Turpërohem për gjithçka, kur më lavdërojnë, kur flas, a është shprehi e mirë kjo? Nëse jo, si të lirohem?

0
529
Crooked politician hiding face from newspaper photographers after political scandal, public embarrassment, hand gesturing stop sign

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira qofshin mbi të Dërguarin, familjen, shokët dhe ithtarët e tij:

Turpi llogaritet një prej virtyteve në të cilat nxit feja jonë. Është karakteristikë e rrallë që pak njerëz e kanë. I Dërguari thotë: “I tërë turpi është mirësi” ose “Turpi nuk sjell gjë tjetër vetëm se mirësi” (Buhariu dhe Muslimi). Mendoj se pjesë e kësaj mirësie është të turpërohesh kur dikush të lavdëron.

Mirëpo çka është turpi, dhe a do të thotë që çdo herë vlerësohet si cilësi e mirë? Kjo është shumë me rrëndësi ta kuptosh. Turpi që të bën të moralshëm, secilit t’ia japësh të drejtën, të largon nga e shëmtuara dhe të pengon nga padrejtësia është virtyti që duhet t’i gëzohemi nëse e posedojmë.

Nëse turpi na bën frikacak, nuk na lejon t’i kryejmë obligimet fetare dhe të bëjmë mirë atëherë nuk është ai turp që duhet ta përvetësojmë dhe të stolisemi me të. Në gjuhën arabe ka një fjalë të veçantë për emërtimin e kësaj gjendjeje që quhet “haxhel” mirëpo në shqip nuk e di a ekziston ndonjë fjalë e tillë. Si do që të jetë, nëse ke turp aq shumë sa që të huton kur flet dhe bën punë të mira, të bën të ndiesh keq atëherë mendoj se kjo dobësi tejkalohet me ushtrime dhe me rritjen e vetëbesimit. E kuptoj shumë mirë frikën që ndjen njeriu kur flet para të tjerëve, mirëpo kjo tejkalohet me kohë duke u munduar të rrisësh vetëbesimin. Allahu e di më së miri.