ROLI I XHAMISË DHE EDUKATA NË TË

0
235

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe veprave tona. Kë e udhëzon Allahu, s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, i Cili është një, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Xhamia luan rol të madh në jetën e muslimanit, është objekti që e afron besimtarin më afër Allahut az-ze ve xhel-le, e pastron shpirtërisht, është shkolla ku përveç shpërblimit, fiton edhe edukatë, moral, dituri dhe njohuri të përgjithshme që i nevojiten gjatë gjithë jetës.

Sikur është harruar se xhamia ekzistonte para se të ekzistonin shkollat, universitetet, institucionet dhe se ajo luante rolin e të gjitha këtyre, madje me më shumë sukses se sot. Këto objekte të lartpërmendura kryejnë rolin e tyre, por xhamia në kohën e artë islame shërbente si shkollë, spital, shtëpi bamirësie, me një fjalë shërbente në drejtim të pastrimit shpirtëror si bazë për shkollim, edukatë dhe përgatitje të mëtutjeshme.

Të flasësh për xhaminë është nevojë e madhe, sidomos tani kur është anashkaluar nga ithtarët e saj, tani kur nuk konsiderohet më si shkollë shpirtërore në të cilën bëhet pastrimi i njeriut nga mëkatet, nga dukuritë negative, nga vjedhja, alkooli, droga, korrupsioni, mashtrimi, plaçkitja, vrasja e shumë dukuri negative të tjera.

Shumë ajete dhe hadithe na e tregojnë rolin e xhamisë dhe e vërtetojnë rëndësinë e saj dhe edukatën në të, edhe pse sahabët nuk kishin kryer fakultete, porse kishin arritur kulmin e edukatës dhe moralit për arsye se edukues i tyre ishte i Dërguari i Allahut, Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Për xhamitë përkujdesen vetëm besimtarët dhe kurrsesi idhujtarët. Allahu i Madhëruar thotë:

“Nuk është e drejtë e idhujtarëve të kujdesen për xhamitë e Allahut, duke qenë se vetë dëshmojnë për veten e tyre se janë mohues. Të tillëve u shkuan kot veprat e tyre dhe ata janë përgjithmonë në zjarr. E drejtë e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe Ditës së Fundit e që e fal namazin, jep zekatin dhe nuk i frikësohet askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë)”. (Et-Tevbe: 17-18)

Transmetohet nga Seid el-Hudrij radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse e shikoni njeriun që shkon në xhami, dëshmoni për imanin (besimin) e tij”, e pastaj lexoi ajetin: “E drejtë e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe Ditës së Fundit e që e fal namazin…”[1]

Xhamitë janë që të përmendet dhe të adhurohet vetëm Allahu i Lartmadhëruar.

“Dhe (mua më shpallet) se vërtetë xhamitë janë veçantë për ta adhuruar Allahun, e mos adhuroni në to askënd tjetër me Allahun!” (El-Xhinn: 18)

Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë: “(Ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që Allahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje”. (En-Nur 36)

Ekzistimi i varrezave në xhami është rreptësisht e ndaluar dhe është në kundërshtim të plotë me parimet e Islamit dhe me Sunnetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Nga nëna e besimtarëve Aishja, Allahu qofte i kënaqur me të, transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “I ka mallkuar Allahu çifutët dhe të krishterët, (të cilët) kanë shndërruar varrezat e Pejgamberëve të tyre në faltore (xhami).”[2]

Pastaj i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Largoni çifutët e Hixhazit nga Gadishulli Arabik dhe dijeni se njerëzit më të këqij janë ata që i marrin varrezat për xhami.”[3]

Së pari le të flasim për vlerën e shkuarjes në xhami sepse shkuarja në të i shlyen mëkatet. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë:

“A t’ju tregoj për gjëra me të cilat Allahu shlyen mëkatet dhe lartëson gradat (në xhennet)?!” Thanë: “Po, gjithsesi o i Dërguari i Allahut.” Tha: “Marrja e abdestit me përpikëri në vështirësi, hapat (ecja) e shumtë deri në xhami dhe pritja e namazit pas namazit. Kjo është lidhja e fortë (në rrugën e Allahut)…”[4]

Xhamitë janë vendet më të mira tek Allahu. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Vendet më të mira janë xhamitë, ndërsa më të këqijat janë tregjet.”[5]

Qëndrimi në të konsiderohet namaz. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Ju vazhdoni të mbeteni në namaz për aq kohë sa qëndroni në xhami dhe nuk ju motivon asgjë të qëndroni me përjashtim të pritjes së namazit.”[6]

Melaiket luten për besimtarët që shkojnë në xhami. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

Melaiket luten për ndonjërin prej jush që ulet në xhami dhe pret namazin për aq kohë sa ai nuk e prish abdestin e thonë: -O Allahu ynë! Fale atë! O Allahu ynë! Mëshiroje atë!”[7]

Muslimani duhet të ketë edukatë të mirë në xhami sepse po nuk pati besimtari i devotshëm edukatë të mirë, atëherë kush duhet të ketë?

Gjatë shkuarjes në xhami duhet ecur me ngadalë e me kujdes, jo me shpejtësi e nxitim. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur ta dëgjoni thirrjen për namaz, shkoni në namaz por me qetësi dhe përulje. Mos nxitoni sepse çka arrini, faleni e çka iu kalon, plotësojeni.”[8]

Në xhami shkohet me rroba të pastra. Allahu i Madhëruar thotë:

“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje)”. (El-A’raf: 31)

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Kur dikush të falet, le të veshë rroba (të mira), ngase Allahu është më meritori për t’u zbukuruar për Të.”[9]

Gjithashtu i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush pastrohet në shtëpinë e tij, pastaj shkon në njërën nga xhamitë e Allahut për të kryer një farz prej namazeve, atij për çdo hap i shlyhet nga një mëkat dhe ngrihet nga një gradë (në xhennet)[10].”

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Bazuar në këtë ajet dhe në hadithet e transmetuara me këtë kuptim është i preferuar zbukurimi për namaz, sidomos ditën e xhuma dhe ditën e Bajrameve, preferohet parfumimi sepse është pjesë zbukurimi dhe misvaku sepse është si përmbyllje e këtyre cilësive të mira. Ndërsa prej rrobave më të bukura, më të preferuarat janë të bardhat.”[11]

Pastaj Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem na ka nxitur që xhamia të jetë e pastër nga çdo lloj erërash të këqija dhe porositi që nëse dikush dëshiron të shkojë në xhami, le të mos hajë qepë, hudhër apo gjëra të cilave u vjen erë e rëndë.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Kush han qepë, hudhër dhe pras, le të mos i afrohet xhamisë sonë ngase melaiket mundohen nga ajo që mundohet biri i Ademit (njeriu).”[12]

Këtu hyn edhe pirja e duhanit dhe e gjërave të tjera që kanë erë të keqe dhe të rëndë në mënyrë që të mos mundohen besimtarët dhe melaiket.

Kur muslimani hyn në xhami, duhet të hyjë me këmbën e djathtë dhe të fillojë me dua, e kur të dalë, të dalë me këmbën e majtë dhe të thotë duanë që na ka mësuar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem:

“Kur të hyjë ndokush prej jush në xhami, le të çojë salavat mbi Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe të thotë: Allahumme Iftah Li Ebvabe Rahmetike (O Allahu im! M’i hap dyert e mëshirës tënde!), ndërsa kur të dalë, le të thotë: Allahumme Inni Es’eluke Min Fadlike (O Allahu im! Të lus për të mirën-begatinë Tënde).”[13].

Posa të hyjmë në xhami, duhet të falim dy rekate tehijetul mesxhid (përshëndetje për xhaminë) para se të ulemi.

Nga Ebu Katade transmetohet se Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të hyjë ndokush prej jush në xhami, le t’i falë dy rekate para se të ulet!”[14]

Duhet të marrim sutre (në mënyrë që të mos na kalojë askush para). Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse falet ndokush le te falet tek sutreja dhe le te afrohet afër saj e le te mos e lejoje askënd të kalojë para tij. Nëse vjen dikush dhe do te kalojë luftojeni ngase ai është shejtan “[15].

Në një hadith tjetër thotë:

“Kalimtari sikur ta dinte se çfarë rreziku ka që të dalë para njeriut gjatë faljes, do të ishte më mirë për të që të priste dyzetë sesa të kalonte para tij.” Thotë Ebu Nadri (transmetuesi): “Nuk e di a tha dyzet ditë, muaj apo vite.”[16]

Kur njeriu hyn në xhami dhe ulet, të mos e ngrejë zërin.

Saib ibën Jezidi thotë: “Isha në xhami, kur ja një njeri më gjuajti me guralecë. Shikova dhe kur ja, ishte Umeri, i cili më tha: -Shko dhe sillmi ata dy! Shkova dhe ia solla. -Kush jeni ju?- i pyeti Umeri. -Jemi nga banorët e Taifit- iu përgjigjën. -Po të ishit nga banorët e këtij qyteti, do t’ju rrihja, si i ngrini zërat tuaj në xhaminë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.”[17]

Nga edukata e xhamisë është edhe largimi i dëfrimeve, i bizneseve dhe pazarllëqeve në të.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Nëse e shihni dikë që shet apo blen në xhami, thoni “mos të sjelltë Allahu fitim në tregtinë tënde”. Nëse shihni dikë që kërkon gjënë e humbur në xhami, thoni “Allahu mos ta ktheftë!”[18]

E ngjashme me këtë është edhe çështja e kërkimit të lëmoshës në xhami, andaj duhet të kemi kujdes sepse xhamitë nuk janë ndërtuar për të kërkuar lëmoshë, për tregti apo gjëra të humbura, por janë për përmendjen e Allahut, adhurimin dhe madhërimin e Tij.

Gjatë qëndrimit në xhami nuk duhet t’i kryqëzojmë gishtërinjtë e dorës, t’i kërcasim apo të lozim me ta.

Nga Ebu Seidi radijAllahu anhu transmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush është në xhami, mos t’i kryqëzojë e t’i lidhë gishtërinjtë sepse lidhja e tyre është vepër e shejtanit. Vazhdon njeriu të konsiderohet në namaz përderisa të dalë nga xhamia.”[19]

Nuk duhet të largohemi nga xhamia pas ezanit përderisa të falemi, përveç nëse kemi arsye.

Ebu Shathai tregon se kemi qenë ulur me Ebu Hurejrën radijAllahu anhu në xhami. Pasi muezini thirri ezanin, u ngrit një njeri dhe doli nga xhamia ndërsa Ebu Hurejra e vështroi dhe tha: “Vërtet ky e kundërshtoi Ebu Kasimin (Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem).”[20]
Këto ishin disa gjëra shkurtimisht në lidhje me rolin dhe edukatën e muslimanit në xhami, duke e lutur Allahun e Madhëruar që të na e shtojë dashurinë ndaj xhamive, të na i bëjë prej vendeve më të dashura për ne si dhe të kemi edukatë të mirë dhe të jemi shembull për të mirë!

Dhe lutja jonë e fundit është falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve!

Përgatiti: Eshrefedin ISMAJLI
_______________________________________________________________________________

[1]Transmeton Tirmidhiu (3093). Hadithi është i dobët për nga zinxhiri i transmetimit, por kuptimi i tij është i saktë. Këtë e ka thënë shejh Albani në verifikimin që i ka bërë librit “Rijadu salihin”.

[2] Transmeton Muslimi (530).

[3] Transmeton Imam Ahmedi në “Musned” (3/223 nr. 1624). Botimi “Muesesetu Rrisaleh”, Shuajb Arnauti.

[4] Transmeton Muslimi (251).

[5] “Sahihul xhami’” (1/620; nr. 3271). Shejh Albani thotë se hadithi është hasen.

[6] Transmeton Imam Ahmedi në “Musned” (16/208-nr. 10308).

[7] Transmeton Imam Ahmedi në “Musned” (15/275–nr. 9462).

[8] Transmeton Buhariu (636), Tahkik Muhamed Zuhejr Nasir.

[9] “Silsiletu Sahiha” (nr. 356).

[10] Transmeton Muslimi (nr. 666, f. 263).
[11] Tefsir ibën Kethir (v. 3, f. 406), botimi “Daru tajbe lineshri ve tevzi’a Tahkik Samij ibën Muhamed Selameh”.

[12] Transmeton Muslimi (nr. 564, f. 224).

[13] Transmetojnë Muslimi (nr. 713, f. 283) dhe Ebu Davudi (nr. 465, f. 175). Shejh Albani ka thënë se është sahih.

[14] Transmetojnë Buhariu (nr. 444, f. 96) dhe Muslimi (nr. 714, f. 283).

[15]Transmeton Ebu Davudi (nr. 698, f. 258), botimi i “Darul Kutub Elarabij” me talik të shejh Albanit, i cili ka thënë se hadithi është hasenun sahih.

[16] Transeton Muslimi (nr. 507, f. 207).

[17] Transmeton Buhariu (nr. 470, f. 127).

[18]Transmeton Tirmidhiu (v. 3, f. 610; nr. 1321), botim i “Dar Ihjau Turathul Arabij tahkik”, Ahmed Shakir, shejh Albani thotë se është sahih.

[19]Transmeton Imam Ahmedi në “Musned” (v. 17, f. 477; nr. 11385).

[20]Transmeton Muslimi (nr. 655, f. 258).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here