TË MJAFTOJMË TY KUNDËR ATYRE QË TALLEN

0
212

“S’ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen”

(El Hixhr: 95)

Dr. Salih ibën Abdulaziz ibën Uthman Sindi

Falënderimet qofshin për Allahun, salatet dhe selamet qofshin për Pejgamberin Muhamed, për familjen dhe shokët e tij.

Ky ajet i madh dhe i rëndësishëm gjendet në suren El Hixhr. Në të ka dobi dhe mirësi të mëdha, disa prej të cilave i kam shkëputur për t’i parashtruar këtu në disa pika.

Pika e parë: Ky ajet edhe pse ka zbritur për një grup kurejshësh prej pesë vetash, ka kuptim gjithëpërfshirës, për të gjitha kohët dhe vendet. Komentatorët e Kur’anit kanë thënë se të mjaftuarit në diçka është që dikush të marrë përsipër çështjen tënde.

Kuptimi i ajetit: Sigurisht se Ne do të të mjaftojmë ty për hakmarrje ndaj tyre dhe do të bëjmë të jesh i qetë dhe rehat nga talljet e tyre. Allahu vetëm se e ka vepruar dhe vërtetuar këtë gjë, pasi kushdo që është tallur me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, është shkatërruar nga Allahu dhe është dënuar shumë ashpër.

Shejhu i Islamit Ibën Tejmije në librin e tij “Es Sarimu el Meslul” (2/316-318), thotë: “Prej ligjeve të Allahut është se nëse besimtarët nuk kanë mundësi ta dënojnë atë që tallet me Allahun dhe të Dërguarin e Tij, atëherë Ai do të hakmerret ndaj tij dhe do t’i mjaftojë të Dërguarit të Tij. E tërë kjo, Allahu e di më së miri, është vërtetim i fjalës së Tij: “E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur.” (El Keuther: 3). Kushdo që i bën padrejtësi, e urren apo e armiqëson Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, Allahu do ta shfarosë, do ta çrrënjosë atë dhe gjurmët e tij. Prej fjalëve që qarkullojnë është se “mishi i dijetarëve është i helmuar.” Nëse mishi i dijetarëve na qenka i helmuar, atëherë si është çështja me mishin e Pejgamberëve? Në një hadith që përcillet nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thuhet: “Kush ma armiqëson mikun Tim, ai vetëm se më ka shpallur luftë Mua!” E si do të jetë çështja kur dikush armiqëson të Dërguarin e Allahut? Kush lufton kundër Allahut nuk ka dyshim se ka pësuar disfatë, saqë ndoshta nuk do të gjesh dikë që ka lënduar ndonjë Profet dhe nuk është penduar e të mos e ketë goditur ndonjë rrufe apo sëmundje ose një goditje tjetër, madje ne kemi përmendur çfarë kanë përjetuar besimtarët në përshpejtimin e hakmarrjes ndaj jobesimtarëve atëherë kur e fyenin të Dërguarin e Allahut. Kësi lloj rastesh na kanë ardhur për shumë ngjarje, megjithatë kjo çështje është e gjerë saqë nuk mund të përfshihet këtu).

Pika e dytë: Allahu pas këtij ajeti shpall një ajet tjetër, ku përmend cilësitë e këtyre personave: “Të cilët Allahut i kundërvënë zot tjetër, e më vonë ata do të kuptojnë (prapavijën e tyre)”. Me këtë ajet Allahu përforcon të Dërguarin e Tij dhe ia lehtëson atij çdo brengë dhe mërzi, ngase ata nuk ishin mjaftuar me shpifje vetëm kundër tij, por shpifjet e tyre ishin edhe ndaj Allahut, veprim edhe më i vështirë dhe më i rëndë.

Pika e tretë: Në fund të ajetit vjen kërcënimi: “E më vonë ata do ta kuptojnë”. Në këtë rast gjejmë se kundrinori (mefuli) është fshirë, me qëllim që konteksti të jetë sa më alarmues për atë që u kanoset. Pra, më vonë do ta kuptojnë atë që meritojnë për shpifjet, mizoritë dhe talljet e tyre.

Medito për pjesëzën fe seufe- më vonë, e cila na jep të kuptojmë se urtësia e Allahut është që t’u vonohet zbritja e dënimit sadopak dhe t’u jepet afat. Kjo është e ngjashme me fjalët e Allahut kur thotë: “Edhe me të Dërguarit para teje kanë bërë tallje, porse Unë atyre që nuk besuan u pata dhënë afat, pastaj i ndëshkova (me dënim), e çfarë ishte dënimi Im!” (Er Rra’d: 32)

Pika e katërt: Pastaj Allahu në po të njëjtin kontekst vazhdon dhe thotë: ” Ne e dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata…” Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem si të gjithë njerëzit ngushtohej shpirtërisht, ndihej keq kur talleshin me të dhe kjo është natyrshmëri njerëzore. Edhe atyre që flijojnë shpirtrat e tyre, ata të cilët e duan atë më shumë se prindin dhe fëmijën e tyre, nuk ka dyshim se u shtrëngohen gjokset dhe mbushen me mllef nga talljet e mosbesimtarëve ndaj tij.

Medito për fjalën e Allahut: “Ne e dimë mirë”. Në të gjen qetësinë për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe për ummetin e tij. Allahu i di mirë talljet e tyre dhe nuk ka dyshim se në përcaktimin e Tij ka urtësi të mëdha.

E sikur muslimanët të mendonin mirë dhe thellë, do të shohin se pas çdo sprove që u ndodh, qoftë me tallje apo me përqeshje, prej së cilës zemrat e tyre brengosen, ka shpërblim të madh, fitore të madhe dhe nënçmim për politeistët. “E Allahu dobëson dredhitë e qafirëve (mohuesve).” (El Enfal: 18)

Pika e pestë: Pastaj konteksti përfundon bashkë me suren me një porosi të madhe për të Dërguarin e Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, e nuk ka dyshim se porosia për të është porosi edhe për ummetin e tij: “Po ti madhëroje me falënderim Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur). Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë ty e vërteta (vdekja).” Madhërimi dhe përkujtimi i Allahut, përulja dhe namazi ndaj Tij, nënshtrimi ndaj Allahut dhe vazhdimi me ngulm në të është shërim i zemrës dhe qetësim i shpirtit. Nuk ka dyshim se kjo është edhe hakmarrje ndaj atyre mizorëve, ngase është transmetuar në “Sunenin e Nesaiut” me zinxhir të vërtetë se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu me të vërtetë këtë ummet e ndihmon edhe me njerëz të dobët, për shkak të lutjeve, namazit dhe sinqeritetit të tyre.”

Allahu e di më së miri!
Paqja dhe shpëtimi qofshin për zotërinë e bijve të Ademit, për familjen dhe gjithë shokët e tij!

Përshtati: Mr: Bali Musli Sadiku

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here