UNË JAM FEJA !

0
502

Një ditë nga ditët, burri u nis për në një udhëtim me makinë së bashku me gruan dhe fëmijët, dhe rrugës e vërejti një njeri që po qëndronte në rrugë dhe u interesua për të se kush është?

Ky njeri iu përgjigj dhe i tha: Unë jam pasuria!

Burri e pyeti gruan dhe fëmijët se a ta marrim me vete në makinë?! – Të gjithë njëzëri i thanë se natyrisht se po, se me pasuri mundemi të bëjmë çfarë të duam dhe të posedojmë çfarë të duam, dhe pasuria hipi me ta në makinë.

Makina e vazhdoi rrugën dhe rrugës e takuan edhe një tjetër njeri. Burri e pyeti se kush je ti? – Iu përgjigj: Unë jam pushteti dhe pozita.

Burri e pyeti gruan dhe fëmijët se a ta marrim me vete? – Iu përgjigjën njëzëri të gjithë se me pozitë dhe me pushtet mundemi të bëjmë çfarë do dhe të posedojmë çfarë do! E morën me vete dhe u nisën me makinë.

Makina e vazhdoi rrugëtimin e saj dhe rrugës takonin njerëz të ndryshëm, si epshet dhe dëfrimin dhe kënaqësitë e dynjasë, etj, derisa në fund e takuan edhe një tjetër njeri dhe burri si zakonisht u interesua për të se kush është?! – Njeriu tha: Unë jam FEJA!

Burri dhe gruaja dhe fëmijët njëzëri thanë se tani nuk është koha e tij dhe se ne e duam dynjanë dhe kënaqësitë e saj, kurse feja do të na privon dhe do të na ngushton rrethin dhe do lodhemi duke e mësuar hallallin dhe haramin dhe namazin e agjërimin dhe.. dhe.. dhe kjo e tëra do të na rëndon, mirëpo mundemi të kthehemi dhe ta marrim me vete pasi që të kënaqemi me dynjanë dhe atë çfarë ka në të!

Kështu që s’e morën me vete dhe makina vazhdoi rrugëtimin ku papritmas ju doli një patrullë policie dhe i ndalën. Burrit i thanë të del nga makina dhe se për të rrugëtimi përfundoi dhe është i detyruar të shkon me njërin nga policët. Burri nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhë dhe çfarë kërkonte ky njeri nga ai.

Polici iu drejtua dhe i tha: unë po e kërkoj fenë.. ku është .. a është me ty feja??

Burri ia kthehu: Jo nuk është me mua, e lash në rrugë dhe nuk është larg nga këtu, mundem të shkoj e ta marr. Jo nuk mundesh më, për ty udhëtimi ka përfunduar, ia kthehu polici!

Mirëpo me mua në makinë është pasuria dhe pozita e pushteti dhe grua dhe fëmijët.. dhe.. dhe.. dhe..! Polici i tha: Ata nuk të bëjnë më dobi tek Allahu dhe të gjitha do t’i braktisësh dhe ajo që do të bënte dobi ishte feja po ti nuk e more me vete!

Burri i tha po kush je ti? U përgjigj: Unë jam vdekja nga e cila ishe i shkujdesur dhe nuk e llogaritkëshe fare.

Burri filloi të shikon makinën dhe e vërejti se në vend të tij gruaja e drejtonte makinën dhe me të ishin fëmijët dhe pasuria dhe pushteti dhe asnjëri nuk kishte zbritur me të!! E braktisën të vetëm!

Allahu thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese”. Ali Imran 185.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU