O Ti që i rrotullon zemrat, ma përforco zemrën në fenë Tënde

0
245

“E, s’ka dyshim se ata që thanë: “Allahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): mos u frikësoni, mos u pikëlloni, keni myzhde xhenetin që u premtohej. (u thonë) Ne jemi dashamirët tuaj (kujdesemi për ju), si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër, ku do të keni atë që dëshironi dhe gjithë çfarë kërkoni.”” Fusilet 30-31.
Allahu i Madhëruar në Fenë Islame ka vënë një parim dhe ai është se në fe nuk ka dhunë. Njeriu e pranon Fenë Islame me bindje dhe me vullnetin e tij. Mirëpo besimtari gjatë jetës së tij bie në sprova dhe vështirësi. I kanoset devijimi nga rruga e drejtë. I bën cytje shejtani, apo ka mundësi ta mashtrojë dynjaja, apo lakmi të ndryshme. Duke i pasur parasysh besimtari këto rreziqe që i kanosen udhëzimit, ai duhet të jetë i kujdesshëm për udhëzimin e tij. Duhet të mësojë se si dhe cilat janë faktorët e ruajtjes së udhëzimit, si për shembull:
Ruajtja e sinqeritetit. Na përcjell Muslimi nga Sufjan ibën Abdilah Thekafiu, se i ka thënë Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem: O i Dërguari i Allahut, më thuaj një fjalë në Islam, që pastaj nuk do të pyes më askënd. Ai i ka thënë: Thuaj Amentu bil-lah (I besova Allahut) dhe pastaj përqendrohu!
Të mësojë diturinë e mbështetur në argumente nga Kurani dhe Suneti të komentuara nga dijetarët e dalluar. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras tek Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët.” Jusuf 108.
T’i lutet Allahut ta ruajë nga devijimi. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë në lutjen e tij: O Ti që i rrotullon zemrat, ma përforco zemrën në fenë Tënde,[1] dhe në një version tjetër: O Ti që i kthen zemrat, ma kthe zemrën time në ibadetin për Ty.[2]
Të qëndrojë me xhematin. Domethënë të qëndrojë me ata që janë të kapur pas Kuranit dhe Sunetit, meqë ata konsiderohen xhemat. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut, e mos u përçani!” Ali Imran 102.
Mos të shkojë në vende të dyshimta ku i rrezikohet nderi dhe feja. Pos këtyre gjërave ka edhe një gjë dhe ajo është se kur të sprovohet, të qëndrojë stabël para sprovave, siç ka thënë Allahu i Madhëruar “ata që thanë: “Allahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm “d.m.th. të paluhatshëm në deklaratën e dhënë “Allahu është Zoti ynë”. Sheukani thotë në tefsirin e tij, se një grup nga sahabët dhe tabi’inët thonë këtu, se përqendrimi ka kuptimin e sinqeritetit në veprat që bëhen për Allahun. Katade dhe Ibën Zejdi kanë thënë: Pasi kanë besuar Allahun janë përqendruar në respektin dhe adhurimin e Tij. Hasan Basriu ka thënë: Kanë respektuar Allahun duke i zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga mëkatet. Muxhahidi dhe Ikreme kanë thënë: janë përqendruar në fjalën “la ilahe il-lallah” derisa kanë vdekur. Theuriu ka thënë: ata kanë vepruar në përputhje me atë që e kanë thënë. Rebiu ka thënë: I janë larguar gjërave përpos Allahut (fesë së Tij). Fudajl ibën Ajadi ka thënë: Ata nuk kanë lakmuar botën kalimtare dhe kanë dëshiruar botën e amshueshme. Këtyre: “u vijnë engjëjt” me myzhde dhe përgëzim “mos u frikësoni, mos u pikëlloni”. Mos u frikësoni për në ahiret dhe mos u pikëlloni për dynjanë që ju ka kaluar, mos u frikësoni për pranimin e sevapeve, se ato janë të pranuara dhe mos u pikëlloni për mëkatet se ato janë të falura.
Në vazhdim: “keni myzhde xhenetin që ju premtohej” që më parë në dynja, e ju po vazhdoni rrugën për të hyrë në te, ku do të jeni përgjithmonë në begati të përhershme. Këta që treguan këtë qëndrim, melekët u shkojnë me këto lajme përgëzuese dhe u thonë për t’i përkujtuar: “(u thonë) Ne jemi dashamirët tuaj (kujdesemi për ju), si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër, ku do të keni atë që dëshironi dhe gjithë çfarë kërkoni.” Fusilet 31.
Melekët ua thonë këtë atyre “që thanë: “Allahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm,” e nuk ua thonë atyre që vetëm thonë Allahu është zoti ynë, e pastaj bëjnë siç u thotë epshi, siç i urdhëron shejtani. Ata që u luhatën, nuk janë të barabartë me ata që u përqendruan. Këto merita ia jep atij që i ka merituar dhe zullumqarin nuk e ndëshkon më tepër se sa ka bërë zullumin. Allahu është i drejtë dhe ka thënë: “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja” Fusilet 34.
Nuk janë të barabartë teuhidi dhe shirku, as suneti me bidatin, as hallalli me haramin, as dituria me injorancën, as nderi me imoralitetin, as sinqeriteti me hipokrizinë. Megjithatë prej neve kërkohet që “(të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë”, se kështu e arrijmë gradën e mirësisë dhe sjell rezultate si “se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt”, kështu ngjau me Ebu Sufjanin, i cili në fillim ishte armik i Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem, e pastaj u bë mik, po ashtu gruaja e tij Hindi, Vahshiu, Halid ibën Velidi e tjerë nga sahabët.
Në fillim u armiqësuan me Pejgamberin sal-lallahu alejhi ue selem, por Pejgamberi bëri durim, sjelljen armiqësore të tyre ua ktheu me butësi dhe një ditë ata u kthyen dhe u bënë dashamirët e të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue selem. Këtë nuk mund ta bëjë përpos ai që ka durim të madh dhe maturi. Ai i cili ka largpamësi, që e çmon thirrjen islame, që ka mëshirë dhe që nuk është egoist. Allahu i Madhëruar thotë: “Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyte të lartë.” Fusilet 35.
Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ishte shëmbëlltyra jonë. U soll butë me atë që urinoi në xhami, me atë që e tërhoqi për xhakete dhe ia skuqi qafën, me atë që deshi ta vrasë me shpatë dhe i ra shpata nga dora dhe në shumë raste të tjera.
Prandaj thirrja më e mirë është ajo për të cilën Allahu i Madhëruar ka thënë: “E kush është në rrugë më të mirë, se ai që thërret në rrugën e Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve?” Fusilet 33, krenar dhe me mburrje si musliman, e jo me përkatësinë e tij kombëtare, apo race, partie, apo klani, apo fraksioni, apo grupimi.
Duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme të shejtanit të mallkuar ndaj besimtarëve, e marrim porosinë e mrekullueshme të Allahut: “E nëse ty të ngacmon ndonjë ngacmim prej djallit, ti kërko mbrojtje prej Allahut, se vërtet Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi.” Fuslilet 36.
O Ti që i rrotullon zemrat, ma përforco zemrën në fenë Tënde.
[1] Sahihu Tirmidhi nr. 2140
[2] Sahihu Muslim nr. 2654

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here