PËRSE E GJYKOJNË ISLAMIN?

0
231

“Kënaquni, argëtohuni, përparoni… e mos ktheni kokën nga feja, sepse nuk është koha për të”janë fjalët e famshme që thuhen nga gjeneratat më të moshuara në vendin tonë. Janë këta prindërit, gjyshërit apo të afërmit, aktorët e përhapjes së një ideologjie të tillë famëkeqe dhe idiote. Askush nuk e mohon përhapjen e Islamit në vendin tonë në mesin e rinisë. Kur shohin se një gjë e tillë po ndodh edhe me fëmijët dhe nipërit e tyre, ata mbahen në këmbë vetëm e vetëm që të njollosin fenë me lloj-lloj etiketimesh, me qëllimin që t’ua largojnë nga zemrat dhe mendjet e tyre, por nuk mund t’i lëkundin zemrat e udhëzuara. Do përmendim në këtë shkrim disa aspekte të realitetit që po përjetojmë.

Shumë familje në vendin tonë, e sigurisht edhe më gjerë, i japin aq shumë liri vajzave saqë vetë prindërit nuk e dinë nëse ato janë zhytur në gjëra të dëmshme e të shëmtuara, siç janë miqësia me njerëz të degjeneruar, kalimi i natës në diskoteka, kalimi i ditës në kafene, narkomania, prishja e nderit, vjedhja, shpenzimet e tepërta e marifete të tjera. Këto janë frytet që dalin nga kjo liri, duke mos u kujdesur për edukimin dhe mirëqenien e vajzave të tyre. Një ditë ato madje edhe u ikin nga shtëpia, e kur të ndodhë kjo, ata çirren në lot dhe mallkime. Kur kthehemi nga ana tjetër, janë po këta njerëz që e shajnë mbulesën, e shajnë moralin islam, i përqeshin muslimanet pse qëndrojnë më shumë brenda sesa jashtë shtëpie e jo në vende argëtimi- forma të atilla që i mendojnë si normale, mirëpo që nuk janë nga etika islame. Nën petkun islam, vajza është e ruajtur nga çdo formë e shthurur që paraqitet në shoqërinë tonë, është e mbrojtur nga ligësitë dhe fjalët e ulëta. Mbulesa është nga shkaqet kryesore për ruajtjen e nderit, largimin e provokimeve (fitneve) dhe shthurjeve në shoqëri. Pse e gjykojnë Islamin, sepse po ruan moralin e vajzave?! Në të vërtetë, disa ende duhet të korrigjohen rreth udhëheqjes së familjes. Kësaj të keqeje i shtojmë edhe ndikimin që kanë sjellë serialet e transmetuara në kanalet tona televizive. Jo rrallëherë ai “emancipim” u bë shkak që gruaja ta godasë burrin me shuplakë apo ta fyejë, të marrë guximin ta nënçmojë, ta tradhtojë, të ndahet apo të kërkojë lirinë që jep Perëndimi. Ndërsa ndodh kjo, Islami na porosit për një respekt të pastër në bashkëshortësi, për raporte të shkëlqyera dhe të ndershme, ku asnjëra palë nuk nënçmohet. Në një hadith që flitet për cilësitë e gruas së mirë, thuhet edhe kjo: “…ajo që e ruan burrin e saj, pasurinë dhe çdo të mirë të tij[1], por përkundër kësaj, sot prej disa grave bashkëkohore ka prishje të familjes, shkatërrim të pasurisë dhe humbje të nderit të burrit, duke qenë vetë ato shkaktare për këtë. Pse e gjykojnë Islamin, ngase përhap fjalën dhe veprimin e mirë mes bashkëshortëve, pra për shkak të kësaj mirësie që dhuron?!

Disa prindër shajnë dhe përqeshin këngëtarët e aktorët për veprimet e tyre të shfrenuara, qoftë në veshje apo në sjellje, madje thonë “do na lëshojë toka se çka po bëhet”, por një gjë nuk e mendojnë mirë. Të rinjtë që kanë nën kulmin e tyre janë imitues të atyre VIP-ve. Vajzat e tyre mbajnë veshjen dhe përafërsisht gjestet e tyre, madje edhe nëse këta VIP-a janë ateistë e të krishterë. Por kur e përjetojnë pasojën e këtij imitimi, atëherë e kuptojnë të keqen, mirëpo kështu harrohet edhe Krijuesi, pos që harrohet respekti ndaj prindërve, të afërmve, humb qëllimi i jetës dhe zbehet rëndësia e njeriut si qenie e vlefshme. Le të kujtojmë se qëllimi primar që kërkohet prej njeriut është adhurimi i Allahut: “Xhinnët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë”[2]e nuk u krijua njeriu për t’u kënaqur, për t’u pasuruar, për të rritur numrin, për të ngrënë, për të pirë e në fund asgjë më shumë pos vdekja e ftohtë. Si arrihet të fyhet Islami për shkak se thërret në adhurim të Krijuesit, i Cili është Ai që i krijoi, u dha të mira, i furnizoi, i pasuroi, u fali trashëgimtarë dhe do i ringjallë një ditë?!

Gënjeshtra është një veprim i përditshëm dhe është cilësi me të cilën disa familje rrisin fëmijët e tyre. Kemi parë prindër që gënjejnë fëmijët e tyre, ndërsa vetë këta jo vetëm që janë mësuar me këtë, por edhe si të tillë i njohin prindërit e tyre, pra si gënjeshtarëPo çfarë thotë feja islame për gënjeshtrën: “Vërtet, Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e mohues.”[3] Dhe: “Mjerë gjynahqari gënjeshtar!”[4]  Allahu e tregoi këtë veprim si mjaft të ulët, të padëshiruar, të keq, të mjerë, e cilësoi si vepër kundër moralit të mirë. Një rrënim të atillë që shkakton gënjeshtra lë pasoja në mendjen e çdo të mituri, derisa mund të bëhet njeri problematik e ngatërrestar i madh. Përfitimi dhe dobia nga kjo nuk shënohet askund, pos në përhapjen e antivlerave në rrethin ku jetojmë dhe më tej, duke dobësuar sinqeritetin në shpirtrat e njerëzve. Islami kështu na qartësoi: “(Bëhuni të sinqertë se) Vërtet sinqeriteti të shpie në mirësi, e mirësia pa dyshim të shpie në xhennet… ”[5] Kjo është feja jonë, urdhëron sinqeritetin e nuk ka pse të keqgjykohet.

Zhveshja sot sipas disave qenka “ecje me kohën”, se po nuk ishte e tillë, atëherë të mohohet shumëçka, madje mund të ndodhë të përqeshesh dhe fyhesh nga njerëzit me etiketën “e prapambetur”. Megjithatë, është shumë e çuditshme se si gjeneratat e moshuara, që dikur nënat dhe gratë e tyre i kishin me mbulesa, me veshje të gjera, sot po tallen me veshjen islame, tallen me mosshfaqjen e trupit. Njohim familje ku dikur të parët e tyre ia kundërshtonin edhe me burg armikut të dikurshëm kërkesën për heqjen e mbulesës së grave[6], ndërsa pikërisht pasardhësit e tyre sot i shtrëngojnë familjaret që të mos hynë në radhët e njerëzve që praktikojnë Islamin edhe në veshje [mbulesën]. Sa shpejt u harrua koha e okupimit dhe keqtrajtimeve nga armiqtë tanë fqinjë ndaj vendit tonë, duke u marrë tash me luftimin e Islamit në familjet, fshatrat dhe qytetet tona! Kë po e pengon nderi i shamisë pos atyre që duan zhveshjen e femrës shqiptare, që duan sistemin e huaj dhe që nuk e duan Islamin?

Raportet njerëzore tek njerëzit që e nënçmojnë Islamin si fe shpeshherë janë të shkapërderdhura, të dobëta, të këqija, të shoqëruara me gënjeshtra e shpifje, përgojime dhe mospërfillje, diku me rrahje, vjedhje e diku me vrasje. Sjellja e mirë është nga bazat e Islamit, ngase atë e shpalli Allahu- Zoti i përkryer, e kumtoi Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem- Pejgamberi i ndershëm me plot merita. Eh, si të jetë kjo fe e vrazhdë dhe e keqe kur vjen nga Madhështia e Tij?! Allahu thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.”[7] Kjo fe që ne e besojmë dhe e praktikojmë, urdhëron moralin e mirë, çdo të mirë dhe ndalon të keqen.

Rebelimi i të rinjve mbetet gjithashtu nga gjërat shoqëruese të kohës dhe element i rrezikshëm, duke shfaqur kështu një keqmenaxhim familjar. Siç edhe thamë, sot kryefamiljarët nuk janë në gjendje të njohin dhe seleksionojnë shoqërinë e fëmijëve të tyre, nuk kanë aftësinë t’i largojnë nga qorrsokakët ku janë futur. Ajo që u thonë është “mos u islamizoni!”, në vend që t’u thonë “kini kujdes se më kë shoqëroheni!”. Derisa dikush fshin djerset nga balli nga mundimi dhe problemet që i vijnë, feja është ajo që e jep këtë këshillë si mjet mbrojtës nga e keqja, e ardhur në hadithin e transmetuar nga Muhamedi sal-lAllah alejhi ve sel-lem, i cili ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij. Le të shikojë secili prej jush se kë po merr për shok.”[8] Askush nuk e do dhe nuk e deshi një mik të keq për të birin, por ajo që është problematike është se në këtë aspekt ka neglizhencë dhe moskujdes ndaj të rinjve. E pikërisht kjo është njëra nga këshillat dhe mësimet e mira që jep feja jonë, andaj pse të konsiderohet kjo fe si e padëshiruar kur në të gjen rehatinë dhe harmoninë në çdo aspekt?!

“Pleqëria e keqe nga ju vjen?”, pyesim ne. Atë gjendje ua shkaktojnë vetë fëmijët e tyre me edukimin e keq që u dhanë qysh në fëmijëri. Nuk mund të bëhet asnjë fëmijë i mirë kur rritet me gënjeshtra, sjellje të ulëta, dhunë, keqtrajtime, kërcënime, strese, mungesë dashurie dhe këshillimi. Ata çka mbollën, korrën. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çdo i lindur, lind në natyrshmërinë monoteiste, por prindërit e tij nëse janë çifutë, e edukojnë në Judaizëm, nëse janë nazaretistë, e bëjnë nazaretist e nëse janë zjarrputist, e bëjnë zjarrputist.”[9]Disa bashkëvendës tonë i rritën bijtë e bijat e tyre si të pandërgjegjshëm dhe kështu iu kthye në fund. Një selef kishte thënë këtë fjalë: “Kush e edukon fëmijën e tij në rini, do të jetë i kënaqur me të në pleqëri.”Asnjë prind i cili nuk e praktikon Islamin me familjen e tij, nuk është i kënaqur me fëmijët që ka sepse askush si Islami nuk jep frytet e mirësisë në çdo moshë dhe në çdo kohë. Atëherë kur u duhet ndihma dhe mbështetja e bijve të tyre në pleqëri, mu atëherë ua mbyllin derën para fytyre duke i lënë të vetëm, nëse jo të vetëm, atëherë të nënçmuar. Dikur u thoshin “të shkojmë nga Perëndimi” dhe ja rezultati i këtij orientimi të gabuar, ngase një gjë e tillë po ndodh në vendet dhe sistemet e huaja. Këtu pyesim: Përse e goditët të mirën (Islamin) me duart tuaja dhe morët si sistem jete sistemet e huaja, të cilat nuk njohin se ç’është mëshira për të moshuarin? E kjo e mirë për njeriun erdhi vetëm me Islamin, të cilin ata po e nënçmojnë. Allahu thotë: “Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.  Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”[10]

Po ta dinin mirësinë e kësaj feje, askush nuk do fliste, por dikush mbyll veshët dhe sytë përballë argumenteve, andaj si pasojë e kësaj gjykojnë me supozime. Në fund, përgëzojmë siç përgëzoi i Dërguari ynë, Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, duke thënë: “E përgëzoj këtë ummet (popull) me lartësi, qëndrueshmëri në fe, ngritje, fitore dhe forcim në tokë!”[11]

Albiona OLLURI

___________________________

[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

[2]Kuran, sure Dharijat: 56.

[3]Kur’an, sure Zumer: 3.

[4]Kur’an, sure Xhathije: 7.

[5] “Sahih el Xhami”, 4071.

[6] Për këtë kemi argumente, me emër  dhe mbiemër, ka ndodhur në fshatrat e Drenicës, siç njihet Drenica e Pashës.

[7]Kur’an, sure Nahl, 90.

[8]“Sahihul xhami”, 3545.

[9]Transmeton Buhariu, shiko “El Fet’hu” 3/245-246.

[10]Kur’an, sure Isra: 23-24.

[11] “Sahih el Xhami”, 2822.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here