Pyetja:
Eselamu alejkum ue rahmetullah!
Allahu jua shpërbleftë punën e mirë që bëni.
Jam një motër muslimane që e lexoj faqen tuaj. Jam mbuluar tani afër, edhe pse vishesha me të gjata edhe në verë, shaminë e kam vendosur ka një muaj. Jam zyrtare dhe elhamdulillah në zyrë jam vetëm për momentin. Kjo më lehtëson faljen e vakteve në zyrë. Kam gjetur shumë përgjigje në webfaqen tuaj dhe kam mësuar shumë gjera që nuk i dija më parë. Kam dy pyetje.
-A lejohet që shamia (me madhësinë e duhur sipas sunetit) të jetë me ngjyra? Po hixhabi, si i themi ne, apo abaja, a lejohet me ngjyrë? Një motër më ka thënë se lejohen ngjyrat, por për të qenë e sigurt po ju drejtohem juve pasi kam bindjen se marr përgjigjen e duhur.
– Nëse në zyrë nuk do jem më vetëm sepse po bëhet reforme, mbase do ketë edhe burra dhe nuk do mund t’i fal vaktet në zyrë (Allahu e di më së miri), a mund të shkoj në xhami për t’i falur sepse nuk e kam larg nga zyra? D.m.th. a më lejohet shkuarja në xhami pasi unë e di që gruaja i fal vaktet në shtëpi, por unë punoj 8-16 dhe kur të kthehem në shtëpi më bie t’i fal kaza. Si edhe a marr gjynah që shkëputem në orar pune? Po fakti që lexoj Kuran ose webfaqen tuaj p.sh. kur kam pak kohë a është gjynah po të llogarisim që kur kam punë më shumë unë punoj edhe natën në shtëpi për ta mbyllur? Pres përgjigjen tuaj duke ju uruar përsëri Allahu ua shpërbleftë me xhenet.
Selam alejkum!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Fillimisht ju përshëndesim dhe ju urojmë për vënien e mbulesës, lusim Allahun e Lartësuar t’ju shpërblejë dhe t’ju forcojë në rrugën e Tij. Në vazhdim themi:
Në lidhje me ngjyrën e shamisë ose të mbulesës themi se nuk ekziston ndonjë ngjyrë e veçantë së cilës patjetër duhet t’i përmbahet femra muslimane gjatë mbulesës. Në tërë këtë ajo duhet të ketë kujdes vetëm në ngjyrat dhe veshjet të cilat tërheqin shikimin e kalimtarëve sikurse ngjyrat e ndezura ose shumë të hapura, ose veshjet shumëngjyrëshe në të cilat ka vizatime (lule apo diçka tjetër).
Kriteret që duhet të kihen parasysh gjatë mbulesës përfshihen në këto pika:
– Ta mbulojë tërë trupin, me përjashtim të fytyrës dhe duarve.
– Mbulesa ose rrobat mos të jenë të tejdukshme sepse qëllimi i hixhabit është mbulesa e trupit, ndërsa ai hixhab i cili është i tejdukshëm nuk e realizon këtë qëllim.
– Mbulesa të mos jetë e ngushtë që të përshkruajë trupin e femrës.
– Të mos jetë mbulesa zbukurim në veten e saj. Me një fjalë të mos jetë e zbukuruar në mënyrë që të tërheqë vëmendjen dhe të tërheqë shikimin.
2. Në lidhje me pyetjen e punës në zyrë së bashku me burrat e huaj themi se përzierja me meshkuj të huaj nga vështrimi islam është i ndaluar, prandaj para se t’u përgjigjem për pyetjen tuaj e ndjeva nevojën e cekjes së kësaj. Femra muslimane duhet t’i ikë kontaktit me meshkuj të huaj me të cilët nuk ka afërsi (nuk i ka mahrem) dhe ajo këtë nuk duhet ta bëjë, vetëm se në rastet e domosdoshme.
Ndërsa falja e namazeve gjatë orarit të punës bëhet varësisht sipas mundësive, nëse keni mundësi të faleni në vendin e punës, atëherë veproni ashtu. Nëse nuk ka vend të përshtatshëm, atëherë mund të shkoni edhe në xhami. Ju këshillojmë që në asnjë rast mos ta lini namazin pa falur derisa t’i kalojë koha.
Gjithashtu nuk mendoj se humbni shumë kohë derisa ta falni namazin, që ju të keni mëkat për shkak të shkëputjes nga orari i punës. Sido që të jetë, nëse ndodh kështu, atëherë mundohuni ta kompensoni këtë humbje të kohës, duke i kushtuar kujdes punës gjatë orarit ose edhe kur të ktheheni në shtëpi. Kjo që e përmendëm vlen edhe nëse ju gjatë kohës së lirë brenda orarit të punës shfletoni ndonjë faqe të internetit ose lexoni Kuran. Zoti e di më së miri!
Alaudin Abazi