Suneti, shkaku i ngritjes së këtij ummeti!
Allahu i Madhëruar thotë:
“Thuaj: ‘Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit’, e nëse ata kthejnë shpinën (refuzojnë), ai është përgjegjës vetëm për detyrën e tij (përcjelljen e shpalljes) dhe ju jeni përgjegjës për detyrën tuaj (bindjen ndaj Allahut dhe ndaj tij), e nëse i bindeni atij do të udhëzoheni, e i Dërguari nuk ka detyrë tjetër veç përcjelljes së shpalljes me qartësi.
U ka premtuar Allahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira se do t’i bëjë ata trashëgues (sundues) në tokë, ashtu siç i bëri edhe ata që ishin para tyre, dhe do të bëjë që feja e tyre të ketë pozitë, fe të cilën Ai e pëlqeu për ta, dhe frikën do tua zëvendësojë me siguri, ata më adhurojnë Mua dhe nuk më shoqërojnë asgjë në adhurim, e ai që mohon pas kësaj të tillët janë të prishurit.
Dhe faleni namazin e jepeni zekatin dhe bindjuni të Dërguarit në mënyrë që të mëshiroheni”
(Nur: 54 – 56)
Lexoji edhe një herë me vëmendje këto ajete dhe më thuaj: sa herë u theksua pasimi i sunetit? Tri herë apo jo? A e kupton tani se cila është rruga e ngritjes së këtij ummeti? A e kupton pse jemi larg saj? A e kupton tani rëndësinë e shpërndarësve të sunetit, atyre që duan ta edukojnë ummetin tonë me pasimin e rrugës së Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem? A e kupton rëndësinë e sunetit?
Është e pashmangshme, Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – na ka paralajmëruar: “… dhe është bërë detyrë poshtërimi i atij që kundërshton urdhrin tim…” (1 kushdo qoftë ai.
Premtimi për ngritje është i rrethuar nga të dyja anët me pasimin e sunetit, përndryshe lodhemi kot, çdo rrugë tjetër është e mbyllur!
(1. Hadith hasen, e përcjell imam Ahmedi në Musnedin e tij nga Abdullah ibn Umeri – radijallahu anhuma – siç thotë shejkh Muhammed Seid Raslan, Allahu e ruajtë dhe bëftë dobi me të.