TË DREJTAT E FQINJIT MË FENË ISLAME (I)

0
210

Islami ka vendosur një sistem unik në shoqëri si kohezion të mëshirës dhe ndjeshmërisë, urë solidariteti dhe bashkimi, sistem i ndërtuar në bashkëpunim me bamirësi dhe frikërespekt ndaj Allahut, ndalim nga e keqja dhe armiqësia. Çdo musliman duhet të kryejë atë që ka obligim ndaj njerëzve me të cilët ka raporte ose e lidh diçka. Allahu i ka ngritur në pozitë të lartë obligimet e muslimanit ndaj muslimanit, obligimet e të afërmit ndaj të afërmit dhe obligimet e fqinjit ndaj fqinjit.

Realizimi i këtyre të drejtave është ndër shkaqet e rëndësishme të lumturisë së individit dhe shoqërisë, ngase njerëzit në këtë botë janë të sprovuar dhe fatkeqësitë i rrethojnë nga çdo anë.

I vetëm njeriu është shumë i dobët që të qëndrojë gjatë para barrierave të ndryshme dhe nëse përballet, do ankohet për shkak të vështirësive dhe mundit, por do të kishte lehtësime sikur të kishte afër dikë prej vëllezërve, që e ndihmon dhe nxiton në shpëtimin e tij, e ndihmon për problemet e tij sepse njeriu është i dobët kur është i vetmuar dhe i fuqishëm kur është së bashku me vëllezërit, fqinjët dhe familjen e tij.

Duke u nisur nga rëndësia e madhe e fqinjësisë, do të paraqesim obligimet e fqinjëve duke e ndarë punimin në pjesët në vijim: 1) nevoja e fqinjit për fqinjë; 2) kategoritë e fqinjëve; 3) përmasat e fqinjësisë; 4) obligimi më i madh ndaj fqinjit; 5) renditja e të drejtave ndaj fqinjit dhe 6) rëndësia e takimeve mes fqinjëve.

E para: Nevoja e fqinjit për fqinjë.

Fqinji është njeriu që na qëndron më pranë, na viziton më shpesh dhe e njeh më së miri gjendjen tonë pas familjes dhe të afërmve tanë. Në disa raste fqinji është edhe më i afërt se të tjerët, na ndihmon edhe më shumë sesa të gjithë të afërmit dhe zakonisht njerëzit e shtëpisë në momentet e emergjencave apo fatkeqësive kur kërkojnë ndihmë të shpejtë, fillimisht drejtohen tek fqinji i tyre ngase ai është më afër tyre dhe shtëpia e tij është më afër shtëpisë së tyre.

Nga kjo shihet qartë nevoja e madhe e fqinjit për fqinjin, forca e ndikimit tek ai dhe madhështia e obligimit ndaj tij. Kryerja e obligimit ndaj fqinjit është nga obligimet më parësore, nga shkaqet më të mëdha për bashkim dhe mirëqenie në këtë botë, që të kalojnë pengesat e të lehtësohen fatkeqësitë nga ndër shkaqet kryesore të bashkëpunimit për punë të mira e të mbara dhe mbrojtje nga të këqijat dhe mëkatet.

Këtë obligim madhor shumë njerëz sot e kanë anashkaluar, duke u preokupuar me dëshirën e vetmisë, duke mos e realizuar obligimin për shkak të gjurmëve të lëna nga egoizmi, duke mos u përkujdesur për përgjegjësinë si shkak i injorancës dhe besimit (imanit) të tyre, pasi futja e botës në zemrat e tyre i çoi deri në atë gjendje saqë jetojnë vetëm për veten e tyre. Njerëzve të tillë nuk u intereson asgjë pos interesit, janë indiferentë ndaj obligimeve ndaj vëllezërve dhe fqinjëve të tyre, kanë humbur ndjenjat e vëllazërisë dhe dashurisë duke fshehur në shpirtrat e tyre tolerancën dhe etikën, duke i zhveshur zemrat e tyre nga kuptimi i bukur i fjalës njeri. Nuk është e pazakontë që dikush ka si ëndërr dashurinë e kësaj bote dhe konkurrencën, dëmtimin dhe shtypjen e fqinjit me sulmet ndaj interesave të tyre dhe duke zhvlerësuar obligimet në raport me ta.

Nëse nuk mund t’u bësh mirë duke kryer obligimet ndaj tyre, atëherë të paktën mos i sulmo dhe mos iu bëj padrejtësi.

E dyta: Kategoritë e fqinjëve.

Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfëritë, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj”. (En Nisa: 36)

Allahu i Madhëruar në këtë ajet bashkoi urdhrin për adhurimin e Tij dhe urdhrin për sjellje të mirë ndaj krijesave. E nga kjo sjellje e mirë është edhe sjellja ndaj fqinjit musliman apo edhe jomusliman, i afërt apo i huaj, i afërt apo i largët.

Fjala e Allahut “fqinjët e afërt” do të thotë që mes teje dhe tij ka afërsi, pastaj “fqinjët e largët” do të thotë se nuk ka lidhje mes teje dhe tij. Ky është mendimi i shumicës së komentuesve të Kur’anit.

Thuhet se “fqinji i afërt” është fqinji musliman, kurse “fqinji i largët” është fqinji jomusliman.

Thuhet se “fqinji i afërt” është fqinji i cili është afër teje, kurse “fqinji i largët” është ai që vërtet thuhet për të se është fqinj, edhe pse shtëpia e tij është larg[1].

Të gjitha këto kuptime janë të vërteta dhe ajeti i lartpërmendur është argument për to.

Këta të gjithë përfshihen në të drejtat e fqinjit, edhe pse obligimet e tyre dallojnë në saje të gjendjes së tyre si fqinjë.

Hafith ibën Haxheri[2], Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Fjala fqinj përfshin muslimanin dhe jomuslimanin, ibadetxhiun dhe të prishurin, të sinqertin dhe armikun, të huajin dhe vendasin, dobiprurësin dhe dëmprurësin, të afërmin dhe të huajin, të afërmin me shtëpi dhe të largëtin. E disa prej tyre janë në shkallë më të lartë se të tjerët, e më i larti është ai që përmban të gjitha cilësitë e para, pastaj ai që ka më shumë pas tij e kështu me radhë.

Fqinji mes teje dhe të cilit ka lidhje të afërta është më primar në obligime se fqinji i huaj, obligimi ndaj fqinjit musliman është më primar sesa ndaj fqinjit jomusliman dhe ai që është i ngjitur me ty ka të drejta në obligime se ai që është larg teje. Buhariu[3] transmeton se Aishja radijAllahu anha ka thënë: “I kam thënë: “O i Dërguar i Allahut, kam dy fqinjë. Kujt t’i jap dhurata?” Tha: “Atij që e ka derën më afër teje”.

Argumentet e sheriatit tregojnë se fqinjët janë tre llojesh:

Fqinji që ka tre obligime, i cili është fqinj musliman dhe i afërt, d.m.th. ka obligimin e fqinjësisë, obligimin e Islamit dhe obligimin e afërsisë.

Fqinji që ka dy obligime, i cili është fqinj musliman, d.m.th. ka obligimin e fqinjësisë dhe obligimin e Islamit.

Fqinji që ka vetëm një obligim, i cili është fqinj jomusliman, d.m.th. ka vetëm obligimin e fqinjësisë[4].

E treta: Përmasat e fqinjësisë

Dijetarët kanë mendime të ndryshme e të shumta rreth asaj që përmbledh emri fqinj.

Nga Aliu radijAllahu anhu është transmetuar se ka thënë: “Kush e dëgjon ezanin, ai është fqinj”. Kushdo që dëgjon zërin e muezinit të lagjes që e thërret ezanin pa zmadhues, ai llogaritet fqinj.

Thuhet se kush e dëgjon ikametin, ai është fqinj.

Thuhet se kush e fal me ty namazin e sabahut në xhami është fqinj.

Thuhet gjithashtu se ata që bashkëjetojnë në mëhallë apo lagje janë fqinjë.

Thuhet po ashtu se përmasa e fqinjësisë është 40 shtëpi nga të gjitha anët, ky është mendimi i Aishes, Evzait, Hasan el Basrit, Zuhriut e të tjerëve[5].

Më e sakta është se përmasa e fqinjësisë kthehet tek tradita[6], ngase rregulli i sheriatit thotë se çdo gjë që ka ardhur në sheriat në mënyrë të përgjithshme dhe nuk ka rregull të posaçëm për të as në gjuhë, atëherë ajo i kthehet traditës dhe zakoneve[7].

Në saje të kësaj, atë që tradita-zakoni e sheh si fqinj, ai është fqinj, ka obligimet e fqinjësisë, respektin, mundin për të mirë dhe pengesën për të keqen e të tjera.

Dr. Abdul Aziz ibën Fevzan el Fevzan

Përshtati me disa shkurtesa: Unejs MURATI

Vijon.

_______________________________________________________________________________

[1] Shih tefsirin “Et Taberij”, 5/178-180; “EL Kurtubiu”, 5/183; “Ibën Kethiri”, 1/495; “Fet’hul Bari”, 10/441; “Tefsir es Shevkani” 1/743.

[2] “Fet’hul Bari”, 10/441.

[3] Buhariu, 2140.

[4] Shiko “Tenbihul Gafilin” 1/153, “Tefsir el Kurtubiju” 5/184, “Fet’hul Bari” 10/441.

[5] Shih “Tefsir el Kurtubiju” 5/185, “Fet’hul Bari” 10/447, “Xhamiul Ulumi vel Hikem” 1/347, “Fet’hul Kadir” të Shevkanit 1/743.

[6] El Alusi në tefsirin e tij, 5/29, ka thënë: “Ajo që më është shfaqur mua si më e qëlluara është se fqinjësia ndërtohet mbi tradita-zakone”.

[7] “El Eshbah ve En Nedhair”, nga Sujuti, fq. 98; “Fet’hul Kadir” nga Shevkani, 1/743.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here