Ti s’je i pavarur, Zoti është i Pavarur!

0
227

Ti s’je i pavarur, Zoti është i Pavarur!
Shkruan: Avni TAFILI

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë.Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte. Jo, është e vërtetë se ai i kalon kufijtë, Për shkak se e ndien veten të pavarur. Po kthimi është vetëm te Zoti yt.” – Kur’an, 96 : 1 – 8

Ti mund të ndjehesh i pavarur, mund të ndjehesh sikur nuk ke nevojë për askënd dhe për asgjë, por dije se, që kur fillove të ndjehesh i pavarur e sovran, ti zgjodhe të jesh vetëm. E izolove veten nga shumë të mira. Jo, po ti zgjodhe që të jesh vetëm ti e askush tjetër. E vetëm ti e askush tjetër të mos arrij që ti në mendjen tënde ke përfytyruar. Ndërsa mendon se do t’ia arrijë, e në fund të krenohet, se merita e gjitha është e tij.

Çudi se si gjykon kjo kategori e njerëzve. Ndjehen mendjemëdhenj, e të veçantë nga të gjithë tjerët, por sa shpejtë harroi se fillimi i tij ishte asgjëja, pastaj u bë pikë uji, e prej asaj pike u zhvillua. A krijoi veten apo u krijua! Jo, ti nuk e krijove veten, ti madje as emrin tënd, që sot thirresh me krenari në të, nuk e zgjodhe. Po, nuk zgjedh vetëm se kur ke forcë të ushtrosh vullnet, e kur ndihesh i pavullnet, i pafuqishëm, kërkon mbështetjen e të tjerëve.

Sa jo falënderues që je, o njeri, që vetja të duket sovran, e i pavarur!

E sa i vogël je, e të duket vetja që mund të arrish majat e qiejve! Pa shiko “diçka” prej gjithësisë; po ti që ndjehesh i pavarur nga Zoti që të krijoi, nuk mund të shohësh as më larg se hija jote! Kështu kur mirënjohës s’je!

Vallë, ç’ka në ty që ty të bëri të mendosh se je i panevojshëm! Vallë, ç’të bëri të mendosh se je i pavarur dhe bën gjithçka të teket në mendje. Jo po ty t’u dha dija, por dije të padobishme, sepse ti me dijen që t’u dha as vetes dobi s’i sjell; ti robëron me dhuntitë e të Pavarurit, Sovranit – Allahut xh.sh.. Por jo, Zoti ty të ka vënë në sprovë e ti dështove, e keqpërdore mirësinë e Krijuesit tënd!

Zot na ruaj nga gjendja, gjendje e njeriut keqpërdorues!

Jo, po ti mund të jesh sprovuar me pasuri, e ti me pasurinë tënde mbjell varfërinë e përçmimin e njerëzve! Por dije o njeri i këtillë, se gjithçka fillon, mbaron, përveç Zotit tënd, që të krijoi e të sprovoi, është i Përjetshëm dhe i Pavdekshëm!

Po pse o njeri që ndjehesh i pavarur nga Zoti yt, kur qëllon të jesh në errësirën e frikës, ngreh sytë lartë, e kërkon ndihmën e të Atij që s’fle e as s’kot! Pse o njeri, siç je mirënjohës në vështirësi, të mos jesh edhe në lehtësi? A pse Zoti nuk po të dënon? Jo, edhe të qenit tuaj mosmirënjohës është dënim! Por, mjerë, pse nuk je në gjendje ta përjetosh këtë!

Zoti ty të dha dije, të dha pasuri, të dha familje, të dha shoqëri, të dha aftësi, jo që ato t’i shfrytëzosh për t’i robëruar të tjerët, që me padituri, me varfëri e me mungesë u sprovuan! Ç’do të ndodhte vallë, sikur ty të jepej fuqi, e të ushtronit pavarësinë tënde deri në skaje? Jo, ka Zot që ty të ka vënë kufij! Ka Zot, që quhet ALLAH, që ty të ka lënë në errësirën e mendjemadhësisë të jetosh i dehur, e ti nuk mund të bësh dëm më shumë se një i dehur; fyes, sharës, përçmues, rrenacak, mosmirënjohës dhe i dhunshëm!

Ti o njeri, që të duket vetja e pavarur nga i Pavaruri e Sovrani, i Vetmi Allahu xh.sh., dije se, pavarësia jote të ka robëruar. Jo, ti nuk ke fare pavarësi. Ti je rob i pavarësisë sate. Je rob i mendjemadhësisë sate. Je rob i lakmisë sate. Ti nuk je i pavarur, i pavarur është ai që veten e tij ia ka robëruar vetëm të Pavarurit, Sovranit, Allahut xh.sh.! Ai njeri është i pavarur nga dija që prangos, është i pavarur nga pasuria që robëron, e nga lakmia që poshtëron e vetmon!

A nuk merr mësim ky lloj njerëzish, se ç’përfundim kishin të parët e tyre, njerëzit e mëhershëm, të cilët përkundër “dijes”, “pasurisë”, “njerëzve përreth tyre” përfunduan si mos më keq! Ata njëherë u ndjenë të pavarur nga Zoti që krijoi, pastaj u robëruan me atë që iu dha atyre, e pasi u bënë robër të robërve të Allahut të Gjithëpushtetshëm, u zhytën në errësirën e pashpresë, e errësira e pashpresë, nuk sjell veçse ndëshkim e shkatërrim!

Sa keq, sa mjeranë ata që me duart e tyre ndëshkojnë vetveten, e me vetveten shkatërrojnë vetveten e tyre, e me dhuntitë e Zotit errësojnë dritën që e mbjelli në shpirtrat e tyre!

Ruana o Allah! Na ruaj nga dija që prangos, e nga pasuria që robëron, e nga lakmia që poshtëron! E na ruaj nga çdo gjë, që na bën të ndjehemi të pavarur prej Teje; ngulit në qenien tonë porositë Tua:

“Thuaj: Ai, All-llahu është Një! All-llahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.” – Kur’an, 112 : 1 – 4

Ve-l-hamdu lilahi ve salAllahu alejhi ve selem

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here