TAKVALLAKU – DEVOTSHMËRIA

0
271

Fillimisht e këshilloj veten dhe ju për devotshmëri, ngase kjo është këshilla e Allahut për të gjithë njerëzit, kur thotë:

“O ju njerëz keni frikë Zotin tuaj.” (Lukman: 33)

Kjo është këshilla e Allahut për ne dhe ata që ishin para nesh. Allahu thotë në Kur’an:

“Ne i kemi porositur ata të cilët u është dhënë libri para jush, por edhe ju, që të keni frikë Allahun.” (En-Nisa: 131)

Kjo është këshilla e Allahut për besimtarët në veçanti. Allahu thotë:

“O ju që keni besuar, keni frikë Allahun.” (El-Hashr: 18)

Kjo është edhe këshilla e Allahut az-ze ve xhel-le për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kur i thotë:

“O ti Pejgamber, ki frikë Allahun.” (El-Ahzab: 1)

Gjithashtu me këtë këshillë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i këshillonte shokët e tij shpesh, siç kemi rastin në hadithin e Irbad ibën Sarijes, i cili thotë:

“Na këshilloi i Dërguari i Allahut me një këshillë. prej së cilës na rrodhën lotët e na u drodhën zemrat. Atëherë i thamë: “O i Dërguari i Allahut, sikur kjo të jetë këshilla lamtumirëse, andaj na porosit me diçka, na këshillo.” Pejgamberi u tha: “Ju këshilloj me devotshmëri e frikërespekt ndaj Allahut…” dhe vazhdon hadithi.

Duke parë se sa i rëndësishëm është takvallëku apo devotshmëria, frikërespekti ndaj Allahut, atëherë duhet ta dimë se ç’është takvallëku, në mënyrë që të pajisemi me të dhe të jemi prej robërve të Allahut të devotshëm.

Kuptimi i fjalës takva (devotshmëri)

Fjala “takva” rrjedh nga fjala “el-itika” dhe “el-vikaje”, që do të thotë të marrësh diçka për mburojë, të mbrohesh nga diçka, pra të vendosësh një pengesë nga një gjë që të prej saj.

Ndërsa në terminologji, Err-Rragib el-Asfahanij thotë se devotshmëria është ruajtja e shpirtit nga mëkatet. Gjithashtu është thënë se devotshmëria është nënshtrimi ndaj urdhrave të Allahut për t’u ruajtur nga zjarri.

Shohim se ka lidhje mes kuptimit gjuhësor (etimologjik) dhe atij terminologjik. Kuptimi gjuhësor është të marrësh diçka për mburojë që të të mbrojë nga një rrezik, ndërsa ai terminologji është marrja e zbatimit të urdhrave të Allahut si mburojë nga zjarri.

Disa thënie të të parëve tanë rreth devotshmërisë

Një njeri e ka pyetur Ebu Hurejrën radijAllahu anhu se çfarë është takvallëku. Ai iu përgjigj: “A ke ecur ndonjëherë në ndonjë rrugë me gjemba?” I tha se po. “Por si ke ecur?”, e pyeti Ebu Hurejra. “Aty ku kam parë gjembin, e kam kaluar dhe nuk kam shkelur mbi të.” Ebu Hurejra tha: “Kjo është devotshmëria.” Domethënë të shikosh mirë se ku e vë këmbën, çfarë vepron, çfarë thua, ashtu siç ruhesh gjatë rrugës me gjemba.

Malik ibën Enesi thotë: “Kam dëgjuar se njëri prej fukahave i ka shkruar Abdullah ibën Zubejrit radijAllahu anhu dhe i ka thënë: “Njerëzit e devotshëm kanë shenja me të cilat njihen dhe i shohin ato në vetet e tyre:

  • kënaqje me kaderin
  • durim në sprova
  • falënderim në dhunti e mirësi
  • thënie e së vërtetës dhe
  • mbajtje e premtimit dhe zbatim i marrëveshjes.

Talk ibën Habibi, Allahu e mëshiroftë, e përkufizon takvallëkun-devotshmërinë më së miri kur thotë se devotshmëria është kryerja e adhurimeve të Allahut me argumente nga Allahu, duke shpresuar shpërblimin e Allahut dhe lënien e mëkateve ndaj Allahut me argumente nga Allahu duke iu frikësuar dënimit të Allahut.

Kush janë njerëzit e devotshëm

Allahu i Madhërishëm thotë:
“Elif. Lam. Mim. Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim, ai është udhërrëfyes për të devotshmit. Të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Dhe ata të cilët besojnë në atë që të është shpallur ty dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të udhëzuarit.” (El-Bekare: 1-5)

Gjithashtu Allahu thotë:
“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe xhennetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit. Të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve, Allahu i do bamirësit.”
 (Alu Imran: 133-134)

Ibën Kethiri në librin e tij “El-Bidaje ven-nihaje” përmend një ndodhi me Harun Err-Rreshidin, prijësin e muslimanëve, kur i thotë një shërbëtori të tij t’i hedhë ujë. Ai i hedh ujë, por ishte i nxehtë, i bie ibriku nga dora dhe godet Harun Reshidin në kokë. Prijësi hidhërohet shumë dhe nga ujë i nxehtë i ndryshon edhe lëkura, por shërbëtori i kujton fjalën e Allahut: “Edhe ata të cilët e mposhtin zemërimin“. Prijësi thotë: “Po përmbahem nga zemërimi.” Shërbëtori i thotë: “Dhe ua falin fajet njerëzve“. Prijësi thotë: “Ta fala.” Shërbëtori i thotë: “Allahu i do bamirësit.” Tha: “Je i lirë për hir të Allahut.”

Dobitë e devotshmërisë

  • Allahu është me të devotshmit. Allahu thotë:

“Me të vërtetë Allahu është me të devotshmit dhe me ata të cilët janë bamirës.” (En-Nahl: 128)

  • Përgëzimi për të devotshmit se ata do të jenë të nderuarit tek Allahu. Allahu thotë:

“Më i lavdërueshëm tek Allahu është ai që është më i devotshëm.” (El-Huxhuratë: 13)

  • Allahu i do të devotshmit. Allahu thotë:

“Me të vërtetë Allahu i do të devotshmit.” (Et-Tevbe: 7)

 Prej dobive të devotshmërisë janë edhe këto të përmbledhura në këtë ajet:

“O besimtarë, nëse keni frikë Allahun, do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit (të bëni dallimin mes së vërtetës dhe së pavërtetës), do t’ju mbulojë mëkatet tuaja dhe do t’ju falë.” (El-Enfal: 29)

Shpërblimet që u jepen të devotshmëve

 Allahu në Kur’an thotë:

“Por, për ata që i druajnë Allahut, për ata ka kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, në të cilat do të banojnë përherë.” (Alu Imran: 198)

  1. Allahu thotë:

“Xhenneti i tillë që u është premtuar të devotshmëve, nëpër kopshtet e tij rrjedhin lumenj, frytet e kopshtit janë të përhershme, si dhe freskia e tij, ky është përfundimi-epilogu i atyre që ishin të devotshëm.” (Err-Rra’d: 35)

  1. Do ta përfundoj këtë temë me ajetet ku Allahu thotë:

“Vërtet për të devotshmit është përgatitur e mira (xhenneti). Kopshte dhe vreshta. Dhe vajza të reja, të së njëjtës moshë, dhe kupa të plota, atje nuk do të dëgjojnë biseda të kota e as gënjeshtra, kështu është shpërblimi nga Zoti yt, dhuratë sipas meritës.” (En-Nebe’e: 31-36)

Përmblodhi dhe përshtati: Dr. Fidan XHELILI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here