu përmasa mjaft të gjëra.

Një lloj misri për konsum njerëzor i modifikuar gjenetikisht, pos që mbulon mungesën e misrit ajo ka dhe një qëllim të caktuar, që është prodhimi i një substancë që vjen nga bakteriet që vrasin insektet dëmprurëse, e krijuar nga një kompani zvicerane me emrin Syngeta.

Sipas rregullave evropiane, të gjitha ushqimet për konsum njerëzor duhet të kenë të shkruar në etiketë se kanë organizma të modifikuara gjenetikisht. E natyrshme është që njeriu të ketë dyshime kur ai si konsumator do ta blejnë një lloj ushqimi, të konservuar apo të pakonservuar, i modifikuar gjenetikisht ligjërisht apo jo.

Ndonëse mbi çështjen e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht popullata e vendit tonë nuk ka njohuri të mjaftueshme, të mos them as elementare, brengoset apo së paku duhet të brengoset, ngase kështu edhe në shumë vende evropiane, të cilat kanë njohuri më të shumta mbi këtë problematikë, ka një dyshim të përhapur për ushqimet e modifikuara gjenetikisht.

Në Bruksel gjatë vitit 2004 u organizua takimi i dytë “Open Day” mbi standardizimin në fushën ushqimore, për organizatat Evropiane dhe ndërkombëtare. Qëllimi i Open Day është një shtysë që Komiteti Evropian i Standardizimit (CEN) të përmbushë objektivat e tij primare në përgjigje të nevojave të shoqërisë dhe të tregut, si dhe e përfshirjes së të gjithë grupeve të interesuara në projektet e standardizimit. Gjatë kësaj konference me të drejtë u konstatua se industria ushqimore llogaritet njëri nga sektorët ku duhet të vihen më shumë rregulla se sa në sektorët tjerë.

Para se gjitha kemi të bëjmë me shëndetin e njeriut, i cili dhe për të cilin bëhet e gjithë kjo veprimtari. Në një numër të shitoreve tona lirisht mund të thuhet se nuk ka një inspektim të rreptë dhe një kontroll permanent të inspektimit të ushqimeve për konsum njerëzorë. E vërtetë e pakontestueshme është fakti se ekziston një mungesë e madhe e informimit të publikut të gjerë për produktet gjenetikisht të modifikuara, që paraqet mungesë transparence në sektorët përkatës. Si duket nga kriza e krijuar me grurin këtë vit, do ta llogarisim si të “mirëseardhur” atë që BE-ja, në të cilën familje dhe ne po admirojmë të jemi, ka aplikuar disa lloje të ushqimeve, e në këtë kuadër edhe të misrit, dhe të ushqimeve të tjera të modifikuara gjenetikisht, si konsum i lejuar për shitje.

Janë bërë përpjekje të mëdha nga shumë organizata mbi sigurinë e ushqimeve. Problematika e parë që kërkohet për të pasur një gjeneratë me ushqim të shëndoshë nevojitet një legjislacion i mirëfilltë i shtetit, duke miratuar kështu një ligj të fuqishëm jo vetëm se si një dekor ligjor, por me një efikasitet ligjor mbi ushqimin. Po ashtu të zbatohet në përpikëri Rregullorja mbi kontrollin zyrtar ushqimor dhe ushqimin, gjithashtu duke mos injoruar me këtë rast miratimin e një legjislacion mbi higjienën në ushqime.

Organizmat e modifikuara gjenetikisht mund të kenë rreziqe të kërcënojnë njeriun, ngaqë ato janë organizma që ndryshojnë nga ato natyrale.

Për nga aspekti kuantitativ ia tejkalojnë ushqimeve natyrale, ndërkaq për nga aspekti kualitativ ato mund të jenë të dyshimtë, ngase kanë ndërhyrjen e qenies njeri dhe janë paksa artificiale në krahasim me ato natyrore të cilat Allahu i ka falur në natyrë. Natyra e njeriut e krijuar nga Allahu është krijesë së cilës i përshtaten dhe nuk i dëmtojnë asgjë nga konsumi natyror i padëmshëm të cilin Allahu e bëri të dobishëm për shëndetin e tij. Prandaj, ngatërrimi i kësaj mënyre të përbërjes strukturale të ushqimeve dhe rruga ndryshe, jonatyrore nga ajo që vije konsumi ushqimor si prodhim i fundit për njeriun, s’do mend se ka hapësirë për të dyshuar mbi ushqimet të modifikuara gjenetikisht.

Futja e gjallesave të ndryshme që nuk janë autoktone, ndonëse janë edhe ato kushtimisht thënë “natyrale”, pos tjerash shkaktojnë ndryshime në mjedis, në biodiveristet që mund të llogarisim dhe një lloj i veçantë i krimit. Aktualisht në shumë vende evropiane, që është mjaft interesante Zvicra duke e fokusuar interesin e saj në përfitime material, marketet ushqimore nuk pranojnë ushqime me modifikime gjenetike, për shkak të frikës së humbjes së konsumatorëve.

Në Bruksel para disa viteve shumica dërmuese e shteteve votuan kundër sa i përket ndalesës për hyrje të OMGj-Organizmave të Modifikuara Gjenetikisht nga SHBA, e cila llogaritet nga shtetet më të mëdha me eksport të ushqimeve me OMGJ. Më konkretisht ushqimet me OMGJ që janë jo legalisht të modifikuar gjenetikisht nuk lejohen të futen në shtetet evropiane.

Është çudi e madhe për njeriun se nuk din edhe më të kupton qartë se jeta, gjëja më e shtrenjtë që i është dhuruar nga Allahu, si rezultat i globalizimit, është shndërruar si një “lloj prodhimi ultimativ”. Në botën e ashtuquajtur të tregtisë së lirë, planetin Tokë e ka zëvendësuar Jeta, gjegjësisht inxhinieria gjenetike ka filluar të krijojnë koloni të reja për t’i thith ato ashtu sikur një gjakpirës që thith gjakun pa dhimbshëm.

Si duket më toka, malet, lumenjtë, oqeanet e atmosfera është ndotur. Kapitali, për njerëzit të cilëve jetën dhe gjithçka në jetë e ndërlidhin me pasuri, tash duhet të gjejë ndonjë koloni tjetër që ta shndërrojë duke e arkëtuar dhe vendosur në pasurinë e tyre të majme. S’ka kush tjetër më që mund të sjellë profit marramendës pos trupi i njeriut, bimët, kafshët dhe ajo që u nevojitet atyre për jetë. Nëse shekulli XX ishte shekulli i naftës, në bazë të rrjedhave të kohës si duket shekulli XXI do të jetë shekulli i biologjisë dhe familjes së saj dhe inxhinierisë gjenetike dhe familjes së saj.

Korporatat e mëdha kimike janë riemëruar me “pa të drejtë” në “Korporata mbi njohuritë mbi jetën” dhe mundohen, duke bërë luftë të pamëshirshme, që mbi jetën si dhuntinë më të madhe nga Allahu, të kenë fjalën e tyre “vendimtare”. Në të kaluarën ruajtja dhe kultivimi i një fare për t’u mbjellë që dikur ishte obligim i shenjtë ndaj Tokës, sot është shndërruar në krim të llojit të vet. Mirëpo njerëzit të hutuar, në garim par exselans, pas pasurisë e hulumtimeve shkencore, duke bërë programim selektiv të AND-së të një bime apo produkti tjetër, thënë kushtimisht duke “determinuar” produktin ushqimor, aplikojmë një teknologji ushqimore terminatore, me ç’rast edhe njeriu i paudhëzuar në bujqësi, e të mos flasim për bujkun, se i rrezikohen mjetet për jetesë.

Allahu deshi që ushqimi, e në rend të parë uji, t’u sigurojë jetë të gjitha qenieve të gjalla në Tokë, por si duket këto janë vetë sendet më shumë se asgjë tjetër të rrezikuara dhe atë për shkak të kontaminimit të tyre, dhe për shkak se janë shndërruar në artikull manipulimi.

Industrializimi i përmbajtjes së ushqimeve na ka dhuruar ne çmendurinë e kafshëve, kancerin etj., ndërkaq në anën tjetër inxhinieria gjenetike po sjell rreziqe të reja në zinxhirin e korporatave ushqimore. Kontaminimi gjenetik i ushqimeve është shkak i shumë çrregullimeve shëndetësore.

Hulumtues të ndryshëm sqarojnë se çfarë rreziqesh mund të ketë në jetën njerëzore dhe tek kafshët, aplikimi i inxhinierisë gjenetike. Në vijim po cekim disa nga to:

1) Reaksionet toksike apo alergjike mund të paraqiten si pasojë e prodhimeve transgjenetike apo një lloj interaksioni mes atyre prodhimeve dhe prodhimeve natyrore.

2) Përdorimi i pesticideve të shumta tek rendimentet bujqësore, bereqetet e mbjella rezistente ndaj tyre mund të jetë shkak i shumë sëmundjeve të fushave dhe të ndotë ujin aty.

3) Përhapjen e gjeneve që janë rezistent ndaj shumë antibiotikëve në zorrët e bakterieve patogjene.

4) Përhapjen e virtualitetit mes gjeneve patogjene në mesin e llojeve që vijnë si rrjedhojë e transferit horizontal dhe rikombinimin e tyre.

5) Mundësia e transferit horizontal të gjeneve dhe rikombinimi i tyre me ç’rast do të bëheshin baktere patogjene dhe viruse të reja.

6) Mundësia e infektimit të gjëndrave në organizëm pas konsumimit të këtyre ushqimeve që do të vinte gjer te regjenerimi i viruseve dhe mundësia e dëmtimit të qendrës së genomit që mund të ketë pasoja marramendëse, duke pas parasysh këtu edhe kancerin, etj.

Është vërtetuar se të gjitha ushqimet të modifikuara gjenetikisht përmbajnë në vete rezistencë ndaj antibiotikëve, që mund me shpejtësi të shpërndajnë atë rezistencë në tërë organizmin. Shumë bimë janë rezistentë ndaj viruseve që sjellin sëmundje që ka ardhur duke u venduar bimëve konkrete gjenin e proteinit që e sulmon këtë virus që jep rezultat pozitiv, mirëpo ky gjen mund të shkakton sëmundje tjera. Ekziston mundësia me këtë rast që ato gjene të rikombinohen dhe të shfaqet ndonjë virus tjetër, e kjo mund të sjellë në ndonjë epidemi me përmasa katastrofale.

Dihet që bima për t’u zhvilluar i nevojitet uji. Por si duket keqpërdorimi më i madh që bëhet mbi një pasuri natyrore është pikërisht uji. Në bazë të vlerësimeve të Bankës Botërore “në vitet që vijnë lufta do të zhvillohet për ujë”.

Sot, më se mbi tridhjetë shtete, rrezikohen për mungesë të theksuar të ujit, ashtu që në bazë të statistikave të ndryshme botërore gjer në vitin 2025, 2/3 e njerëzisë do të ballafaqohet me mungesë të ujit. Fakti që sot në territorin e Makiladorës në Meksikë ujë për pije ka aq pak saqë foshnjat dhe fëmijët pinë Koka-Kollë (Coca-cola) dhe Pepsi, është një realitet i pakontestueshme. S’ka dyshim që korporatave të mëdha si ajo e Koka kollës u ka sjellë të ardhura të mëdha, duke e shfrytëzuar kështu mungesën e rezervave të ujit në këtë vend.

Si duket jeta ka humb “hyjsinë” e saj, dhe njeriu i dobët nuk po mund të arrijë gjer tek pasuritë natyrore që Allahu i ka krijuar për të gjithë, për shkak se më ato po kontaminohen nga “truri i helmuar” i njeriut “modern” që thirret në shkencën e tij (në të arriturat sidomos në fushën e inxhinierisë gjenetike e asaj bioteknologjike dhe biologjisë) me ç’rast vet po e rrezikon jetën e tij. Shekulli XX ishte rrezikimi nga radioaktiviteti, e shek XXI do të jetë rrezikimi nga mbeturinat transgjene që në përmasa marramendëse do ta rrezikon, jo vetëm sojin njerëzor, por atë organike e joorganike me pasoja të paparashikueshme.

Në Maqedoni me 15 Korrik të vitit 2002 kur në nr. 54, u shpall në “Gazetë zyrtare”, “Ligji për siguri të ushqimit, prodhimeve dhe materialeve që vijnë në kontakt me ushqimet” me ligj filloi të rregullohet kjo çështje. Kështu në kapitullin e parë, ku parashihen rregulla të përgjithshme, në nenin 1 dhe 2 në mënyrë të përgjithshme u përshkruan të gjitha parimet e përgjithshme që duhet t’i përmban ushqimi dhe u sqarua se çka mund të jetë ushqim i sigurt dhe kur mund të jetë ai i tillë. Në kapitullin e tretë (neni 5, 6, 7, 8) ku flitet për sigurimin e ushqimit nuk ceket aspak se ushqimi i cili është i modifikuar gjenetikisht duhet të përmban atë etiketë, deklaratë gjegjësisht që ushqimi i ofruar blerësve është ushqim me OMGJ-i modifikuar gjenetikisht apo është pa OMGJ, që mendoj se është një e padrejtë dhe për këtë duhet blerësi të jetë i informuar se çfarë ushqimi blen dhe do ta konsumojë. Mendoj se ushqimet me OMGJ, qofshin me prejardhje bimore apo shtazore, nuk duhet t’u ofrohet njerëzve, gjersa ato nuk kontrollohen detajisht. Me atë rast kur u ofrohet një zgjedhje e ushqimeve me OMGJ e nuk janë përfundimisht apo legalisht të modifikuara mund të rrezikojnë direkt shëndetin e tyre, dhe kështu po i jepet mundësia që legalisht të rrezikon jetën e tij, veprim ky që nuk është aspak ligjor dhe moral. Zoti në Kur’anin Famëlartë thotë:

“Dhe mos e hidhni veten në rrezik (zhdukje dhe shkatërrim)…“ (Bekare: 195)

“…U janë të lejuara të gjitha ushqimet e mira…” (Maide: 4)

“…Ua lejon ushqimet e mira dhe ua ndalon ushqimet e këqija.” (A’raf: 157)

“Gjahu dhe ushqimi në det u është lejuar si kënaqësi për ju…” (Maide: 96).

Dr. Shaban Sulejmani