TI E KE MUNDËSINË PËR TA RESPEKTUAR NËNËN TËNDE

TI E KE MUNDËSINË PËR TA RESPEKTUAR NËNËN TËNDE

Një djalosh rrëfen dhe thotë:
Gjatë periudhës kur isha më i ri, shpesh largohesha nga shtëpia dhe rrija deri vonë jashtë. Kjo gjë e hidhëronte tepër nënën time. Nuk haja në shtëpi, shumicën e ditës e kaloja duke fjetur dhe natën kthehesha shumë vonë, pasi që flinte nëna ime. Nuk i lash zgjidhje tjetër, vetëm se të fillojë të më shkruajë nga një letër para se të flinte dhe ta ngjisë atë në derën e frigoriferit. Letra ishte një lloj udhëzimi për të më njoftuar për vendin dhe llojin e ushqimit që duhet të haja kur të kthehem.
Me kalimin e ditëve, letra filloi të rritet dhe kërkesat të shtohen. Nëna filloi nga unë të kërkojë që edhe rrobat e palara ti vë në një vend të posaçëm dhe ti veshë ato të pastrat, dhe, po ashtu, më njoftonte për takimet e rëndësishme që kisha brenda ditës. Në këtë gjendje, më kaloi një periudhë e gjatë e rinisë time, derisa një natë kur u ktheva në shtëpi, e gjeta letrën të ngjitur në derën e frigoriferit. Mirëpo, më erdhi mërzi ta lexoj atë dhe rashë për të fjetur. Në mëngjes, u habita kur prindi im më zgjoi nga gjumi, ndërsa atij po i rridhnin lotët nga sytë! Ai më tha: Nëna jote ndërroi jetë!
Sa dhembje të madhe më dha ky lajm! Megjithatë, e mbajta veten, derisa e varrosëm nënën dhe i pritëm njerëzit për ngushëllim. Në mbrëmje, u ktheva në shtëpi, kurse në gjoksin tim kishte mërzi të madhe dhe pikëllim të papërshkruar. U shtriva në krevatin tim dhe papritmas mu kujtua diçka! Mu kujtua letra e nënës time që qe e vendosur në derën e frigoriferit. U ngrita shpejt, shkova në kuzhinë, e mora letrën dhe fillova ta lexoj. Këtë herë më kaploi një mërzi shumë e madhe! Në letër nuk kishte urdhra, as njoftime, as këshilla. Në të ishte shkruar vetëm kjo: Po ndjehem e lodhur! Diçka nuk jam mirë! Kur të kthehesh, më zgjo që të më dërgosh në spital.
Shumë e dhembshme! Ky djalosh e humbi mundësinë për ta respektuar nënën e tij, mirëpo ti ende e ke këtë mundësi. Prandaj, shfrytëzoje këtë shans të artë dhe mos lejo që ta humbësh atë!
Nga arabishtja: Irfan JAHIU